Ndërlidhjet

Garcia Tufro: Kriza në Venezuelë ndan botën


Përkrahësit e presidentit të vetëshpallur Juan Guaido
Përkrahësit e presidentit të vetëshpallur Juan Guaido

Paula Garcia Tufro, zëvendësdrejtore e Qendrës për Amerikën Latine "Adrienne Arsht", thotë në një intervistë për magazinën Expose të Radios Evropa e Lirë se kriza në Venezuelë e ka ndarë botën në dysh: disa shtete e mbështesin presidentin e vetëshpallur, Juan Guaido, të tjerat i mbeten besnike presidentit të sfiduar, Nicolas Maduro. Sipas saj, shumica e këtyre shteteve i kanë edhe interesat e tyre. Tufro thotë se kërcënimi i SHBA-së për ndërhyrje ushtarake e shton presionin dhe krijon rrezik për popullin e Venezuelës.

Radio Evropa e Lirë: Si është përshkallëzuar stituata politike në Venezuelë?

Paula Garcia Tufro: Kemi parë një numër zhvillimesh në ditët e fundit, përfshirë vetëshpallejn e Juan Guaidos - kryetarit aktual të Asamblesë Kombëtare - president i përkohshëm i Venezuelës. Ai e ka bërë këtë në kontekst të Kushtetutës, e cila thotë se kur nuk ka një president legjitim të vendit, presidenti i Asamblesë e merr atë rol me kapacitet të përkohshëm.

Deri te kjo ka ardhur pasi zgjedhjet e majit 2018 janë cilësuar gjerësisht si jolegjitime. Situata pastaj është përshkallëzuar rreth datës 10 janar, kur presidenti Nicolas Maduro është dashur të nisë mandatin e dytë. Meqë zgjedhjet janë parë si jolegjitime, ashtu është parë edhe Maduro. Kjo ka bërë që Guaido të thirret në Kushtetutë, përkatësisht në Nenin 2/33 të Kushtetutës.

Radio Evropa e Lirë: Përse ka krizë humanitare në këtë vend?

Paula Garcia Tufro: Kriza humanitare, për fat të keq, ekziston që një kohë. Ajo është nxitur nga një rënie dramatike e ekonomisë në Venezuelë, e cila është rezultat i keqmenaxhimit nga ana e Maduros dhe e regjimit të tij. Kemi parë se si burimi kryesor i të ardhurave, që është nafta, ka rënë gjatë dekadës së kaluar, sidomos gjatë disa viteve të fundit. Një gjë e tillë ka pasur ndikim të madh në ekonomi dhe kësaj i është shtuar edhe korrupsioni i përhapur në qeveri, te forcat e armatosura dhe te sektori i naftës. Kemi parë prova të konsiderueshme të korrupsionit edhe përmes trafikimit të narkotikëve.

Të gjitha këto kanë bërë që të mos investohet në popullin e Venezuelës. Kjo ka rezultuar më pas me krizë humanitare, që ka detyruar deri më tash 3.3 milionë njerëz të ikin nga Venezuela. Parashikimet janë që deri në fund të vitit 2019, edhe dy milionë njerëz të ikin. Dhe, këto parashikime bazohen në gjendjen e tanishme. Nëse kushtet përkeqësohen, presim që këto shifra të rriten.

Radio Evropa e Lirë: Përse ushtria e mbështet presidentin Maduro?

Paula Garcia Tufro: Ushtria për kohë të gjatë e mbështet Maduron. Kjo, edhe për shkak të sistemit të korruptuar. Për aq kohë sa përfaqësuesit e lartë ushtarakë mund të përfitojnë nga aktet e korrupsionit, ai do ta ketë mbështetjen e forcave të armatosura. Tani shtrohet pyetja se sa do të ishte e qëndrueshme kjo mbështetje në një skenar kur Maduro nuk do të mund t’iu ofronte përkrahje të tillë financiare forcave të armatosura. Sanksionet që kanë ndërmarrë Shtetet e Bashkuara, do të kenë ndikim të konsiderueshëm në të ardhurat që gjeneron sektori i naftës. Pra, çfarë do të bëjnë forcat e armatosura kur të mos kenë mbështetje financiare nga regjimi i Maduros?!

*Exposé: Kaosi në Venezuelë

Kaosi në Venezuelë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:11:13 0:00

Radio Evropa e Lirë: Situata - e tillë siç është tani - a pritet të çojë në rikthimin paqësor të demokracisë apo në më shumë dhunë?

Paula Garcia Tufro: Unë shpresoj të ketë zgjidhje paqësore. Është në interesin më të mirë të secilit. Është e rëndësishme që opozita të mbetet lëvizje paqësore, ashtu siç ka qenë deri më tash, dhe që forcat e armatosura, të cilat janë në krah të Maduros, të ushtrojnë vetëpërmbajtje. Ka potencial për dhunë, por unë shpresoj që kjo të mos materializohet. Presidenti i vetëshpallur Guaido u ka bërë thirrje forcave të armatosura që të mos i marrin armët kundër popullit të Venezuelës. Opozita po ashtu ka propozuar dhe votuar një ligj të amnistisë për ushtarakët që duan të braktisin aleancën me Maduron dhe të ndërmarrin hapa drejt një zgjidhjeje paqësore dhe demokratike për Venezuelën.

Radio Evropa e Lirë: Po si e komentoni kërcënimin e SHBA-së për ndërhyrje ushtarake në Venezuelë?

Paula Garcia Tufro: Mendoj se retorika për ndërhyrje ushtarake, që kemi dëgjuar kohët e fundit, nuk është e dobishme. Ajo e shton presionin dhe krijon rrezik për popullin e Venezuelës. Por, pavarësisht retorikës, politika dhe presioni i SHBA-së deri më tash janë përqendruar në sanksione ekonomike kundër regjimit. Shpresoj të vazhdojë kështu. Por, bota po vëzhgon atë që po bën regjimi i Maduros dhe forcat e armatosura, nëse ato do të mund të garantojnë paqe dhe siguri në Venezuelë. Ekziston frika se, nëse ka kalkulime të gabuara, mund të ketë edhe reagime të fuqishme, jo domosdoshmërisht ushtarake, por sigurisht thirrjet për qëndrime më agresive, do të rriten.

Radio Evropa e Lirë: Si reflektohet brenda Venezuelës radhitja e disave përkrah Maduros, ndërsa e të tjerëve në anën e Guaidos?

Paula Garcia Tufro: Ajo që kemi parë te komuniteti ndërkombëtar, siç e thatë edhe ju, është një ndarje e madhe ideologjike. Rusia, Kina, Siria, Turqia, Nikaragua, Bolivia kanë dalë në mbështetje të Maduros. Shumë prej tyre kanë marrë pjesë edhe në betimin e tij. Pra, atij nuk i mungon mbështetja, por pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar është radhitur përkrah Asamblesë Kombëtare dhe popullit të Venezuelës dhe ka dënuar regjimin e Maduros për veprimet e tij gjatë viteve të fundit, ndërsa zgjedhjet e vitit të kaluar i ka cilësuar si jolegjitime.

Pra, shohim një ndarje të globit, por shumica e vendeve i kanë edhe interesat e tyre. Rusia dhe Kina, për kohë të gjatë, kanë qenë mbështetëse financiare të regjimit të Maduros, ata kanë lidhje të mëdha financiare. Kemi parë po ashtu rritje të lidhjeve financiare me Turqinë. Turqia është bërë importuesja numër një e burimeve të arit të Venezuelës. Për ta bërë më të qartë: shitjet e arit të Venezuelës kanë kapur vlerën prej 900 milionë dollarësh vetëm në periudhën janar-shtator të vitit të kaluar. Pra, e keni parasysh shumën e parave që e mbështesin regjimin e Maduros.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG