Gërvalla: PDK, LDK, AAK kanë vendosur të bllokojnë krijimin e institucioneve
Deputetja Donika Gërvalla nga Guxo - pjesë e koalicionit parazgjedhor me LVV-në - tha se dështimi që Hekuran Murati të marrë 61 vota për kryeparlamentar tregon se “s’është problemi tek emrat”.
Ajo akuzoi partitë politike që mandatin e kaluar ishin në opozitë se “kanë vendosur të bllokojnë dhe të shohim se deri ku mund ta çojmë bllokadën”.
“Bllokimi nuk lidhet me emra të përveçëm, thjesht lidhet me mosgatishmërinë e opozitës për të shkuar në një fazë të re, të konstituimit të vendit, të formimit të qeverisë”, tha ajo.
Gjatë paraqitjes për media ajo foli edhe për Listën Serbe, partinë e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit. Kjo parti votoi kundër Muratit gjatë seancës së sotme.
Sipas Gërvallës, Lista Serbe është “parti që synimin e ka zhbërjen e Kosovës, një parti e nuk e ka vendin në Kuvend dhe në udhëheqje komunale. Andaj jemi këmbëngulës që certifikimi për zgjedhjet e tetorit nuk duhet të ndodhë dhe nuk duhet lejuar që të ndodhë”.
Krasniqi: LVV me qëllim propozoi Muratin për të zvarritur konstituimin
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se PDK-ja nuk votoi për Hekuran Muratin, pasi, sipas tij, ky subjekt politik e ka bërë të qartë se nuk voton ministrat e qeverisë së kaluar.
Krasniqi tha se Vetëvendosje propozoi emrin e Hekuran Muratit për kryetar të Kuvendit, pavarësisht se e ka ditur që ai nuk do t’i merrte votat e nevojshme për këtë pozitë.
Ai shtoi se “LVV nuk po dëshiron të konstituojë Kuvendin” me qëllim që të zvarrisë formimin e institucioneve të reja.
Krasniqi tha se PDK-ja është e gatshme të votojë rreth tridhejtë emra të tjerë të Vetëvendosjes për kryetar të Kuvendit, por në asnjë rast ata që kanë mbajtur postin e ministrit në mandatin e kaluar.
Duke e quajtur të pakuptimtë insistimin e LVV-së për votimin e kandidatëve që kanë qenë ministra, Krasniqi tha se nuk përjashtohen zgjedhjet, por sipas tij duhet të plotësohen kushtet.
“Zgjedhjet do të jenë të pashmangshme, por mekanizmi për të shkuar në zgjedhje duhet të ekzistojë dhe të përmbushet. Mënyra për të shkuar në zgjedhje është që fillimisht të konstituohet Kuvendi”, shtoi Krasniqi.
Murati dështon të zgjidhet kryeparlamentar
Hekuran Murati ka dështuar që të zgjidhet kryeparlamentar, pasi mori vetëm 57 vota.
Kundër ishin 51 dhe gjashtë abstenuan.
Seanca u ndërpre pas kësaj. Kryesuesi tha se seanca vazhdon në orën 24 gusht në orën 11:00.
LVV propozon Muratin për kryeparlamentar
LVV propozon Hekuran Muratin për kryeparlamentar. Propozimin para deputetëve e bëri Donika Gërvalla.