Ndërlidhjet

Mijëra amendamente bllokojnë Kuvendin e Maqedonisë së V.


Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Fotografi nga arkivi.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Fotografi nga arkivi.

Opozita shqiptare ka paraqitur 7 mijë amendamente të reja duke bllokuar në tërësi punën e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, si kundërpërgjigje ndaj shumicës parlamentare e cila refuzon miratimin e një propozim-ligji për shtetësinë, që synon zgjidhjen e problemit të mijëra qytetarëve, kryesisht shqiptarë, që ende janë pa shtetësi. Amendamentet e reja të koalicioni opozitar, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë të bëjnë me një propozim-ligj për financa dhe buxhet.

Opozita deri tani ka dorëzuar mbi 30 mijë amendamentet për 20 propozim-ligje në sfera të ndryshme.

“Ne jemi më shumë se të vendosur në këtë çështje, jo 7 mijë, por nëse ka nevojë ne do të paraqesin edhe 17 mijë amendamente sepse është e papranueshme që të pengohet diskutimi për një çështje që është jetike për qytetarët”, ka deklaruar Elmi Aziri, deputet i opozitës shqiptare.

Veprimin e opozitës shqiptare, partitë në pushtet e kanë vlerësuar si destruktiv.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka anuluar seancën e paraparë për ditën e martë, ku në rend dite ishte Pakoja e pestë e masave ekonomike për përballje me pandeminë.

Shumica parlamentare përbëhet nga 62 deputetë, por tre prej tyre janë të diagnostikuar me COVID-19, që e bënë të pamundur kuorumin për mbajtjen e seancës, por edhe për faktin se opozita ka dorëzuar qindra amendamente edhe për pakon ekonomike.

Njohësi i çështjeve politike, Aleksandar Kërzhallovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se shumica e brishtë parlamentare është arsyeja kryesore e bllokimit të punës së organit ligjvënës.

"Pasojat janë të dukshme. Nuk ka pasur asnjë seancë normale të kuvendit për muaj me radhë dhe një mori ligjesh presin të diskutohen dhe miratohen në parlament. Dhe tani, për shkak të disa tekave të disa njerëzve, pëson i gjithë sistemi, prapa të cilit fshihen të gjithë, në fakt ata e bëjnë sistemin. Gjendja është e tillë sepse ata nuk bënë një shumicë të qëndrueshme dhe për pasojë tani kemi të bllokuar shumë ligje të rëndësishme”, thotë Kërzhalovski.

Puna e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, sipas njohësit të çështjeve politike, Albert Musliu mund të zhbllokohet me ndryshimin e Rregullores mbi punën e institucionit ligjvënës.

“Mendoj se vazhdimi i bllokimit të punës duhet të gjenerojë edhe disa ndryshime në Rregulloren mbi punën e parlamentit. Ka plotë parlamente në botë ku debatet zhvillohen me numër minimal të deputetëve, kurse shumica është e nevojshme vetëm në fazën e votimit. Uroj që gjendja e tanishme të shërbejë si shtytje për një reflektim lidhur me punën e tyre”, thotë Musliu.

Sipas tij, me rëndësi është që gjithashtu të kërkohet zgjidhje edhe për numrin e madh të amendamenteve, të cilat partitë i përdorimin si mundësi për bllokimin e punës së kuvendit. Duke komentuar zërat që zgjedhjet e parakohshme mund të jenë një mundësi për dalje nga gjendja e krijuar, Musliu thotë se i takon partive të vendosin për këtë, por ai nuk beson se zgjedhjet mund të zgjidhin problemin me punën e kuvendit.

“Atë duhet ta vlerësoj shumica kanë apo jo llogari të shkojnë në zgjedhje dhe nëse zgjedhjet mund të zgjidhin këtë problem. Mendoj se bllokimi i punës së kuvendit nuk ka të bëjë me mungesën e shumicës, por më tepër me numrin e madh të amendamenteve. Mendoj se duhet të merren me këtë çështje, pasi në të ardhmen mund të ndodhë që kuvendi të ketë shumicë absolute, por një deputet i vetëm mund ta bllokojë punën e kuvendit dhe ai të jetë jashtë funksionit”, thotë Albert Musliu, njohës i çështjeve politike.

Për shkak të bllokimit të punës, kuvendi i Maqedonisë së Veriut pothuajse për një muaj e gjysmë nuk ka arritur të miratojë asnjë projektligj. Përbërja e re parlamentare është konstituuar më 4 gusht pas zgjedhjeve të parakohshme që u mbajtën më 15 korrik të vitit 2020.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG