Ndërlidhjet

Shtëpia e Bardhë: Biden nuk e dinte se dokumentet e klasifikuara ishin në shtëpinë e tij


Presidenti amerikan, Joe Biden. Fotografi nga arkivi.
Presidenti amerikan, Joe Biden. Fotografi nga arkivi.

AP

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden nuk e dinte se dokumentet e klasifikuara që datojnë nga koha kur ishte zëvendëspresident ishin në zyrën e ish-institutit të tij apo shtëpinë në Uashington në Wilmington, tha të enjten zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

"Biden nuk e dinte se çfarë kishte në ato dokumente të klasifikuara", tha Shtëpia e Bardhë pasi Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland caktoi një këshilltar special për të hetuar trajtimin e dokumenteve të ndjeshme qeveritare të gjetura atje.

Joe Biden pranoi të enjten se një dokument i shënjuar si i klasifikuar nga koha e tij si zëvendëspresident u gjet në "bibliotekën e tij personale" në shtëpinë e tij në Wilmington, Delaware, së bashku me dokumente të tjera të gjetura në garazhin e tij.

Ai konfirmoni këtë disa ditë pasi u zbulua se dokumente të ndjeshme u gjetën gjithashtu në zyrën e ish-institutit të tij në Uashington.

Biden u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai po "bashkëpunon plotësisht" me një hetim të Departamentit të Drejtësisë për mënyrën se si ruheshin informacionet e klasifikuara dhe të dhënat qeveritare.

Ai nuk tha se kur u gjetën seria e fundit e dokumenteve, vetëm se shqyrtimi i lokacioneve të mundshme të ruajtjes nga avokatët e tij përfundoi të mërkurën mbrëma.

Juristët e gjetën setin e parë më 2 nëntor, disa ditë përpara zgjedhjeve të mesmandatit, por publikisht e zbuluan këtë zhvillim vetëm të hënën.

Dokumentet e klasifikuara nga koha kur Joe Biden ishte zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u gjetën në shtëpinë e tij në Wilmington, Delaware, tha Shtëpia e Bardhë më 12 janar.

Ky konfirmim erdhi disa ditë pasi u zbulua se dokumente të ndjeshme u gjetën në zyrën e ish-institutit të tij.

Richard Sauber, një këshilltar special i presidentit të tanishëm, Joe Biden, tha se pasi u gjetën dokumentet fillestare, u ekzaminuan vende të tjera ku mund të ishin dërguar dokumentet

Sauber tha se një "numër i vogël" dokumentesh të klasifikuara u gjetën në një hapësirë në garazhin e Biden.

Departamenti i Drejtësisë u “njoftua menjëherë” dhe avokatët morën nën kontroll të dhënat, tha Sauber.

Më herët gjatë kësaj jave, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Departamenti i Drejtësisë po shqyrtonte “një numër të vogël të dokumenteve të shënjuara si të klasifikuara” që ishin gjetur në zyrën të cilën më herët kishte përdorur Biden.

Avokatët thanë se ato dokumente u gjetën në zyrën e Qendrës Penn Biden dhe menjëherë njoftuan Arkivat Kombëtare lidhur me zbulimin, tha Shtëpia e Bardhë. Biden e kishte përdorur këtë zyre pasi u largua nga posti i nënpresidentit më 2017 dhe kishte qëndruar aty deri në momentin që kishte nisur fushatën presidenciale më 2019.

Një person që foli për AP-në të enjten, tha se ekipi ligjor i presidentit gjeti materiale shtesë të klasifikuara në një lokacion të dytë. Ky person nuk ishte i autorizuar që të fliste publikisht për detajet e kësaj çështjeje të ndjeshme, prandaj ai foli në kushte anonimiteti. Ky burim nuk dha detaje se ku dhe kur u gjetën materialet, apo për nivelin e klasifikimit që kishin këto dokumente.

Zbulimi i dokumenteve shtesë, që u bë nga avokatët e Bidenit, erdhi disa orë pasi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, iu shmang pyetjeve lidhur me mënyrën se si Biden kishte vepruar me informacionet e klasifikuara dhe për veprimet e Shtëpisë së Bardhë pas zbulimit të dokumenteve. Ajo tha se Shtëpia e Bardhë është e përkushtuar që ta trajtojë këtë çështje “në mënyrën e duhur”, duke theksuar se avokatët personalë të Bidenit menjëherë kishin njoftuar Arkivat Kombëtare për këtë çështje.

Por, Jean-Pierre refuzoi të tregonte nëse Biden personalisht është njoftuar për këtë çështje, nëse ka edhe dokumente të tjera të klasifikuara që potencialisht mund të gjenden në një lokacion tjetër dhe pse Shtëpia e Bardhë priti më shumë se dy muaj për të treguar se dokumentet e para ishin gjetur.

Dokumentet e para të klasifikuara u gjetën në Qendrën Penn Biden më 2 nëntor, disa ditë para se SHBA-ja të mbante zgjedhjet e mesmandatit.

“Siç kanë thënë kolegët e mi dje, ky është një proces që po vazhdon dhe është duke u shqyrtuar nga Departamenti i Drejtësisë. Prandaj, unë jam e kufizuar se çfarë mund të them për këtë çështje”, tha Jean-Pierre.

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk pranuan të komentonin lidhur me raportimet se janë gjetur dokumente shtesë. Për gjetjen e dokumenteve të reja fillimisht raportoi NBC News.

Departamenti i Drejtësisë po shqyrton të dhënat që u gjetën në Qendrën Penn Biden, dhe prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, ka kërkuar nga John Lausch që ta trajtojë këtë çështje.

Lausch është një prej të emëruarve të paktë që ende janë në sistemin e drejtësisë, që nga administrata e ish-presidentit Donald Trump.

Zbulimet se Biden ka të ngjarë të mos ketë vepruar si duhet sa i përket dokumenteve sekrete, mund të shndërrohet në një kokëçarje politike për të. Biden e kishte quajtur vendimin e Trumpit, për të mbajtur qindra dokumente sekrete në shtëpinë e tij në Florida, si vendim “të papërgjegjshëm”.

Megjithatë, ka dallim ndërmjet Trumpit dhe Bidenit, sa i përket dokumenteve të klasifikuara.

Zyrtarët shtetërorë kishin kërkuar që Trumpi t’i kthente dokumentet dhe kishin lëshuar edhe urdhra ligjorë për këtë çështje. Më pas, avokatët e Trumpit dorëzuan 38 dokumente të klasifikuara, por FBI-ja gjeti mbi 100 dokumente të klasifikuara që nuk u ishin dorëzuar autoriteteve.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG