Ukrainë: 103 fëmijë të vrarë që nga fillimi i luftës
Prokurorja e Përgjithshme ukrainase tha të mërkurën se 103 fëmijë janë vrarë deri më tani në luftën në Ukrainë që ka nisur më 24 shkurt.
Forcat ruse kanë goditur më shumë se 400 institucione arsimore dhe 59 prej tyre janë shkatërruar, tha prokurorja e Përgjithshme, Iryna Venediktova.
Zelensky thotë se ka progres në negociata me Rusinë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ka progres në bisedimet e paqes, pas rundit të negociatave të së martës.
Gjatë një video-fjalimi, Zelensky tha se “pozicionet në negociata tashmë duken më realiste”, por shtoi se “duhet ende kohë që vendimet të jenë në interes të Ukrainës”.
Bisedimet ndërmjet negociatorëve rusë dhe ukrainas do të vazhdojnë.
Gjatë së mërkurës, presidenti Zelensky pritet t’i drejtohet Kongresit Amerikan.
Mbretëria e Bashkuar: Pushtimi rus nuk ka përparim
Në një vlerësim të përditshëm të gjendjes së pushtimit rus, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar thotë se forcat e Moskës po përpiqen të ruajnë ritmin e avancimit të tyre në të gjithë Ukrainën.
Në analizën e postuar në Twitter, zyrtarët e sigurisë thanë se trupat ruse kanë vështirësi që të kapërcejnë sfidat e paraqitura nga terreni i Ukrainës, që i ka kufizuar në rrugët dhe autostradat e vendit.
Zyrtarët theksojnë, gjithashtu, se shkatërrimi i urave nga forcat ukrainase “ka luajtur një rol kyç në pengimin e përparimit të Rusisë”.
Rreth 20 mijë njerëz janë larguar nga Mariupoli
Deri më tani, rreth 20,000 civilë kanë arritur të largohen me vetura private nga qyteti i Mariupolit, tha të mërkurën këshilltari i Ministrisë së Brendshme, Vadym Denysenko.
Banorët e Mariupolit janë bllokuar në qytet nga bombardimet ruse dhe janë pa ngrohje, pa energji elektrike dhe pa ujë të rrjedhshëm në shumicën e kohës në dy javët e fundit, thonë zyrtarët ukrainas.
Në fillim të kësaj javë, zyrtarët ukrainas thanë se të paktën 200,000 njerës kanë nevojë urgjente për evakuim.