Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

Refuzohet votimi i fshehtë për kryeparlamentar, Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e nëntë

Deputetët dështuan për të nëntën herë radhazi në përpjekjen e tyre për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Më 1 maj, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kërkoi që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë, gjë që u refuzua nga partitë e tjera.

Procesi ka ngecur prej javësh pasi partia fituese, LVV, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Ajo shihet nga disa parti parlamentare si "figurë përçarëse", por Vetëvendosje ngul këmbë se ajo është kandidate meritore.

11:17

Abdixhiku: Është interes kombëtar refuzimi i qasjes politike të LVV-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shprehur qëndrimin e tij pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Abdixhiku ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për veprim me "arbitraritet të plotë", pas propozimit për ndërrimin e formës së votimit për kryeparlamentarin.

"A po e kuptoni tani, se pse me të tillët, nuk mund të kesh as takim e as mirëkuptim? Të takojnë, të mashtrojnë! Gjersa të thërrasin në takim, jashtë të ofendojnë. Në fund veprojnë në arbitraritet të plotë!", është shprehur ai.

"Sepse nuk njohin njerëzoren, as fjalën as kurrizin! Kjo politikë duhet të marrë fund! LDK do t’i japë fund!", ka shkruar Abdixhiku.

"Është interes kombëtar refuzimi i qasjes së tillë politike, jo nënshtrimi e dorëzimi para saj. Shpresoj dhe partitë tjera ta kuptojnë këtë gjë sa më parë", ka thënë kreu i LDK-së.

"LDK e ka të qartë. Prandaj është konsistente. Para, gjatë e pas zgjedhjeve. Prandaj votuesi e mbështetësi i LDK-së sot rri krenar!", ka përfunduar Abdixhiku.

11:10

LDK: Votimi i fshehtë, hap arbitrar dhe antikushtetues

Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka folur para mediave pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Ajo ka thënë se sot “u bë edhe një shkelje tjetër kushtetuese, ligjore, me arbitraritet u tentua të ndryshohet mënyra e votimit”.

“Rregullorja e Kuvendit përcakton mënyrat e votimit... Kjo përcaktohet në fillim të procesit”, është shprehur ajo.

Bajrami ka thënë se “asnjëherë në histori nuk ka ndodhur të ndryshohet procesi, dhe është shkelje që mënyra e votimit të ndryshohet pasi ka filluar procesi”.

Deputetja e LDK-së ka thënë se partia e saj sot nuk mori pjesë në takimin e ftuar nga kreu i LVV-së, Albin Kurti, pasi “nuk dëshiron të ketë një marrëveshje politike me LVV-në”.

Hykmete Bajrami në hollin e Kuvendit të Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Hykmete Bajrami në hollin e Kuvendit të Kosovës. Fotografi nga arkivi.
11:04

Krasniqi: Nuk kalon Albulena Haxhiu dhe pikë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka folur para mediave pas dështimit të përpjekjes së nëntë për konsistituimin e Kuvendit.

Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e Albin Kurtit “ka vendosur ta vazhdojë talljen”, teksa ka thënë se me propozimin për ndërrim të formës së votimit LVV-ja ka bërë “shkelje të hapur kushtetuese”.

Krasniqi ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij kundër votimit të të propozuarës së LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

“Nuk kalon Albulena Haxhiu dhe pikë”, është shprehur Krasniqi.

Ai ka pyetur se çfarë borxhi i ka Kurti Haxhiut që nuk po ndryshon emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, siç kanë kërkuar partitë tjera.

Krasniqi ka thënë se Kurti po e konsideron më të rëndësishme Haxhiun sesa Kuvendin e Kosovës.

Memli Krasniqi në Kuvendin e Kosovës, më 1 maj 2025.
Memli Krasniqi në Kuvendin e Kosovës, më 1 maj 2025.
10:56

S’ka konstituim të Kuvendit as në përpjekjen e nëntë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës të enjten, në përpjekjen e nëntë, pasi nuk kaloi propozimi i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për votim të fshehtë për kryeparlamentarin.

Ndryshe nga herët e kaluara, nuk u propozua kandidati për kryetar të Kuvendit nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.

Përpjekja e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës do të bëhet të shtunën e 3 majit.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG