Ndërlidhjet

Teherani në ankth pas takimit të Trumpit me liderin e ri sirian


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, dhe presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, në Riad, më 14 maj.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, dhe presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, në Riad, më 14 maj.

Takimi historik i presidentit amerikan, Donald Trump, me presidentin e përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, në kryeqytetin saudit, Riad, nuk është pritur mirë nga mediat konservatore në Iran.

Ndërsa mediat më të moderuara u mjaftuan me raportime të drejtpërdrejta për takimin, ato konservatore – të shqetësuara nga largimi i papritur i Sirisë nga orbita e Teheranit – kritikuan Trumpin për takimin me ish-kryengritësin që tani është bërë president.

Ky reagim tregon shqetësimin në rritje në Teheran për humbjen e Sirisë, një pjesë kyç e strategjisë rajonale të Iranit. Pas rënies së Bashar al-Assadit në fund të vitit të kaluar, udhëheqja e re siriane ka vepruar shpejt për t’u shkëputur nga Irani, duke kërkuar aleanca të reja me fqinjët arabë dhe duke u afruar me Perëndimin për të hequr sanksionet.

Kjo situatë vjen ndërkohë që Irani është i përfshirë në negociata të ndjeshme bërthamore me Shtetet e Bashkuara, ku koha dhe ndikimi duket se po i rrëshqasin nga duart.

Trump u takua me Sharaan – një ish-komandant kryengritësish, i njohur me nofkën Abu Mohammed al-Jolani – në kuadër të një takimi me udhëheqësit e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, në Riad, më 14 maj, një ditë pasi kishte premtuar se do të hiqte sanksionet ndaj Sirisë.

Presidenti amerikan tha se vendimi i tij synonte t’i jepte Sirisë "një mundësi për madhështi", ndërsa vendi përpiqet të rindërtohet pas 14 vjetësh lufte civile dhe shkatërrimi ekonomik.

Gazeta konservatore Keyhan, drejtori i së cilës emërohet nga lideri suprem iranian Ajatollah Ali Khamenei, e përshkroi takimin Trump-Sharaa si një takim mes "terroristit Jolani" dhe "kumbarit të terroristëve".

Republika Islamike ka akuzuar prej kohësh Shtetet e Bashkuara se financojnë grupe ekstremiste në Lindjen e Mesme për të destabilizuar rajonin dhe ka hedhur poshtë fushatat amerikane kundër këtyre grupeve si farsë.

Agjencia Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (e sanksionuar nga SHBA-ja), e quajti takimin si një hap për "formalizimin e marrëdhënieve të SHBA-së me grupet tekfire" – një term që përdoret nga Irani për të përshkruar grupet militante që, sipas tij, kanë lidhje me shtetet sunite të rajonit.

Mediat e tjera konservatore theksuan se Hayat Tahrir al-Sham, grupi që Sharaa drejtonte para se të rrëzonte regjimin e Assadit në dhjetor, ende figuron në listën e organizatave terroriste të SHBA-së.

A është Irani jashtë loje në Siri?

Rënia e Assadit ishte një goditje e rëndë për Iranin, i cili e shihte Sirinë si një hallkë të pazëvendësueshme në "boshtin e rezistencës", që përfshin aleatët dhe zëvendësit rajonalë të Teheranit.

Sharaa është mirëpritur nga shumica e vendeve arabe në rajon, dhe ka pritur dhjetëra delegacione ndërkombëtare, përfshirë diplomatë evropianë. Më herët, këtë muaj, ai udhëtoi në Francë për t’u takuar me presidentin Emmanuel Macron.

Trump, i cili e përshkroi Sharaan si “një djalë i ri dhe simpatik me një të kaluar të fortë”, i kërkoi atij të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin si një nga pesë kushtet për të rivendosur lidhjet me Uashingtonin.

Me rënien e Assadit, ndikimi i Iranit në Siri praktikisht u zhduk, por Rusia ka kërkuar të vendosë marrëdhënie me qeverinë e re dhe të ruajë bazat e saj ushtarake në vend.

“Rusia përfitoi nga fakti që Siria mbeti nën sanksione, ndërsa SHBA-ja dhe Evropa po hezitonin në heqjen e tyre”, tha Nicole Grajewski nga Carnegie Endowment for International Peace, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Ajo shtoi se, megjithëse vendimi për heqjen e sanksioneve është “domethënës”, nuk është "transformues", pasi Siria ka ende nevojë për investime dhe ka mosmarrëveshje të hapura midis pakicave dhe qeverisë, si dhe çështja e statusit të kurdëve.

Ndërkohë, Irani është përjashtuar krejtësisht nga loja.

“Ata nuk kanë kapital ekonomik për të ndihmuar në rindërtim dhe perceptohen [nga sirianët] më negativisht se Rusia”, shtoi ajo.

A mund t’i hiqen sanksionet Iranit gjithashtu?

Duke iu referuar raportimeve se njoftimi i Trumpit për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë i befasoi Departamentin e Shtetit dhe atë Thesarit në SHBA, analisti politik me bazë në Londër, Hossein Derakhshan, argumentoi se Irani ka nevojë vetëm të arrijë një marrëveshje me presidentin amerikan për të hequr sanksionet.

“Irani duhet ta kuptojë që kjo mundësi nuk do të përsëritet dhe heqja e sanksioneve primare dhe sekondare ia vlen të ndalë pasurimin e uraniumit për 25 vjet, madje edhe më shumë!”, shkroi ai në X (ish-Twitter).

Gjatë turneut të tij në rajon, këtë javë, Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë “afër ndoshta arritjes së një marrëveshjeje” me Iranin për programin bërthamor. “Ne jemi në negociata shumë serioze për paqe afatgjate”, tha ai.

Ndërkohë, Ali Shamkhani, një këshilltar i lartë i Khameneit, i tha NBC News se Irani do të angazhohej të mos prodhonte kurrë armë bërthamore, të eksportonte uraniumin e pasuruar në nivele të larta dhe të pranonte pasurimin vetëm për qëllime civile – nëse Trump do të hiqte menjëherë sanksionet ndaj Teheranit.

Ekspertja për mediat xhihadiste, Mina al-Lami, tha se islamistët e ashpër brenda dhe jashtë Sirisë shqetësohen se Sharaa do të “shesë” luftëtarët e huaj, do të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin dhe ndoshta do të shtypë projektet islamike në vend.

“Megjithatë, linjat e ashpra po e kanë të vështirë të mobilizojnë një mbështetje të gjerë, pasi heqja e sanksioneve shihet gjerësisht si një fitore e madhe për Sharaan dhe një përforcim i qartë i imazhit dhe kredibilitetit të tij si lider politik”, shkroi ajo në X.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG