Ndërlidhjet

Ish-prokurorja speciale Katica Janeva dënohet me 7 vjet burgim


Ish-kryeprokurorja speciale, Katica Janeva,
Ish-kryeprokurorja speciale, Katica Janeva,

Ish-kryeprokurorja speciale e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva është dënuar me 7 vjet burgim, lidhur me akuzat për përfshirje në rastin e njohur “Reketi”, të marrjes ryshfet të 1.5 milion euro nga një biznesmen për t’i mundësuar atij lehtësira në një proces gjyqësor që po zhvillohej kundër tij.

I akuzuari i parë në këtë proces gjyqësor, Boki Jovanovski, pronor joformal i televizionit “1TV”, është dënuar me 9 vjet burg.

Jovanovskin i njohur si Boki 13, aktakuza e ngarkonte për veprën "marrje të shpërblimit për ndikim të paligjshëm dhe pastrim parash", ndërsa Janevën për veprën "shpërdorim detyre, të pozicionit dhe autoritetit si prokurore speciale publike”.

“Bojan Jovanovski dhe Katica Janeva janë fajtorë. Në periudhën nga nëntori 2018 deri në prill 2019, Bojan Jovanovski, i njohur si Boki 13 përdori ndikimin e tij te Katica Janeva që ajo të bëjë veprime të paligjshme. Për ndërmjetësim apo për premtimet për ndërhyrje në gjyqësor, ata morën një shpërblim prej 1.5 milion eurosh, pra nga dëshmitari Ana Kamçeva morën 500,000 euro, dhe nga dëshmitari Jordan Kamçev një milion euro", tha gjykatësja e Gjykatës Penale të Shkupit, Vaska Nikolovska-Masevska teksa lexoi vendimit e trupit gjykues.

Për të dëgjuar shqiptimin e dënimit, Bojan Jovanovski u soll nga paraburgimi, ku po qëndron tash e 11 muaj, ndërsa Katica Janeva ndodhet në arrest shtëpiak, por nuk ka pranuar të vijë në seancë për të dëgjuar epilogun e procesit gjyqësor që ka zgjatur afër gjashtë muaj.

“Ky është një vendim politik. Paratë kërkoni te Zoran Zaevi dhe vëllai i tij, Vice Zaev. Unë e di se ju nuk do të lejoni të dalë nga paraburgimi deri sa vendimi të jetë i plotfuqishëm, pasi ashtu ju kanë urdhëruar. Unë mezi pres të pres 1 korrikun, që të më lini të shkoj në zyrën e prokurorit publik për të treguar emrat e të gjithë autorëve të vërtetë të krimeve në këtë vend”, deklaroi Bojan Jovanovski.

Avokati i tij Sasho Dukovski vendimin e ka vlerësuar si brutal.

“Ishte një vendim i pritur. E dinim se vendimi do të jetë brutal. Ai nuk ishte i bazuar në dëshmi. Lufta jonë nuk do të përfundojë këtu, ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësinë”, ka deklaruar Dukovski.

Bojan Jovanovski ishte arrestuar më 15 korrik 2019, dhe pas marrjes në pyetje në Gjykatën Penale në Shkup, ai u dërgua paraburgim. Për këtë rast ishte arrestuar edhe një person i tretë, Zoran Milevski, i cili pasi kishte pranuar veprën, u dënua me tre vjet burg, por u lirua nga paraburgimi deri në vendimin final në Gjykatën e Apelit.

Ish-kryeprokurorja Katica Janeva, u arrestua më 21 gushti i vitit të kaluar, pasi në opinion u paraqitën dëshmi për përfshirjen e saj në këtë aferë.

Veprimi i Katica Janevës ka rrënuar imazhin e Prokurorisë Speciale e cila ishte themeluar në vitin 2015 për shkak të mosbesimit në Prokurorinë e Rregullt për të hetuar aferën e përgjimeve, në bazë të së cilës janë ngritur dhjetëra hetime kundër zyrtarëve të qeverisë së kaluar që drejtohej nga Nikolla Gruevski.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG