Rusia e akuzon SHBA-në se po e frenon Kievin në bisedimet e paqes
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po e frenojnë Kievin që të pajtohet me kërkesat e Rusisë, të paraqitura në bisedimet që dy shtetet po zhvillojnë.
“Ndihet vazhdimisht se delegacioni ukrainas po mbahet për dore, me shumë gjasa nga amerikanët, duke mos i lejuar ata që të pajtohen me kërkesat, që unë mendoj se janë absolutisht minimale”, tha ai, sipas agjencisë ruse të lajmeve, Interfax.
Lavrov nuk ofroi ndonjë provë për pretendimet e tij se SHBA-ja po ndikon në pozicionin e Kievit. As SHBA-ja, por as Ukraina nuk kanë sugjeruar se kjo gjë është duke ndodhur.
Këto komente të Lavrovit vijnë disa orë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për negociata kuptimplotë të paqes.
Lajmin e plotë e gjeni KËTU
Ende asnjë ndihmë nga Kosova për të zhvendosurit ukrainas
Me gjithë thirrjet e disa organizatave humanitare në rrjetet sociale, Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka grumbulluar asnjë ndihmë për popullatën e zhvendosur nga lufta në Ukrainë.
Në tri javët e para të luftës, numri i refugjatëve që kanë ikur nga Ukraina ka kaluar tre milionëshin.
Pjesa më e madhe e tyre është vendosur në Poloni dhe vende të tjera fqinje të Ukrainës, por disa dhjetëra kanë arritur tashmë edhe në vende të Ballkanit Perëndimor, si Serbi, Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të Zi.
Kosova ka shprehur, po ashtu, gatishmëri për pranimin e 5,000 refugjatëve.
Tekstin e plotë mund ta gjeni më poshtë:
Lufta mund të ndalojë eksportet e drithit nga Ukraina
Ukraina mund të mos prodhojë produkte të mjaftueshme ushqimore për t’i eksportuar gjatë këtij viti, nëse ndërpritet procesi i mbjelljes së tokave bujqësore nga pushtimi rus.
Kështu tha të shtunën këshilltari presidencial ukrainas, Oleh Ustenko.
“Ukraina ka rezerva të mjaftueshme të drithit dhe ushqimit për një vit, por nëse lufta vazhdon.... Ukraina nuk do të jetë në gjendje të eksportojë drithëra në botë dhe do të ketë probleme”, tha ai.
Ustenko shtoi se Ukraina është eksportuesja e pestë më e madhe në botë e grurit.
Zyrtari ukrainas: Janë arrestuar 127 sabotatorë
Forcat ukrainase në Kiev kanë arrestuar 127 sabotatorë, përfshirë 14 grupe të infiltruara, që prej se nisjes së pushtimit të shtetit nga Rusia, tha kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit ukrainas, Mykola Zhyrnov.
Zhyrnov tha se bllokimet e rrugëve kanë qenë kyçe në kapjen e agjentëve pro-rusë, të cilët Ukraina i akuzon për sabotim dhe infiltrim.
“Ato janë baza e fortifikimeve, barrierave inxhinierike, pikave të kontrollit për automjetet dhe njerëzit si dhe për ndërtimin e sistemeve të tjera, përfshirë edhe për konfrontimin me zjarr”, tha Zhyrnov, sipas agjencisë së lajmeve Unian.
Ai tha se kryeqyteti ukrainas, Kiev, ka furnizime të mjaftueshme ushqimore, pasi sipas tij janë të hapura 35 dyqane ushqimore dhe 635 dyqane të tjera. Zhyrnov tha se këto furnizime do të mjaftonin edhe për një mbrojtje në terma afatgjatë.