Në Kosovë dhe në Serbi ka mjaft persona, të cilët janë strehuar për t’iu shmangur ndjekjeve penale ose dënimeve për vepra penale, të cilat i kanë kryer ne vendet përkatëse, thonë Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi dhe Bojana Pavlloviq nga Rrjeti për hulumtim të kriminalitetit dhe korrupsionit në Serbi – KRIK.
Një fakt të tillë e ka konfirmuar edhe Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës, por ajo nuk ka evidenca të personave që janë në Kosovë dhe që i janë shmangur ndjekjes penale apo vuajtjes së dënimit në shtetet ku i kanë kryer veprat penale.
Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra tjetrën dhe për rrjedhojë, sipas tyre, mungon edhe bashkëpunimi i ndërsjellë gjyqësor dhe personat që ndiqen penalisht, ose për vuajtje të dënimit për vepra penale në Kosovë, strehohen në Serbi dhe anasjelltas.
MD: Personat që fshihen në Kosovë dhe nga Kosova
Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës, në një përgjigje me shkrim ndaj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se a ka në Kosovë persona te ndjekur penalisht nga vendet e tjera dhe te cilët janë fshehur ose strehuar në Kosovë, për t'i ikur ligjit në vendet përkatëse, ka thënë se "ka mjaft të tillë".
“Po, ka shumë të tillë, madje për vepra të rënda penale, por numrin e saktë të tyre Ministria e Drejtësisë nuk e posedon. Sidoqoftë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka statistika dhe informacion për këtë çështje si dhe identitetin e tyre”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Poashtu kjo ministri ka konfirmuar se ka edhe mjaft persona të Kosovës, të cilët i janë shmangur ndjekjes penale dhe vuajtjes së dënimit për veprat penale në vend dhe që janë strehuar në shtete të ndryshme të botës.
“Po ka raste të tilla, por Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës nuk e din vendndodhjen e tyre, pasi që nëse ka informata të sigurta për vendin ku gjenden, të njëjtat ja transmeton prokurorit ose gjyqtarit të çështjes dhe e njofton për mënyrën e procedimit me rastin. Sidoqoftë, për zbulimin e vendit ku qëndrojnë, është kompetente Policia e Kosovës, pasi kjo është çështje operacionale”, ka thënë Ministria e Drejtësisë.
Miftaraj: Qytetarë të Kosovë fshihen në Serbi dhe në vende të tjera
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë që qytetarë të shteteve të huaja, të cilët nuk kanë marrëdhënie diplomatike me Kosovën, ose që nuk hezitojnë të kenë bashkëpunim juridik ndërkombëtar me Kosovën, e përdorin këtë fakt që të shfrytëzojnë Kosovën, si parajsë për t’i ikur apo për t’i bishtnuar qoftë procedurave gjyqësore, qoftë vuajtjes së dënimit në shtet ku janë të dënuara.
Në këtë kontekst, sipas tij, Kosova dhe Serbia nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe siç thotë ai, Serbia ka hezituar në vazhdimësi për të ngritur nivelin e bashkëpunimit gjyqësor ndërmjet dy shteteve, për t’i realizuar dhe ekzekutuar kërkesat që kanë të bëjnë me bashkëpunim gjyqësor në çështjet penale, qoftë për të ekstraduar persona që kërkohen në Kosovë, e të cilët fshihen në Serbi. Kjo sipas tij ndodhë edhe anasjelltas.
“Kemi raste kur qytetarë të Kosovës fshihen në Serbi, por edhe shfrytëzojnë shtete, me të cilat Kosova nuk ka kurrfarë bashkëpunimi dhe jo rrallë herë, mund të themi që shfrytëzohet apo përdoret edhe vet Spanja, ku e kemi të paktën një qytetar të Republikës së Kosovës, i cili ka kryer vrasje në Kosovë dhe i njëjti ka ikur në Spanjë dhe kjo e fundit nuk e ka njohur apo nuk e ka ekzekutuar kërkesën për arrestim të përkohshëm apo edhe për ekstradim. Ky ka qenë rasti i bashkëshortit të Diana Kastratit (Adnan Jashari), i cili fillimisht ka ikur për në Spanjë dhe ajo nuk ka ofruar bashkëpunim me autoritetet në Kosovë”, tha Miftaraj.
Ai ka shtuar se vendet evropiane që hezitojnë të kenë bashkëpunim gjyqësor ndërkombëtar janë kryesisht, Serbia, Spanja, Qipro, Rumania, Sllokavia, ndonëse sipas tij, kjo e fundit i ka thyer barrierat dhe në një rast ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës, që të ekstradojnë një person të kërkuar nga ky shtet për trafikim të drogës dhe i cili ishte strehuar në Kosovë. Në këto vende, sipas tij ka persona të caktuar që fshihen nga ndjekja e autoriteteve të ndjekjes së Kosovës.
Pavlloviq: Afaristët e ndjekur penalisht janë strehuar në Serbi
Gazetarja e Rrjetit për hulumtim të kriminalitetit dhe korrupsionit (KRIK), Bojana Pavlloviq, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë vlerëson se Kosova dhe Serbia janë “vende të sigurta” për njerëzit që ndiqen penalisht, ose që tashmë janë dënuar për ndonjë vepër penale.
“Kemi qenë dëshmitarë që shumë njerëz ishin arrestuar në Kosovë për vepra penale, për të cilat janë kërkuar në Serbi dhe anasjelltas”, tha Pavlloviq, duke shtuar se KRIK është marrë me çështjet e Zvonko Vesellinoviqit dhe Millan Radojçiqit, “të cilët këtu te ne (Serbi) tashmë janë afaristë të njohur, që janë në punë me shtetin, ndërkaq që kundër tyre janë ngritur procedura të shumta penale”.
Millan Radoiçiq është afarist nga veriu i Kosovës dhe nënkryetar i Listës Serbe, të cilin autoritetet e Kosovës e ndërlidhin me vrasjen e politikanit serb Olliver Ivanoviq, në janar të vitit 2018. Ndaj tij ishte shpallur fletëarresti në vitin 2019, por ai gjendej në Serbi dhe nuk mund të procedohej.
Ndërkohë, fletëarresti për Millan Radoiçiqin është tërhequr, pa ndonjë sqarim, në mars të vitit 2021.
Ndaj Millan Radoiçiqit, në vitin 2011 ishte ngritur akuza edhe në Serbi, për shkak të përvetësimit të 32 kamionëve të Hipo Alpe Adria Lizing. Me këtë akuzë ishte përfshirë edhe afaristi nga veriu i Kosovës, Zvonko Vesellinoviq, por që të dy janë janë liruar nga akuzat me vendim të plotfuqishëm, në vitin 2016.
Edhe Zvonko Vesellinoviq, në Kosovë, ndërlidhet me vrasjet e Olliver Ivanoviqit.
“Konsensusi dhe mbrojtja për njerëzit e caktuar”
Bojana Pavlloviqë nga KRIK, konsideron që organet e gjyqësorit të Kosovës “nuk kanë vullnet të mjaftueshëm që ata dy (Millan Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin) t’i arrestojnë dhe t’i vazhdojnë procedurat penale kundër tyre.
“Ajo çfarë di është se Millan Radoiçiq, në muajt e fundit, gjendej në Kosovë, por marrë parasysh që ndaj tij është tërhequr fletëarresti, statusi i tij në lëndën Oliver Ivanoviq është krejtësisht i pasigurt dhe i paqartë. Në anën tjetër, kundër Zvonko Vesellinoviqit vazhdon procedura penale, ndërkaq që ai ka shkuar se atje (në Kosovë) disa herë dhe asgjë nuk ka ndodhur”, tha Pavlloviq.
Ajo vlerëson që përveç faktit që Kosova dhe Serbia nuk bashkëpunojnë, “ekziston konsensusi dhe mbrojtja për disa njerëz të caktuar”.
Ekziston edhe shembulli i Radomir Llabanit, i cili në Kosovë është që nga viti 2011, kur autoritetet kompetente në Serbi e kërkuan, sepse ai ishte dënuar me gjashtë vjet burg në atë vend për pranimin dhe dhënien e ryshfetit, duke keqpërdorur pozitën e tij zyrtare dhe falsifikimin e dokumenteve.
Që nga viti 2018, Llaban ka qenë gjithashtu gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ai ishte një nga kandidatët me numrin më të madh të pikëve dhe kishte mbështetjen e Listës Serbe.
Për Bojana Pavlloviqin nga KRIK-u, është “e pabesueshme” që Llaban u zgjodh gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, përderisa në Serbi është i dënuar. Ajo thekson se në fakt kontaktet e tij të ngushta, çuan në zgjedhjen e tij në atë pozitë.
“Kjo nuk është për habi, por është e pabesueshme se si para qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës, kompetentët tanë po kanë sukses që t’i arsyetojnë veprimet e këtilla”, theksoi Pavlloviq.
Ministria e Drejtësisë “nuk mund të flasë për raste konkrete”
Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës nëse ka pasur eventualisht ndonjë kërkesë të drejtpërdrejtë ose tjetër nga ana e Serbisë ndaj Kosovës për dorëzimin e Radomir Llabanit tek autoritetet serbe.
Sipas kësaj ministrie, “në të kaluarën ka pasur shtetas serb (të cilët nuk e kanë pasur edhe shtetësinë e Kosovës), që janë arrestuar në Kosovë, sipas urdhër-kërkimit ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol Serbia, për vepra të rënda penale”, mirëpo të njëjtit janë dëbuar nga territori i Kosovës, “pasi që organet kompetente kanë konstatuar se të njëjtit kanë qëndruar në Republikën e Kosovës në kundërshtim me ligjin, andaj nuk ka pasur nevojë për dërgim të kërkesës për ekstradim”.
“Për shkak të konfidencialitetit të kërkesave, Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës nuk mund të flas për raste konkrete, por mund të ju njoftoj se sipas nenit 35, paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shtetasit e Republikës së Kosovës nuk mund të ekstradohen nga Kosova kundër vullnetit të tyre, me përjashtim të rasteve kur me ligj dhe marrëveshjet ndërkombëtare është përcaktuar ndryshe”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Ajo ka shtuar se Kosova ka marrëveshjet ndërkombëtare për ekstradim me Republikën e Shqipërisë dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Pra, në asnjë shtet tjetër përveç dy të sipërcituarave shtetasit kosovar (edhe nëse ka shtetësi te Kosovës dhe të një shteti tjetër), nuk mund të ekstradohen kundër vullnetit të tyre”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së drejtësisë për Radion Evropa e Lirë.
Shtyhet dënimi me burg i Todosijeviçit, sepse ai është “jashtë vendit”
Të mërkurën, më 6 tetor, Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se është pranuar kërkesa e avokatit Nebojsha Vlajiq për të zgjatur afatin për mbajtjen e dënimit me burg për Ivan Todosijeviqin, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, me arsyetimin “sepse gjendet jashtë vendit”.
Lista serbe është parti udhëheqëse e serbëve të Kosovës, e cila është formuar në vitin 2013, me mbështetjen e Beogradit zyrtar, ndërkaq që Todosijeviq, përveç se është deputet në Kuvendin e Kosovës, ai kryen edhe funksionin e Organit të përkohshëm komunal të Zveçanit, në veri të Kosovës, i cili funksionon sipas sistemit të Serbisë dhe konsiderohet si strukturë paralele nga autoritetet e Kosovës.
Kur ishte dashur që Todosijeviq të fillonte me vuajtjen e dënimit me burg?
Më 24 gusht, Todosijeviq u dënua me dy vjet burg për shkak të deklaratës së tij, përmes të cilës mohoi masakrën ndaj shqiptarëve në Reçak, në vitin 1999, të cilën e kryen forcat serbe. Todosijeviq është dashur që më 6 tetor të lajmërohej për të vuajtur dënimin.
Por, avokati i tij Nebojsha Vlajiq tani deklaron se Todosijeviq nuk ka marrë fare ftesë për ta vuajtur këtë dënim edhe pse drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, më 24 shtator, konfirmoi të kundërtën.
“Ftesa për Ivan Todosijeviqin që të lajmërohet, është dërguar më 6 tetor, dhjetë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Prishtinë. A e shihni se çfarë po provon të bëj Albin Kurti (kryeministër i Kosovës), për një grusht votash, nxitë krizë në veri të Kosovës, po përpiqet që ta arrestojë Ivan Todosijeviqin”, ka thënë Petkoviq.
Ku gjendet Ivan Todosijeviq?
Autoritetet serbe, në krye me presidentin Alleksandar Vuçiq, konsiderojnë që Todosijeviq “është dënuar padrejtësisht vetëm pse e ka thënë të vërtetën”.
Më 25 gusht, Vuçiqi, në një video-regjistrim të publikuar në profilin e Instagramit “budućnostsrbije” (ardhmëria e Serbisë), ka vlerësuar që Todosijeviqin “e kanë dënuar gjyqtarët shqiptarë, ndonëse sipas Marrëveshjes së Brukselit, kanë qenë të detyruar që t’a gjykojnë dy gjyqtarë serbë dhe një shqiptar”.
Asokohe ai u pati bërë thirrje serbëve të Kosovës që të jenë të bashkuar për dhe rreth Todosijeviqit, “ashtu siç ne në Serbinë qendrore do të jemi pranë tij, familjes së tij dhe pranë gjithë popullit serb në Kosovë”, kishte porositur presidenti i Serbisë.
Avokati nuk ka dashur t’i përgjigjet pyetjes së Radios Evropa e Lirë, në lidhje me vendndodhjen e klientit të tij, do të thotë, nëse ai është në Kosovë apo Serbi.
“Nuk mund t’ju them këtë, mos më pyetni fare diçka të tillë”, ka thënë Vllajiq.
Nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kanë thënë se nuk mund të flasin lidhur me atë se cilat do të jenë pasojat ndaj Todosijeviqit, në qoftë se ai nuk lajmërohet fare për vuajtjen e dënimit, sepse “në rastin konkret, do të mund të hidhej poshtë procedura për ekzekutimin e dënimit penal”.
Për çfarë saktësisht është dënuar Todosijeviq?
Ivan Todosijeviç u dënua për shkak të deklaratës se “shkasi për agresionin kundër vendit tonë ishte e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë, Reçaku i trilluar”.
Në mars të vitit 2019, në Zveçan, në përkujtimin e 20 vjetorit të bombardimit të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, ai tha se “ishin këta terroristë shiptari (term pezhorativ për shqiptarët) ata që e shpikën gjithë këtë, që kryen krimet më të mëdha në Kosovë, për të cilat, deri më sot, askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, ata vranë nikoqirë dhe policë të mirë serbë në vendin e tyre të punës. Festën e tyre të përgjakshme e vazhduan gjatë agresionit dhe pas mbërritjes së të ashtuquajturit Mision paqeruajtës në Kosovë”.
NATO-ja kishte nisur aksionin e sulmeve ajrore ndaj ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, me qëllim të parandalimit të dhunës nga ushtria, policia dhe forcat paraushtarake serbe kundër shqiptarëve në Kosovë. Kësaj i kishte paraprirë masakra e 45 shqiptarëve në fshatin Reçak të komunës së Shtimes.
Edhe vendet njohëse të Kosovës hezitojnë për bashkëpunim juridik
Por, për të shmangur vuajtjet e dënimeve të shqiptuara nga gjykatat në Kosovë, siç thotë Miftaraj, ka raste që persona të caktuar janë larguar nga vendi dhe kanë qëndruar në vende, të cilat e njohin shtetin e Kosovës, por që nuk kanë bashkëpunim të ndërsjellë gjyqësor ndërkombëtar. I tillë ishte edhe rasti, sipas tij, me ish-kryetarin e komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, i cili në vitin 2011 ishte dënuar me tre vjet burg, për veprën penale detyrim për armëmbajtje pa leje.
“Xhabir Zharku ishte një rast tjetër, për arsye se ai e kishte shfrytëzuar shtetësinë suedeze. Edhe përkundër faktit që Kosova kishte bërë marrëveshje të vazhdueshme për të lidhë marrëveshje për ekstradim – jo vetëm për zotin Zharku, por për një marrëveshje të përgjithshme për ekstradim – Suedia është një nga shtetet, e cila heziton t’i ekstradojë shtetasit e vet. Kështu që Zharku, në njëfarë mënyre, është fshehur në Suedi për një kohë të gjatë, derisa i është bërë parashkrimi i ekzekutimit të dënimit. Ai i ka bishtnuar drejtësisë dhe pas parashkrimit të dënimit ai ka ardhur në Kosovë”, ka theksuar Miftaraj.
Ministria e Drejtësisë ka thënë se Kosova ka rreth 28 marrëveshje në fuqi për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale, “ndërsa kur nuk ka marrëveshje në fuqi, bashkëpunimi bëhet mbi bazën e parimit të reciprocitetit”. Ky bashkëpunim sipas kësaj ministrie është i shkëlqyeshëm, madje edhe me shtete që nuk e kanë njohur Kosovën.
Facebook Forum