Ndërlidhjet

Ukraina i hakërrohet Kinës për mbështetjen e Rusisë


Russian President Vladimir Putin and Chinese President Xi Jinping attend a meeting at the Kremlin in Moscow in May.
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai kinez, Xi Jinping, morën pjesë në një takim në Kremlin në Moskë, gjatë muajit maj.

Arrestimi i dy shtetasve kinezë në Ukrainë, nën akuzat për spiunazh, ka shënuar një kthesë në qëndrimin e Kievit ndaj Kinës, mbështetja e së cilës për luftën e Rusisë po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u injoruar.

Shërbimi i Inteligjencës së Ukrainës njoftoi më 9 korrik se një 24-vjeçar kinez – i dëbuar nga një shkollë teknike në Ukrainë dy vjet më parë – kishte tentuar të siguronte informacione të klasifikuara për programin e raketës Neptune, duke u miqësuar me një punëtor të industrisë së mbrojtjes.

Autoritetet thanë se ai kishte planifikuar t’ia transmetonte të dhënat të atit – i cili po ashtu u arrestua – me qëllim që ato të përfundonin në duart e inteligjencës kineze.

Këto arrestime ndodhën vetëm një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vendosi sanksione ndaj pesë kompanive kineze për mbështetje ndaj përpjekjeve ushtarake të Rusisë – një veprim i rrallë dhe i drejtpërdrejtë nga ana e Ukrainës.

Që prej fillimit të agresionit të plotë të Rusisë, Pekini ka pretenduar neutralitet, ndërkohë që ka blerë naftë dhe gaz rus – burimi kryesor financiar i Moskës – dhe ka furnizuar ushtrinë ruse me teknologji me përdorim të dyfishtë. Ukraina, ashtu si edhe vendet perëndimore, shpresonte se Kina do ta shfrytëzonte ndikimin e saj mbi presidentin rus, Vladimir Putin, për të shtyrë drejt paqes.

Por, kjo shpresë duket se po zbehet.

Kina, që më herët ofronte vetëm përbërës si mikroçipë, tashmë besohet se po furnizon sisteme të plota. Në maj, kanale ruse në Telegram pretenduan se Moska po përdorte një armë të re kineze për të rrëzuar dronët ukrainas.

Këtë javë, inteligjenca ushtarake ukrainase njoftoi se Rusia ka nisur të përdorë pengues të dronëve, të prodhuar plotësisht me pjesë kineze, por të montuar brenda territorit rus.

Ndërkohë, zyrtarë nga territoret e pushtuara ukrainase janë pritur nga autoritetet kineze në panaire tregtare, ndërsa kompani kineze kanë shitur pajisje të rënda për kompani ruse që operojnë në ato rajone.

Kjo sjellje e re e Pekinit po ndodh në kohën kur raportimet thonë se Kina as nuk përpiqet më as të duket neutrale.

Zyrtarë të BE-së i thanë Radios Evropa e Lirë se ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, i ka thënë kryediplomates së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, gjatë një takimi më 3 korrik, në Bruksel, se Kina “nuk dëshiron që Rusia ta humbasë luftën”, nga frika se humbja e saj do t’i jepte Shteteve të Bashkuara më shumë hapësirë për t’u përqendruar te Kina.

Wang mohoi se Kina po mbështet luftën, por komentet e tij përbëjnë një largim të qartë nga pozicionimi më i paqartë i mëhershëm i Pekinit.

Në samitin BE-Kinë, më 25 korrik, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i tha homologut të saj kinez, Xi Jinping, se marrëdhëniet mes Brukselit dhe Pekinit ndodhen në një “pikë kthese”, duke dhënë një paralajmërim të tërthortë se lidhjet e Kinës me Moskën janë një “faktor përcaktues” për ecurinë e këtyre marrëdhënieve.

Veprimet e fundit të Ukrainës – nga arrestimet për spiunazh te sanksionet ndaj kompanive – tregojnë se edhe Kievi po e ndryshon qëndrimin e vet.

“Mendoj se ka pasur një evolucion të caktuar”, tha Oleksandr Merezhko, kryetar i komisionit parlamentar për punë të jashtme në Ukrainë.

“Në fillim kishte shpresë që Kina të përfshihej në procesin e paqes. Por, tani jemi bërë më realistë dhe flasim hapur: Kina po e mbështet Rusinë”.

Kina refuzoi ftesën për të marrë pjesë në samitin për paqen në Ukrainë, të mbajtur në Zvicër, vitin e kaluar, ku morën pjesë përfaqësues nga mbi 100 shtete dhe organizata.

Madje, edhe në dhjetor, presidenti Zelensky shprehu shpresën për rikthimin e nivelit të tregtisë së para luftës me Kinën, dhe thellimin e bashkëpunimit, teksa pranoi ambasadorin e ri kinez në Kiev.

Por, toni optimist ndryshoi në qershor, pasi Kina ndaloi eksportet e pjesëve të dronëve për Ukrainën. Vetëm pak ditë më vonë, Zelensky, gjatë një vizite në Singapor, bëri kritikat e para publike ndaj Kinës që prej fillimit të pushtimit, sipas analistëve.

Në korrik, në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës, në Romë, Zelensky paralajmëroi se vendet që mbështesin Rusinë do të përjashtohen nga rindërtimi pas luftës – një mesazh që u interpretua gjerësisht si i drejtuar Kinës.

Distancimi në rritje

Ndërkohë, marrëveshja e nënshkruar në qershor mes SHBA-së dhe Ukrainës për investime në minerale kritike parashikon përjashtimin e vendeve që mbështesin Rusinë, duke nënvizuar distancimin në rritje mes Kievit dhe Pekinit.

Megjithatë, Ukraina po ecën me kujdes.

Kina mbetet partneri më i madh tregtar i Ukrainës, duke eksportuar më shumë sesa Polonia dhe Gjermania së bashku. Prishja e këtyre marrëdhënieve do ta godiste edhe më shumë ekonominë e dëmtuar nga lufta.

Disa në Kiev e shohin këtë distancim si të dobishëm.

“Kritikat shtesë ndaj Kinës nga Kievi janë në përputhje me qasjen e Shteteve të Bashkuara në përballjen me Pekinin”, tha Vita Holod, anëtare e bordit të Shoqatës së Sinologëve të Ukrainës, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

Për momentin, Ukraina nuk po i ndërpret lidhjet, por iluzioni për neutralitetin e Kinës ka marrë fund në Kiev.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG