Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

Refuzohet votimi i fshehtë për kryeparlamentar, Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e nëntë

Deputetët dështuan për të nëntën herë radhazi në përpjekjen e tyre për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Më 1 maj, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kërkoi që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë, gjë që u refuzua nga partitë e tjera.

Procesi ka ngecur prej javësh pasi partia fituese, LVV, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Ajo shihet nga disa parti parlamentare si "figurë përçarëse", por Vetëvendosje ngul këmbë se ajo është kandidate meritore.

09:37

Përfundon takimi mes Kurtit dhe Krasniqit

Ekipi i Radios Evropa e Lirë në Kuvendin e Kosovës njofton se para pak çastesh ka përfunduar takimi mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Takimi para përpjekjes së radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka zgjatur plot një orë.

09:42

Krasniqi: Kurtit i thashë të mendojë për kandidatë të tjerë për kryeparlamentar

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka folur para mediave pas takimit që ka zhvilluar me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Kemi shkëmbyer ide dhe diskutime sa i përket konstitutimit të Kuvendit. Qëndrimet e Partisë Demokratike dhe të mijat janë ato që i dini”, ka thënë Krasniqi.

“Atë që e kam thënë pas çdo dështimi të seancës, ia kam thënë z. Kurti përsëri”, është shprehur ai.

“Për PDK-në është me rëndësi të zhbllokohet kjo situatë, të konstituohet Kuvendi”, ka thënë Krasniqi.

Kreu i PDK-së ka bërë të ditur se Kurtit i ka sugjeruar “të mendojë për kandidat apo kandidatura të tjera” për kryetar të Kuvendit.

“Ne nuk kemi pasur qëndrim mohues apo bllokues. Nuk na takon neve t’ia zgjedhim kandidatin për kryetar të Kuvendit partisë së parë. S’kemi marrëveshje politike”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se partia e tij është e gatshme të votojë “një figurë që mund të jetë e pranueshme”.

“Nënkryetarët as që diskutohen, as që lidhen me diskutimin për kryetar”, ka theksuar ai.

Krasniqi nuk ka pranuar të tregojë se çfarë i ka thënë Kurti në përgjigje.

Sipas Krasniqit, nëse Kurti do që ta zhbllokojë situatën, duhet ta ndërrojë sot emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.

Memli Krasniqi. Kuvendi i Kosovës, 1 maj 2025.
Memli Krasniqi. Kuvendi i Kosovës, 1 maj 2025.
10:01

Haziri: LVV-ja nuk ka vullnet politik për zgjidhjen e problemit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se mosshkuarja e kryetarit të partisë së tij në takimin e ftuar nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, “nuk është refuzim i dialogut”.

“Nuk ka nevojë për takim për procedura”, është shprehur Haziri para gazetarëve.

“Nuk shkohet në takim për të drejtën e fituar. Partia e parë duhet të realizojë marrëveshje politike”, ka thënë ai.

“Po të ishte LDK-ja në këtë pozitë, ne para pesë javësh do ta kishim mbyllur” konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, ka thënë Haziri.

Sipas tij, LVV-ja “nuk ka vullnet politik për zgjidhjen e problemit”.

“Të bësh takime sa për t’u takuar... LDK-ja kështu nuk funksionon. Ne shkojmë në takim vetëm kur duhet të kryhet punë”, është shprehur ai.

Lutfi Haziri pranë deputetëve të tjerë të LDK-së. Fotografi nga arkivi.
Lutfi Haziri pranë deputetëve të tjerë të LDK-së. Fotografi nga arkivi.
10:12

Limaj: Konstituimi i Kuvendit vështirë të bëhet pa marrëveshje politike

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se konstituimi i Kuvendit të Kosovës është “i vështirë të bëhet pa marrëveshje politike koalicioni, që përcakton shumicën parlamentare”.

“Ajo shumicë zgjedh kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë”, është shprehur ai para gazetarëve.

Limaj ka thënë se një “marrëveshje politike duhet të ndërtohet para futjes në Kuvend”.

“Po pres dhe po besoj që kjo shumë shpejt do të ndodhë”, ka deklaruar ai.

Fatmir Limaj në Kuvendin e Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Fatmir Limaj në Kuvendin e Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG