Me gjithë të kaluarën e tij kundërthënëse dhe punët e dyshimta biznesore në Bullgari, Ivelin Mihailov është tani në binarë për t’u futur në sferën politike me partinë e vet ekstremiste proruse.
Ai akuzohej për udhëheqjen e një skeme piramidale në Bullgari, përmes të cilës dyshohet se kishte siguruar përfitime në mënyrë të paligjshme për ta ndërtuar një park historik të atraksionit, për të cilin autoritetet dyshojnë se po përdorej edhe nga një milici e armatosur e ekstremit të djathtë.
Partia Madhështia i fitoi rreth 5 për qind të votave, sipas rezultateve preliminare, në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 9 qershor në Bullgari.
“Kjo është befasia e zgjedhjeve”, tha analisti politik Ognyan Michev për televizionin kombëtar bullgar, pasi sondazhet para zgjedhjeve nuk i kishin dhënë gjasa kësaj partie.
Kjo ishte hera e gjashtë që Bullgaria mban zgjedhje të parakohshme parlamentare në tre vjet, për shkak të mungesës së vazhdueshme të stabilitetit politik. Zgjedhjet e 9 qershorit u mbajtën pas shpërbërjes së koalicionit mes partisë së gjelbër të qendrës së majtë dhe partisë properëndimore Ne e Vazhdojmë Ndryshimin, në mars.
Rezultatet e zgjedhjeve treguan se GERB i fitoi zgjedhjet nacionale me gati 25 për qind të votave. Në përgjithësi, gjashtë parti të tjera pritet ta kalojnë pragun prej katër për qind për t’u futur në Parlament, përfshirë Lëvizjen për të Drejtat dhe Liritë (DPS), e cila kryesisht e përfaqëson pakicën më të madhe të Bullgarisë, atë turke; PP; si dhe partia Ringjallja, e cila sikurse Madhështia, është parti proruse e ekstremit të djathtë.
Zgjedhjet në Bullgari u mbajtën njëkohësisht me zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Në këto të fundit, GERB doli e para gjithashtu, në një kohë kur partitë e ekstremit të djathtë shënuan rritje nëpër Evropë.
Ngritja e Madhështisë
Kjo parti u themelua më 25 mars 2023, sipas portalit hulumtues bullgar Kapital. Mihailov, një biznesmen bullgar me të kaluar të errët, është njëri prej themeluesve.
Mihailov ishte ndër investitorët kryesorë në Parkun Historik, i cili, sipas uebsajtit të vet, ofron “një aventurë për kthim 10.000 vjet në kohë për tërë familjen”.
Një hulumtim i Kapitalit më 2019 gjeti se Parku Historik, i cili ndodhet rreth 30 kilometra larg qytetit bregdetar të Detit të Zi, Varna, u financua me paratë e një skeme piramidë, gjoja për të blerë prona në atë zonë.
Dyshimet rreth projektit e nxitën Ministrinë e Brendshme ta hapë një hetim, por është ngritur ndonjë aktakuzë formale. Të përfshirët në skemën e piramidës i mohojnë akuzat.
Aktivitetet e parkut kanë marrë vëmendjen edhe të ligjvënësve. Kalin Stoyanov, ministri i Brendshëm i Bullgarisë, tha në maj se Ministria kishte pranuar raportime për praninë e armëve, kamionëve ushtarakë dhe pajisjeve të komunikimit në këtë zonë.
Një grup ekstremist i quajtur Heroi Bullgar, të cilin Stoyanov e përshkroi si organizatë paramilitare, kishte kryer stërvitje atje. Ministria tha se po kryen një hetim.
Përveç Mihailovit, themeluesi tjetër i Madhështisë është Nikolay Markov, një ish-nënkolonel në Agjencinë Shtetërore për Siguri Kombëtare të Bullgarisë mes viteve 1993 dhe 2007.
Markov shpesh paraqitet në mediat bullgare si ekspert për siguri kombëtare.
Për çfarë e ngre zërin Madhështia?
Kjo parti mund të përshkruhet përgjithësisht si populiste, euroskeptike dhe proruse. Në uebsajtin e saj, partia shpjegon se u themelua për ta mbrojtur atë që, siç thotë, bullgarët e kanë ndërtuar së bashku.
Më 2022, Mihailov filloi t’i futej politikës, duke e udhëhequr një fushatë për ndaljen e ndërtimit të turbinave të erës, duke përhapur thashetheme të rrejshme se ato ishin të dëmshme për shëndetin.
Fushata e tij kishte qëllime më të mëdha, thanë kritikët.
“Beteja për turbinat e erës në Vetrino [në verilindje të Bullgarisë] është duke u shndërruar dalëngadalë në një betejë me energjisë e gjelbër në përgjithësi, për t’i ruajtur termocentralet me thëngjill dhe është gjithashtu kundër ndihmës ushtarake për Ukrainën”, sipas factcheck.bg.
Pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, përmbajtje nga portalet e lidhura me Mihailovin filluan të shfaqeshin në portalet e afërta me Kremlinin, për tema si, “nazizmi në Ukrainë”, si dhe thirrje për neutralitetin e Bullgarisë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Mihailov dhe Markov janë tejet aktivë në rrjetet sociale. Grupi Bullgaria e Lirë dhe Paqësore, e themeluar nga Mihailov, i ka 30.000 anëtarë në Facebook, dhe organizon protesta kundër ndihmës ushtarake që Bullgaria po ia jep Ukrainës.