Lexues të dashur,
Këtu po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të zhvillimeve lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Edhe në përpjekjen e 52-të, partitë politike kanë vazhduar t’iu qëndrojnë besnike pozicioneve fillestare.
Për dallim nga seancat tjera, të premten të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët kanë kërkuar me urgjencë institucione të reja.
*Në këtë video mund të shikoni një përmbledhje të asaj që ndodhi në Kuvend
Disa politikanë nuk e kanë përjashtuar as mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Për të qenë të informuar për zhvillimet më të reja në Kosovë dhe përtej, na ndiqni në rubrikën e lajmeve.
Faleminderit që ishit me ne!
Ambasadori britanik: Kosova mund të hyjë në territor të panjohur
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, u ka bërë thirrje politikanëve të Kosovës që të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokadës, para se të nisë zbatimi i masës së përkohshme të Gjykatës Kushteutese.
“Përndryshe, Kosova po hyn në territor të panjohur dhe shtetasit e saj vazhdojnë të humbin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, ka thënë ambasadori përmes një postimi në Facebook, pas pjesëmarrjes në përpjekjen e 52-të të deputetëve për konstituim të Kuvendit.
Abdixhiku: Dehari po shkel Kushtetutën
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përsëritur sërish se kryesuesi i seancës, Avni Dehari – nga Lëvizja Vetëvendosje – e ka shkelur Kushtetutën.
Edhe ai ka thënë se partia e tij do të jetë në pritje të aktgjykimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
“Kryesuesi e ka shkelur Kushtetutën. Kjo është përmbysje e rendit kushtetues. Tani presim që të ketë edhe vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese për lëndën tonë”, ka deklaruar Abdixhiku pas dështimit të 52-të për konstituim të Kuvendit.
Sipas LDK-së dhe partive tjera të mëdha shqiptare, Dehari po vepron në mënyrë jokushtetuese duke insistuar në formimin e një komisioni për votim të fshehtë.
Kreu i PDK-së: Nuk e kemi kërkuar masën e përkohshme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se partia të cilën e drejton ai, nuk e ka kërkuar masën që e ka caktuar Gjykata Kushtetuese, megjithatë ky institucion është në drejtën e vet.
“Besoj që ka një arsye të cilën nuk mund ta paragjykoj. Cila mund të jetë arsyeja ndoshta është diçka që do ta kuptojmë kur të publikohet aktgjykimi”, ka thënë Krasniqi, duke thënë se PDK-ja do ta respektojë vendimin.
I pyetur nëse partia e tij është e gatshme për zgjedhje të parakohshme, ai ka thënë se rrethanat aktuale, nuk do të ishte diçka e jashtëzakonshme, ndonëse do të jetë diçka e mundimshme, pasi afër janë edhe zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
“Në fund të fundit, demokracia funksion kështu”.