Ndërlidhjet

Dy ditë zie për 14 të vdekurit në aksidentin afër Shkupit


Nisin hetimet për shkaqet e aksidentit të autobusit me udhëtarë
Nisin hetimet për shkaqet e aksidentit të autobusit me udhëtarë

Shtatë persona që i mbijetuan aksidentit në autostradën Shkup-Tetovë janë në rrezik për jetën, ndërsa rreth tridhjetë të tjerë janë në gjetje më stabile, sipas të dhënave të institucioneve shëndetësore të Maqedonisë së Veriut, që tashmë kanë konfirmuar edhe bilancin për katërmbëdhjetë të vdekur.

Aksidenti i rëndë rrugor ka ndodhur të mërkurën pasdite në autostradën Shkup-Tetovë, afër fshatit Llaskarcë, 10 kilometra nga kryeqendra e Maqedonisë së Veriut, ku një autobus i linjës Shkup-Gostivar ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur në një hendek përgjatë autostradës. Në autobus besohet të kenë qenë rreth 50 persona, kryesisht punonjës të administratës dhe të tjerë që po ktheheshin në shtëpitë e tyre.

Hetimet për shkaqet e aksidentit
Hetimet për shkaqet e aksidentit

“Aktualisht, në spitalin e qytetit kemi të shtrirë katër persona në repartin e trajtimit intensiv. Ata janë në rrezik për jetën. Tre të tjerë janë në Qendrën Klinike Universitare, po ashtu në gjendje të rëndë".

"Shpresoj se këta persona do t’ia dalin të kapërcejnë gjendjen në të cilën ndodhen. Gjithsej me lëndime kemi pranuar afër 40 persona, shumë prej tyre kanë pasur lëndime më të lehta dhe janë lëshuar për kurim shtëpiak”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili së bashku me kryeministrin Zoran Zaev dhe zyrtarë të tjerë ka vizituar të lënduarit në spitalin e qytetit.

Kreu i Qeverisë ka thënë se organet e rendit dhe të hetuesisë po punojnë intensivisht për hetimin e shkaqeve të kësaj tragjedie. Zaev, gjithashtu njoftoi se Qeveria, përveç shpalljes dy ditë zie kombëtare, do të sjellë edhe një vendim tjetër për të ndihmuar materialisht familjet që kanë humbur të afërmit dhe ata që kanë mbijetuar.

“Menjëherë pasi të kemi rezultate konkrete nga hetimet, do t’i bëjmë të ditura për opinionin pasi jo vetëm familjet e atyre që pësuan, por i gjithë opinioni dëshiron të dijë se çfarë ka ndodhur. Organet e rendit dhe të Prokurorisë janë duke bërë gjithçka për zbulimin e shkaqeve të kësaj tragjedie të rëndë. Shteti ynë është në pikëllim të thellë".

Pamje nga vendi i aksidentit
Pamje nga vendi i aksidentit

"Nuk kam fjalë që mund të ngushëllojnë familjet e bashkëqytetarëve tanë, të cilët humbën jetën në këtë tragjedi të rëndë komunikacioni. Qeveria ka vendosur që 14 dhe 15 shkurti të shpallen ditë zie, ndërsa së shpejti Qeveria do të sjellë edhe vendimin tjetër për të ndihmuar familjet e atyre që pësuan në këtë aksident të rëndë”, ka deklaruar Zaev, pas vizitës që u bërë të lënduarve në Spitalin e Shkupit.

Ngasësi i autobusit i ka shpëtuar aksidentit dhe, sipas mjekëve, ndodhet në gjendje stabile. Jozyrtarisht mësohet se shkak për këtë tragjedi mund të ketë qenë plasja e njërës nga gomat e autobusit, çka ka bërë që ngasësi ta humbë kontrollin mbi automjetin, por nuk përjashtohen edhe pista tjera si ajo e humbjes së kontrollit nga era e fuqishme në momentet e aksidentit apo edhe ajo e ndonjë defekti tjetër.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG