Mirëmëngjesi të nderuar lexues,
Mirë se vini në mbulimin e drejtpërdrejtë të vazhdimit të radhës të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e nisur më 15 prill.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë do t’ju sjellë në kohë reale zhvillimet lidhur me tentimin e nëntë për konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Para vazhdimit të seancës, takim Kurti-Krasniqi
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, i ka thirrur në një takim liderët e dy prej partive më të mëdha parlamentare, Memli Krasniqin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në përpjekje për ta gjetur një mënyrë për konstituimin e vonuar të Kuvendit të Kosovës.
Derisa Krasniqi e pranoi ftesën, LDK-ja tha se nuk e pranon.
Kurti i ka ftuar ata në takim të përbashkët të enjten në orën 8:30, rreth dy orë para se të fillojë vazhdimi i nëntë i seancës konstituive të Kuvendit, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka.
Krasniqi tha se do të shkojë në takim me shpresën se Kurti do të ndryshojë qëndrim në lidhje me propozimin e kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë se “ne nuk marrim pjesë në takim” dhe se kryetari Abdixhiku ndodhet jashtë vendit.
Nis takimi Kurti-Krasniqi
Siç ishte paraparë, takimi mes Albin Kurtit të LVV-së dhe Memli Krasniqit të PDK-së ka nisur në orën 8:30.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë në Kuvendin e Kosovës bën të ditur se Kurti e Krasniqi po takohen sy më sy, të pashoqëruar nga dikush tjetër.
Bajqinovci: Presim zgjedhjen e Haxhiut kryeparlamentare
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mefail Bajqinovci, ka folur para mediave për ftesën e kryetarit të partisë së tij, Albin Kurti, drejtuar kryetarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
"Ka takim me Partinë Demokratike, të presim që legjislativi të zhbllokohet dhe ta kemi kryetarin e Kuvendit, në këtë rast Albulena Haxhiun", është shprehur Bajqinovci, duke lënë të kuptohet se LVV-ja nuk është tërhequr nga qëndrimi për kandidaturën e Haxhiut, të cilën po e kundërshtojnë partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
"Le të zhbllokohet Kuvendi i Kosovës, pastaj ta shohim a i kemi votat për qeverinë", ka shtuar ai.