Ndërlidhjet

Mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje duke festuar në Prishtinë.
Mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje duke festuar në Prishtinë.

Fitore bindëse e Vetëvendosjes

Kosova mbajti më 14 shkurt zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

  • Për zgjedhjet e 14 shkurtit, të drejtë vote kanë pasur 1,794,862 persona.
  • Qytetarët kanë mundur të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2,382 vendvotime, nga ora 07:00 deri në 19:00.
  • Pjesë e garës në këto zgjedhje kanë qenë 28 subjekte politike me mbi 1,000 kandidatë për deputetë, të cilët kanë garuar për 120 ulëset e Kuvendit të Kosovës.
  • Këto zgjedhje janë rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila më 21 dhjetor, 2020, e ka rrëzuar Qeverinë e Avdullah Hotit, të zgjedhur më 3 qershor.
  • Gjykata ka thënë se kjo qeveri ishte kundërkushtetuese, pasi vota e deputetit Etem Arifi, i dënuar me burgim prej një viti e tre muajsh, ishte përcaktuese për qeverinë.
  • Vendimi i Kushtetueses ka përcaktuar po ashtu se personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë në një periudhë trevjeçare, të mos mund të garojnë në zgjedhje. Ky vendim ka prekur kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe disa kandidatë të tjerë për deputetë edhe nga parti të tjera.
  • Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar 43,477 pako me fletëvotime, që janë dërguar me postë nga qytetarët e Kosovës, të cilët jetojnë jashtë vendit.
  • Këtë proces zgjedhor e kanë përcjellë nga afër rreth 30 mijë vëzhgues të akredituar.
11:00 14.2.2021

Përshëndetje lexues të dashur,

Po e nisim tani mbulimin e një dite të gjatë në Kosovë.

Përmes këtij blogu do të mund të informoheni në kohë reale lidhur me procesin zgjedhor.

Do të jemi me ju deri në shpalljen e rezultateve preliminare dhe do të ndajmë me ju materiale nga qendra të ndryshme të Kosovës.

I gjithë ekipi i Radios Evropa e Lirë është i angazhuar për këtë ditë.

Na ndiqni këtu, ose në llogaritë tona në rrjetet sociale, në Facebook, Twitter, Instagram apo YouTube.

11:15 14.2.2021

Votim në mot të ftohtë

Procesi i votimit po zhvillohet në mot të ftohtë e me borë. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -11 deri -9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet -5 deri -3 gradë Celsius.

Në orët e hershme të mëngjesit të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar, kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kandidat për kryeministër, më pas kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Enver Hoxhaj, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti dhe disa figura tjera partiake.

11:26 14.2.2021

Votimi për personat me nevoja të veçanta

Shumë shkolla në Prishtinë dhe vende të tjera, nuk kanë shteg të veçantë për persona me nevoja të veçanta. Në Shkollën e Mjekësisë Ali Sokoli në Prishtinë, personeli i qendrës së votimit, është parë duke ndihmuar këta persona që të ngjiten në katin e dytë të shkollës për të votuar.

11:40 14.2.2021

Deri në orën 11:00 kanë votuar 8.30 për qind e qytetarëve

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka njoftuar se deri në orën 11:00 në gjithë territorin e Kosovës kanë votuar 8.30 për qind apo 145,650 qytetarë të Kosovës.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se procesi i votimit është duke u zhvilluar normalisht dhe se nuk ka raportime për incidente që mund të dëmtojnë procesin zgjedhor.

Daka ka thënë se në periudhën e njëjtë kohore, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, kanë votuar 9.64 për qind e qytetarëve me të drejtë vote apo 174,669 persona.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG