Krasniqi: Letra e Kurtit nuk është letër dorëheqjeje
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se deri tek ndërprerja e seancës konstituive të Kuvendit erdhi si pasojë e veprimeve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Krasniqi, tha se seanca nuk do të mund të procedonte tutje për shkak se dorëheqjet kabinetit qeveritar do të duhej të bëheshin me kohë.
Krasniqi tha se raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve nuk është votuar nga PDK-ja pasi letra e dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti, nuk është serioze.
Krasniqi tha se Kurti do të duhej të dërgonte një letër të mirëfilltë dorëheqjeje dhe atë ta dërgonte në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Abrashi akuzon opozitën për shkaktimin e një “krize të panevojshme”
Kryesuesi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, Artan Abrashi, e akuzoi opozitën për shkaktim të një “krize të panevojshme” pas mosmiratimit të raportit të komisionit.
“Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më herët, jemi në një terren të panjohur dhe si do të vazhdohet tutje mbetet e mjegullt”, tha ai për gazetarët në hollin e Kuvendit, pas ndërprerjes së seancës konstituive.
Abrashi, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se anëtarët e Komisionit të përkohshëm, përmes një shkrese, janë njoftuar përmes një letre për dorëheqjen e Albin Kurtit nga posti i kryeministrit dhe i anëtarëve të Qeverisë aktuale, që janë zgjedhur deputetë.
Ai i akuzoi partitë opozitare që votuan kundër raportit – PDK, LDK dhe AAK – për “sjellje destruktive”.
Haxhiu: Opozita po tenton të vonojë konstituimin e Kuvendit
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë i pranishëm dhe i gatshëm për të vazhduar procedurat për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit, por opozita, sipas saj, po mundohet të vonojë këtë proces.
“Ndodhi një situatë e paprecedent, opozita nuk e votoi raportin e Komisionit për verifikimin e kuorumit dhe mandateve”, veprim ky që, sipas saj, nuk ka ndodhur në të kaluarën.
“Këta [opozita] po tentojnë që të vonojnë konstitumin e Kuvendit të Kosovës”, tha Haxhiu.
Abdixhiku e akuzon LVV-në për zvarritje të krijimit të institucioneve
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij do të votojë raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve, sapo anëtarët e Qeverisë – që janë zgjedhur deputetë - të japin dorëheqje.
Ai u pyet për letrën e dorëheqjes të dorëzuar në këtë komision nga Qeveria në detyrë. Por, Abdixhiku nuk e pranoi këtë dorëheqje duke thënë se Kurti dhe anëtarët e tjerë thonë se kanë dhënë dorëheqje, por sipas tij, po vazhdojnë punën në Qeveri.
Sipas tij, e gjithë kjo është “pjesë e një loje politike për të zvarritur krijimin e institucioneve dhe për të blerë kohë”.
“Është episod i errët në demokracinë parlamentare ku partia fituese nuk respekton rregullin bazik që thotë që një i zgjedhur s’mund të jetë edhe ministër, kryeministër, e deputeti i Kosovës”, tha Abdixhiku.
Sipas kreut të LDK-së, ky qëndrim i LVV-së është “qëndrim bllokues”, pasi sipas tij, partia e Kurtit nuk i ka votat për kryeparlamentarin dhe Qeverinë e re.