Kthimi i detyrueshëm i Zabet Qasimit në Afganistan, pas pesë vjetëve jetesë në Pakistan, vështirë se është kthim i lumtur në vendlindje.
Koka e familjes 14-anëtarëshe, Qasimi, në moshën 62-vjeçare, duhet ta rindërtojë jetën e familjes në një shtet, i cili ka besuar se e ka lënë mbrapa pasigurinë dhe kushtet e vështira.
“Prej kur jemi kthyer, nuk mund të blejmë as drunj, as asgjë tjetër”, ka thënë Qasimi për Radion Evropa e Lirë, më 7 dhjetor, disa javë pas kthimit në fshatin e tij të lindjes Kulazai në provincën veriore Parvan të Afganistanit.
“Dimri ka ardhur. Fëmijët tanë janë të sëmurë prej të ftohtit”.
Afganistani po përballet me pasojat e fatkeqësive natyrore të muajve të fundit, me shkallë rekorde të papunësisë dhe varfërisë, andaj për disa agjenci ndërkombëtare të ndihmës, ky shtet është kthyer në “emergjencë të përhershme”.
Për më shumë, kthimi i mbi 1 milion refugjatëve sikurse Qasimi, është duke e rritur edhe më shumë shkallën e vështirësive dhe po kërcënon me mbingarkesë në përpjekjet për ndihmë.
Këto javë, numri i afganëve të kthyer prej Pakistanit, do të arrijë shifrën 500.000, ka thënë Këshilli Norvegjez i Refugjatëve në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, dhe që shifra pritet të dyfishohet në ditët dhe javët në vazhdim.
Së fundi, Pakistani ka marrë vendim për dëbim të 1.7 milion afganëve pa dokumente, në kuadër të politikës së prezantuar në tetor për riatdhesim të të “huajve ilegalë”, që jetojnë në tokën e tij.
Vendimi ka rezultuar me skena kaotike në kufijtë Torkham dhe Spin Boldak, teksa afganët kanë marrë rrugë për në Afganistan, ku grupet ndërkombëtare për ndihma veçse janë në hall se si të ofrojnë ndihmë humanitare për miliona njerëz të zhvendosur prej pasigurisë, motit të thatë, dhe tërmeteve.
“Kjo është lëvizje e popullatës në shkallë masive dhe shteti thjesht nuk është në pozitë për t’i menaxhuar këto kthime në mënyrë të sigurt”, ka thënë menaxherja e Këshillit Norvegjez të Refugjatëve, Becky Roby, në disa komente me shkrim.
Situata e rëndë humanitare dhe shqetësimet në rritje për të drejta të njeriut në Afganistan, kanë ndikuar që Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) dhe Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) të lëshojnë deklaratë të përbashkët, më 8 dhjetor, duke i bërë thirrje Pakistanit që të garantojë “një hapësirë për afganët që kanë nevojë për siguri”.
“Njerëzit që po arrijnë në kufi janë të dërmuar dhe kanë nevojë për ndihmë urgjente, si dhe mbështetje psiko-sociale”, është thënë në deklaratë.
“Kthimet në Afganistan janë duke përkeqësuar krizën humanitare, teksa temperaturat e dimrit nisin të ulen në -4 gradë Celsius në disa zona. Shumë afganë të kthyer janë të cenueshëm, përfshirë gra dhe fëmijë, të cilët mund të humbin jetën në dimrin e ashpër, nëse nuk gjejnë strehim adekuat”.
Shumë organizata ndërkombëtare u janë përgjigjur thirrjeve të IOM-it për të dërguar ndihma për afganët në kufi, disa prej të cilëve janë nisur drejt vendlindjes vetëm me rroba të trupit.
Mirëpo ofrimi i strehimit, kujdesit shëndetësor, pajisjeve shtëpiake, parave të gatshme, transportit dhe ushqimit, për t’i përgatitur për jetën në Afganistan, është vetëm hapi i parë.
Sapo të hyjnë në Afganistan, ata përballen me sfida tjera.
Një pjesë e madhe e tyre strehohen në kampe të mëdha, afër kufirit të gjatë të Afganistanit me Pakistanin, me arsyetimin se nuk kanë ku të shkojnë.
Disa afganë kanë thënë se kanë kërkuar ndihmë prej rrethit të gjerë familjar, mirëpo askush nuk ka mundur t’iu gjejë strehim.
Për disa të tjerë, kthimi në Afganistan u ndez alarm të kuq në kokë, edhe për faktin se rajonet ku i kanë pasur shtëpitë kanë qenë shumë të varfra, të pasigurta, dhe tani ekziston regjim i ri, i vendosur prej talibanëve, pas kthimit të këtij grupi ekstremist në pushtet, në gusht të vitit 2021.
Në shumë raste “shtëpia”, nuk është aspak vend i sigurt, aspak shtëpi për ta.
“Shumë prej njerëzve të kthyer nuk kanë jetuar në Afganistan me dekada, prandaj edhe kanë pak, ose aspak, lidhje me vendin e origjinës”, ka thënë Roby.
“Në shumë raste, fëmijët kanë lindur në Pakistan dhe as nuk flasin gjuhë tjetër. Në disa raste, ata janë larguar prej vendlindjes, sepse shtëpitë e tyre janë shkatërruar gjatë luftimeve”.
Sikurse Qasimi, edhe 35-vjeçari, Mirzai është kthyer në provincën Parvan. Dhe sikurse Qasimi, kthimi për të është i vështirë.
“Nuk kemi miell, nuk kemi as drunj për të djegur, nuk kemi me çka të jetojmë”, ka thënë Mirzai për Radion Azadi.
“Kjo shtëpi është e vëllait tim. Nuk kam para për t’i ndërtuar dy dhoma për mua. Nuk ka punë. Huazoj para prej miqve dhe familjarëve”.
Për ta rënduar edhe më shumë situatën, pjesa perëndimore e Afganistanit vuan ende prej pasojave të disa tërmeteve që janë regjistruar në muajin tetor.
Si pasojë e tyre janë vrarë rreth 1.500 njerëz dhe janë zhvendosur dhjetëra mijëra tjerë, situatë që pothuajse i ka bllokuar përpjekjet për ndihmë.
“Frika jonë është që në periudhë afatgjatë, njerëzit që janë kthyer prej Pakistanit, do të përfundojnë duke jetuar si persona të zhvendosur brenda vendit të vet”, ka thënë Roby.
“Tashmë janë mbi 6 milionë njerëz të zhvendosur, të cilët jetojnë në vendbanime të përkohshme, dhe kanë pak mundësi për zgjidhje të qëndrueshme”.
Grupet e ndihmës, sikurse Programi Botëror i Ushqimit, që ka prezencë në të dyja anët e kufirit pakistanezo-afgan, bashkë me agjenci tjera të OKB-së, ka thënë se ekziston nevoja për më shumë se 26 milionë dollarë për të menaxhuar shkuarjen e rreth 1 milion afganëve në vendlindje, gjatë periudhës së dimrit.
“Këto familje arrijnë në kohët më të vështira dhe përballen me të ardhme të zymtë, në një shtet ku një e treta e banorëve nuk e di kur do ta ketë shujtën e radhës”, ka thënë drejtorja e Programit Botëror të Ushqimit për shtetin e Afganistanit, Hsiao-Wei Lee, më 1 dhjetor.
“Duke i lënë mbrapa shtëpitë dhe lagjet e tyre, ata kthehen për ta nisur një jetë të re nga fillimi, në një vend me pak mundësi ekonomike, dhe me shumë sfida”.
Afganët e kthyer, disa prej të cilëve kanë folur për Radion Evropa e Lirë, janë duke menduar për hapat e radhës, përfshirë largimin në ndonjë vend tjetër.
Mirëpo meqë Pakistani – vend që për dekada ka qenë strehim për afganët që kanë ikur prej luftës, trazirave politike dhe varfërisë – është jashtë ekuacionit, ata kanë pak mundësi reale.
Disa kanë thënë se mendojnë të shkojnë në Iran, vend që sikurse Pakistani, synon të dëbojë mbi 2 milionë afganë pa dokumente.
Sipas autoriteteve të talibanëve, Teherani ka dëbuar qindra mijëra afganë në muajt e fundit.
E gjithë situata e krijuar, e ka shtyrë Këshillin Norvegjez për Refugjatë që t’i bëjë thirrje komunitetit ndërkombëtar të punojë së bashku “për të garantuar që afganët nuk do të detyrohen të largohen prej vendeve nikoqire, derisa kthimi në Afganistani të bëhet hap i sigurt”.
Afganët, sikurse Qasimi, kanë pak shpresa për realitetin e ri.
“Nuk e kemi askënd përveç Zotit. Askush nuk është kujdesur për ne”, ka thënë ai.