Kurti: Mosvotimi i raportit për mandate, sulm ndaj Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e cilësoi si “sulm brendainstitucional” kundër Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike mosvotimin e raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
“Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”, shkroi Kurti në Facebook.
Deputetët e partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK, votuan kundër raportit, ndërkaq Lista Serbe abstenoi.
Përfaqësuesit e opozitës vunë në dyshim dorëheqjen e Kurtit nga posti i kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë që janë zgjedhur deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Presidenca: Nuk ka arritur asnjë letër nga Kuvendi
Këshilltari për media në Zyrën e presidentes së Kosovës, Bekim Kupina, tha për Radion Evropa e Lirë se “deri më tani nuk ka arritur asnjë letër nga Kuvendi”.
“Para përgjigjes duhet të vijë pyetja”, shtoi ai, pasi u pyet për një deklaratë lidhur me atë që ndodhi në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, pas një pauze të shkurtër ka ndërprerë seancën, për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.
“Në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe me një letër të njoftojmë presidenten se si do të veprohet në të ardhmen”, tha ai.
Faton Peci nga Vetëvendosja tha se tani është në diskrecionin e presidentes Vjosa Osmani të japë një përgjigje ose t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Enver Hasani: Opozita gaboi politikisht
Ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, thotë Kuvendi i Kosovës nuk është bllokuar dhe mund të mblidhet çdo 48 orë, pasi deputetët dështuan ta konstituojnë këtë institucion.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani e cilëson si gabim mosvotimin nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.
Këto parti, kanë vënë në dyshim dorëheqjen e paraqitur nga Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë. Por, Hasani thotë se me betimin e tyre si deputetë, ata nuk do të mund të ushtronin asnjë funksion ekzekutiv.
Intervista e plotë:
Cakolli kritikon mënyrën e dorëheqjes së kabinetit qeveritar, sqaron procesin
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, beson se ankesat e opozitës lidhur me mënyrën se si dhanë dorëheqje Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar, që janë zgjedhur deputetë, janë të bazuara.
“Dorëheqja e kryeministrit nuk është e mjaftueshme – çdo ministër që ka fituar mandat si deputet duhet të dorëzojë dorëheqjen individualisht dhe në rrugë zyrtare”, thotë mes tjerash Cakolli.
Ai thekson se nuk është e pranueshme që këto dokumente të dorëzohen në mënyrë informale apo përmes individëve të ndryshëm në ambientet e Kuvendit. Procedura e duhur përfshin dorëzimin zyrtar në Sekretarinë e Kuvendit, e cila më pas e përcjell dokumentacionin tek Komisioni përkatës.
“Sepse unë besoj që nuk është e hijshme që këto të sillen nga individë të caktuar, të barten shkresat me dorë nëpër hollët e Kuvendit. Por, ka përcaktim të procedurave se si bëhet pranimi i një shkrese nga Qeveria”, thotë Cakolli.