Ndërlidhjet

Hekuran Murati. Fotografi nga arkivi.
Hekuran Murati. Fotografi nga arkivi.

Deputetët s’e votojnë Hekuran Muratin për kryekuvendar

• Deputetët sërish dështuan të zgjedhin kryeparlamentarin e ri, pasi Hekuran Murati nga LVV-ja dështoi të merrte 61 votat e nevojshme.

• Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kryeparlamentari zgjidhet me votim të hapur dhe një person mund të kandidohet vetëm deri në tri herë.

• Deputetët kanë afat deri më 18 shtator të zgjedhin kryeparlamentarin dhe nënkryetarët.

12:31 22.8.2025

Të nderuar lexues,

Këtu po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, propozoi Hekuran Muratin për postin e kryeparlamentarit, propozim që nuk mori mbështetjen e 61 deputetëve.

Për të votuan 57 deputetë, 52 ishin kundër dhe gjashtë abstenuan.

LVV-ja fajësoi partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë për bllokim të formimit të institucioneve, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës tha se LVV-ja e propozoi Muratin me qëllim që të zvarritet procesi.

Para seancës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës propozoi që partitë të konsultohen paraprakisht, para se të hidhet një emër për votim.

Ndërkaq, nga Lidhja Demokratike insistuan se pa marrëveshje politike nuk mund të zgjidhet ngërçi politik.

Pas seancës, Albulena Haxhiu nga LVV-ja tha se për kandidatin e ri do të dihet gjatë seancës së radhës, që do të mbahet më 24 gusht në orën 11:00.

Faleminderit që na ndoqët!

XS
SM
MD
LG