BE paralajmëron sanksionet më të ashpra ndonjëherë
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se blloku do ta godasë Rusinë me sanksionet më të ashpra të zbatuara ndonjëherë.
"Bashkimi Evropian do të përgjigjet në mënyrën më të fuqishme të mundshme...[Udhëheqësit e BE-së] do të miratojnë një paketë më të fortë, paketën më të ashpër të sanksioneve që kemi zbatuar ndonjëherë", tha Borrell para gazetarëve në Bruksel.
BE-ja ka vendosur disa sanksione kundër Rusisë këtë javë, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si entitete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e trupave ruse në ato territore.
Lufthansa pezullon të gjitha shërbimet në Ukrainë
Linja ajrore gjermane, Lufthansa, i anuloi të gjitha shërbimet e mbetura në Ukrainë.
Fluturimi i planifikuar për të enjten në mbrëmje nga Frankfurti në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, u anulua për arsye të sigurisë, tha një zëdhënës i kompanisë.
Lufthansa tha se do të vazhdojë ta vlerësojë situatën në ditët në vijim.
Grupi Lufthansa - i cili përfshin gjithashtu linja ajrore si Swiss, Brussels dhe Austrian Airlines - pezulloi lidhjet me qytetet Odesa dhe Kiev në Ukrainë qysh në fillim të javës.
Nëse jeni kyçur tani në blogun tonë, lajmet e deritashme janë:
- Rusia ka nisur një sulm të shkallës së gjerë në Ukrainë, mëngjesin e 24 shkurtit. Raketat janë hedhur në aeroportet dhe infrastrukturat ushtarake të së paku shtatë qyteteve, përfshirë kryeqytetin Kiev.
- Ministria e Brendshme e Ukrainës ka thënë se shtatë ushtarë të saj janë vrarë nga sulmet ajrore të ushtrisë ruse dhe se 15 të tjerë janë plagosur.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, ka shpallur gjendje lufte në vendin e tij dhe ka kërkuar ndihmën e Perëndimit.
- Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë paralajmëruar sanksione të rrepta kundër Rusisë. BE-ja do ta godasë Rusinë me "sanksionet më të ashpra të zbatuara ndonjëherë", ka thënë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Pamjet e fundit të publikuara nga Ukraina: