Ndërlidhjet

Deputetët e rinj të PDK-së në sallën plenare. 15 prill 2025.
Deputetët e rinj të PDK-së në sallën plenare. 15 prill 2025.

Çfarë ndodhi në seancën konstituive të Kuvendit?

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar, pasi deputetët nuk e kanë votuar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve.

Kryesuesi i seancës tha se do t'i drejtohen presidentes, Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje.

PDK-ja dhe LDK-ja nuk po e pranojnë dorëheqjen e dorëzuar nga Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë. Kurti i ka akuzuar këto parti për "sulm brendainstitucional".

Në seancën konstituive duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhinin kryetarin dhe nënkryetarët.

12:19 15.4.2025

Kurti jep dorëheqje nga posti i kryeministrit

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, në mënyrë që të mund të bëjë betimin si deputet i legjislaturës së nëntë.

Dorëheqje kanë dhënë edhe anëtarët e tjerë të Qeverisë në detyrë të Kosovës, që janë zgjedhur deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Letra e dorëheqjes së Kurtit, dërguar kryetarit të legjislaturës së kaluar të Kuvendit, Glauk Konjufca.
Letra e dorëheqjes së Kurtit, dërguar kryetarit të legjislaturës së kaluar të Kuvendit, Glauk Konjufca.
12:17 15.4.2025

Zemaj: Votova kundër pasi u vonua dëshmia për dorëheqjen kryeministrit dhe ministrave

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, njëherësh i caktuar në Komisionin për verifikim të mandateve, tha se votoi kundër raportit për shkak se e morën me vonesë dokumentacionin për dorëheqjen e kryeministrit dhe ministrave.

“Nuk është shpërndarë dokumentacioni me kohë sa i përket aktit të dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave të cilët janë zgjedhur si deputetë”, deklaroi Zemaj.

Zemaj tha se nuk përkrahën raportin e Komisionit pasi sic tha ai, ekzistonte rreziku se ish-kryeministri Albin Kurti, do të mund të kthej sërish në zyrën e kryeministrit në objektin e Qeverisë.

Kjo sipas Zemajt do të paraqiste shkelje kushtetuese.


12:13 15.4.2025

Krasniqi: S’mund të votojmë raportin nëse anëtarët e Qeverisë s’japin dorëheqje

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se nuk mund ta votojnë raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve, pasi ai është “jokushtetues”.

“Kushtetuta e thotë qartë se nuk mund të bëhesh deputet nëse je kryeministër apo ministër”, tha Krasniqi, duke shtuar se deputetët e zgjedhur të LVV-së – që aktualisht janë pjesë e Qeverisë në detyrë – duhet të japin dorëheqje sepse s’mund të mbajnë të dy postet.

“Kjo mund të zgjidhej lehtë nëse ata japin dorëheqje”, tha Krasniqi.

12:05 15.4.2025

Kuvendi s'e voton raportin e Komisionit për mandate

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë votuar raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

Komisioni i përkohshëm para deputetëve paraqiti raportin dhe kërkoi që ai të votohej, me qëllim që të verifikoheshin mandatet 120 deputetëve të zgjedhur më 9 shkurt, në bazë të listës së certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Deputetët e LVV-së dhe të Nismës Socialdemokrate kanë votuar për raportin. Kundër ishin ata të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

"Pesëdhjetë e dy deputetë kanë votuar për, 46 kundër dhe 11 kanë abstenuar. Në bazë të kësaj, konstatojmë se raporti i Komisionit të përkohshëm nuk kalon", tha kryesuesi i seancës.

Për votoi VV dhe Nisma, kundër ishin LDK, PDK dhe AAK, ndërsa Lista Serbe abstenoi.

Kryesuesi i seancës ftoi përfaqësuesit e subjekteve politike që të konsultohen, duke bërë që Kuvendi sërish të shkojë në pauzë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG