Ndërlidhjet

Kur emri i Radios Evropa e Lirë shndërrohet në lajm!


Ndërtesa e Radios Evropa e Lirë në Pragë.
Ndërtesa e Radios Evropa e Lirë në Pragë.

Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.

Secilën herë, para se të nisin përgatitjet për numrin e radhës të newsletter-it tonë, ekipi mblidhet në paraditen e së mërkurës për të vendosur përfundimisht për temën. Kjo e mërkurë ishte ndryshe. Përcaktimi i temës ishte i lehtë, por jo edhe shkrimi i saj...

Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.

Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!

Dëgjojeni versionin audio të materialit:

Kur emri i Radios Evropa e Lirë shndërrohet në lajm!
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:05:04 0:00

Është e shtunë, 15 mars, ora 16:00 e pak, dhe është qetësi në zyrë.

Nuk jam rehat, për shkak të një urdhri ekzekutiv të presidentit amerikan, Donald Trump, për shkurtime në Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Media Globale (USAGM), e cila mbikëqyr punëdhënësen time, Radion Evropa e Lirë (REL).

Mes paqartësive për urdhrin, vazhdoj të shkruaj se çfarë po ndodh në Kosovë dhe përtej saj.

E luftoj parehatinë, derisa drejtoresha e Shërbimit të Kosovës të REL-it më jep lajmin për shkëputjen e grantit për median nga ana e USAGM-së. Befasohem dhe mërzitem. Kolegët e mi ndihen njësoj.

Brenda minutash, Radio Evropa e Lirë kthehet nga prodhuese lajmesh në vetë lajmin.

Rrjetet sociale përmbyten nga reagime prej të gjitha anëve – shumica shprehen të tronditur dhe nuk e shohin opsion mbylljen e REL-it.

Presidenti i kompanisë, Stephen Capus, deklaron se “ajatollahët iranianë, liderët komunistë kinezë dhe autokratët në Moskë dhe Minsk do të festonin për shkatërrimin e Radios Evropa e Lirë pas 75 vjetësh”.

REL-i është themeluar më 1950, me mision për të promovuar vlera demokratike dhe për të ofruar informacion të besueshëm dhe relevant, si dhe për t’iu kundërvënë propagandës sovjetike gjatë Luftës së Ftohtë.

Deri në vitet ‘70 është financuar nga Kongresi amerikan përmes Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), ndërsa më vonë përmes mbështetjes dypartiake nga Kongresi – gjithmonë duke ruajtur pavarësinë redaksionale.

Radio Evropa e Lirë raporton sot në 27 gjuhë dhe depërton te 47 milionë njerëz brenda javës, në shtetet ku shtypi i lirë është i ndaluar ose nuk funksionon plotësisht.

Në Iran dhe në Pakistan, për shembull, është më së shumti e pranishme përmes radios. Në vendet tjera, përfshirë Kosovën, është më e qasshme përmes ueb-faqes dhe rrjeteve sociale.

Redaksia e REL-it në Prishtinë.
Redaksia e REL-it në Prishtinë.

“Shembull i gazetarisë së përgjegjshme në Kosovë”

Radio Evropa e Lirë transmeton në gjuhën shqipe prej 8 marsit të vitit 1999.

Si një prej mediave më të besueshme në Kosovë, REL-i ka raportuar si për zhvillimet më të mëdha gjatë procesit të shtetndërtimit, ashtu edhe për grupet e margjinalizuara.

Shërbimi për Kosovën ka evoluar në hap me gazetarinë. Përveç emisioneve në radio, ekipi i REL-it njihet sot për hulumtimet, video-prodhimin, infografikat, nxitjen e transparencës dhe të llogaridhënies.

Sipas një ankete të përpiluar nga rrjeti global Gallup, më 2023, 90 për qind e kosovarëve e konsiderojnë REL-in burim të besueshëm të informacionit, ndërsa 79 për qind e të anketuarve besojnë se REL-i ua rrit njohuritë për lajmet.

Pas njoftimit për mundësinë e mbylljes së Radios Evropa e Lirë, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë e përshkroi REL-in si “fener të raportimit të lirë dhe të paanshëm”, dhe konfirmoi se Bashkimi Evropian po shqyrton mënyra për ta mbështetur atë.

Zyra e BE-së në Kosovë tha se nga ndalja e punës së REL-it do të përfitonin “vetëm ata që përhapin narrativë përçarës”.

Për eksperten kosovare të medias, Flutura Kusari, ndërprerja e fondeve për REL-in paraqet një goditje serioze mbi informimin publik, dhe “Radio Evropa e Lirë është shembull i gazetarisë së përgjegjshme në Kosovë”.

Transmetimi i parë prej studios së Radios Evropa e Lirë në Munih. Selia qendrore e kompanisë është zhvendosur në Pragë më 1995, me ftesë të presidentit të atëhershëm çek, Vaclav Havel.
Transmetimi i parë prej studios së Radios Evropa e Lirë në Munih. Selia qendrore e kompanisë është zhvendosur në Pragë më 1995, me ftesë të presidentit të atëhershëm çek, Vaclav Havel.

“Të nxitur nga misioni për të vërtetën”

Farid Amin Dehkordi, nga Shërbimi në gjuhën perse i Radios Evropa e Lirë, e quan të ankthshme mbrëmjen e 15 marsit.

“Nuk ishte natë e lehtë”.

Ai tregon se për iranianët, Radio Farda – siç njihet REL-i në Iran – është e rëndësishme sepse është radioja e vetme që nuk mbështetet nga shteti, dhe nga e cila audienca mund të marrë lajme të besueshme.

“Kemi marrë mesazhe nga audienca, duke na thënë: ‘Si mund t’iu ndihmojmë?, ‘Ne jemi rritur me këtë radio’, ‘Nëse mbyllet, nuk e di ku mund të informohem?’”.

Për të dhe për kolegët e tij, REL-i është më shumë se vend pune. Për gazetarët iranianë, puna në REL nënkupton që mund të mos kthehen më kurrë në vendlindje.

“Jemi të nxitur nga misioni për të treguar të vërtetën. Kur unë vetë kam qenë në Iran, gjithmonë e kam kontrolluar faqen e Radios Farda për të parë se cili është lajmi i vërtetë”.

Nataliia Slobodian, producente në Current Time – kanal televiziv i REL-it në gjuhën ruse – ka punuar në redaksinë e Kievit prej vitit 2020, dhe më pas është shpërngulur në Pragë më 2022, pas nisjes së luftës në Ukrainë.

“Lajmi më ka shqetësuar për shkak të pasigurisë në punën time, si dhe për faktin që Radio Evropa e Lirë dhe Current Time janë burime kritike për lajme të pavarura. Humbja e tyre do të ishte humbje e madhe për audiencat në Ukrainë dhe shtetet post-sovjetike”.

Edhe ajo tregon se kanë pranuar mesazhe të shumta nga audienca, dhe thotë se “mbështetja tyre është përkujtim për rëndësinë e gazetarisë së pavarur dhe arsyeja pse vazhdojmë punën”.

Ndër vite, disa gazetarë të REL-it kanë vdekur në detyrë, e disa vazhdojnë të jenë të burgosur nga regjimet shtypëse.

Ndërtesa e gjykatës në Uashington, ku kanë nisur procedurat gjyqësore.
Ndërtesa e gjykatës në Uashington, ku kanë nisur procedurat gjyqësore.

Më 18 mars, Radio Evropa e Lirë nisi një proces gjyqësor në Uashington, meqë vlerëson se agjencia që e mbikëqyr atë, USAGM, nuk ka të drejtë t’ia ndalë fondet të cilat ia ka ndarë Kongresi deri në fund të vitit fiskal në Shtetet e Bashkuara, më 30 shtator.

Deri në marrjen e një vendimi përfundimtar, ne vazhdojmë të motivojmë dhe të përkrahim njëri-tjetrin për të prodhuar gazetari objektive dhe për të raportuar për faktet, ashtu sikurse ditën e parë!

Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).

Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:

Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG