Krasniqi: Letra e Kurtit nuk është letër dorëheqjeje
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se deri tek ndërprerja e seancës konstituive të Kuvendit erdhi si pasojë e veprimeve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Krasniqi, tha se seanca nuk do të mund të procedonte tutje për shkak se dorëheqjet kabinetit qeveritar do të duhej të bëheshin me kohë.
Krasniqi tha se raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve nuk është votuar nga PDK-ja pasi letra e dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti, nuk është serioze.
Krasniqi tha se Kurti do të duhej të dërgonte një letër të mirëfilltë dorëheqjeje dhe atë ta dërgonte në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Çfarë ndodhi në seancën e së martës?
Në vazhdim po iu sjellim të përmbledhur atë se çfarë ndodhi gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës:
- Seanca konstituive për legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës u ndërpre pas afër dy orë punime.
- Deputetët s’arritën të kalonin pikën e parë të rendit të ditës, atë të miratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
- Partitë opozitare argumentuan se anëtarët e Qeverisë në detyrë – që janë zgjedhur deputetë – nuk dorëzuan me kohë dorëheqjet e tyre nga postet ekzekutive.
- Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit. Edhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë, kanë dorëzuar dorëheqjen.
- Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ndërpreu seancën dhe tha se do ta njoftojnë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje.
- Partitë politike akuzojnë njëra-tjetrën për dështimin e konstituimit të Kuvendit .
Peci: Opozita dhe Lista Serbe pamundësuan konstituimin e Kuvendit
Ministri në detyrë, Faton Peci, tani deputet i zgjedhur në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se konstituimin e Kuvendit të Kosovës e pamundësuan Lista Serbe dhe partitë opozitare shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Kjo është një rrethanë e re që në aspektin kushtetues dhe ligjor dhe të rregullores së punës së Kuvendit nuk është e paraparë dhe e definuar dhe, rrjedhimisht, kryesuesi i seancës së sotme ka vendosur që për një situatë të tillë të re, t’i drejtohet Presidentes së Kosovës”, tha Peci pas ndërprerjes së seancës.
Peci tha se tani është në diskrecionin e presidentes Vjosa Osmani të kthej një përgjigje ose t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Dehari ndërpret seancën konstituive
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, pas një pauze të shkurtër ka ndërprerë seancën, për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.
“Në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe me një letër të njoftojmë presidenten se si do të veprohet në të ardhmen”, tha ai.