Ndërlidhjet

Hulumtim i REL-it: Brenda sistemit të improvizuar rus për mobilizimin e ushtarëve për luftën në Ukrainë


Ushtarë rusë në një bazë ushtarake në Krimenë e aneksuar nga Moska. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Ushtarë rusë në një bazë ushtarake në Krimenë e aneksuar nga Moska. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Një reklamë për punë, e dërguar përmes WhatsApp, ishte shkruar: shkurt dhe qartë. Kjo reklamë u ishte drejtuar rekrutëve të mundshëm: aplikoni për një pozitë në kompaninë shtetërore të hekurudhave – dhe përfundoni duke luftuar për “operacionin e posaçëm ushtarak” - eufemizmi që Kremlini përdor për luftën në Ukrainë.

“Rekrutimi për SMO vazhdon, nga hekurudhat ruse + Shën Petersburg + Ministria e Mbrojtjes. Kjo është 1 milion rubla”.

Nuk është ndonjë sekret se komandantët ushtarakë rusë dhe zyrtarët politikë me nguti po tentojnë të rrisin numrin e trupave. Më shumë se 315.000 burra janë vrarë apo plagosur që kur në shkurt të vitit 2022 nisi pushtimi i plotë i Ukrainës, sipas vlerësimeve amerikane. Zyrtarët britanikë, ndërkaq, kanë thënë se numri i viktimave arrin në mbi 400.000.

Po ashtu nuk është sekret që Kremlini ka bërë gjithçka që të shmangë një mobilizim të dytë dhe të përsërisë tronditjen që përjetoi shoqëria ruse në shtator të vitit 2022, kur presidenti rus, Vladimir Putin, lëshoi urdhrin për mobilizim.

Por, saktësisht se si rekrutuesit kanë arritur të mbajnë lart numrin e trupave përballë shifrave të larta të viktimave – numër më i lartë i humbjeve të Bashkimit Sovjetik gjatë gjithë luftës 10-vjeçare në Afganistan – dhe në të njëjtën kohë të shmangin një mobilizim të ri – që nuk është popullor – ka hutuar vëzhguesit e jashtëm.

Kompanitë e sektorit privat po luajnë një rol kyç, që shpesh nuk kuptohet mirë, por një rol i tillë po mundëson këtë proces, thuhet në gjetjet e Systema, njësisë hulumtuese ruse të Radios Evropa e Lirë.

“I njoh të gjithë vetëm me mbiemrat e tyre”

Përgjatë muajve të parë të pushtimit, komandantët ushtarakë u varën pas një sistemi të improvizuar për rekrutim, me qëllim që të joshin vullnetarë për të luftuar në Ukrainë.

Kompania private e Yevgeny Prigozhinit, Wagner, ishte e para që kreu një seri të fushatave kreative të rekrutimit, duke i quajtur njësitë e saj “orkestra” dhe ushtarët “muzikantë”.

Wagner, që u përfshi në Ministrinë e Mbrojtjes pas rebelimit të dështuar të Prigozhinit në qershor të vitit 2023 dhe vdekjes së tij dy muaj më vonë, ka rekrutuar shumë të burgosur – praktikë që vazhdon edhe sot.

Dekreti për mobilizim që Putin lëshoi më 2022 synonte rekrutimin e 300.000 trupave të rinj, duke përdorur një përzierjeje të joshjes, por edhe urdhrave direkt për rezervistët ushtarakë për mobilizim. Urdhri tronditi shoqërinë ruse, duke nxitur ikjen nga shteti të qindra mijëra rusëve që shkuan në shtete sikurse Armenia, Gjeorgjia dhe në Azinë Qendrore. Një eksod i tillë rëndoi situatën në tregun e brendshëm të punës, për shkak të ikjes së punëtorëve të kualifikuar dhe specializuar.

Me dëshirën për të përdorur shërbimin e detyrueshëm, autoritetet po ashtu nisën të ofronin paga të majme, bonuse dhe përfitime të tjera për të tërhequr njerëzit që të bëhen ushtarë. Në shumë rajone të varfra, nënshkrimi i bonueseve dhe përfitimeve të tjera për të vejat dhe të mbijetuarit, uli pagat e përgjithshme vjetore për shumë njerëz. Ekspertët thanë se një gjë e tillë u bë për shkak të një transferimi masiv të të ardhurave nga Kremlini.

Autoritetet po ashtu janë varur – dhe u kanë bërë presion – te kompanitë e sektorit privat që të rritet numri i trupave.

Kompanitë e mëdha shtetërore apo ato që kontrollohen nga shteti, sikurse Hekurudhat Ruse – kompani kombëtare e hekurudhave – kanë përdorur kompanitë e brendshme dhe të jashtme për të rekrutuar njerëz për të luftuar në Ukrainë, gjeti Systema. Rekrutimi synon të përmbushë kuotën e vendosur nga autoritetet rajonale dhe federale, ndërkaq po ashtu shmang dërgimin në luftë të më shumë specialistëve të kualifikuar, sikurse janë inxhinierët.

Pasi ka kontaktuar dhjetëra rekrutues në disa qytete dhe i pyeti ata për kushtet e nënshkrimit të kontratave ushtarake, një korrespondent i REL-it pranoi një mesazh rekrutues nga përfaqësuesit e Hekurudhave Ruse, që i premtuan paga dhe bonuse nga kompania, por edhe nga Ministria e Mbrojtjes.

Pasi kontaktoi me një rekrutuese – një grua 55-vjeçare e quajtur Alla Pronina – korrespondenti u drejtua te divizioni për siguri të brendshme i kompanisë hekurudhore, ku do t’i jepej një pozitë fiktive pune.

Një njoftim i vendosur në dyert e një zyre për rekrutim ushtarak në Shën Petersburg shpjegon se si burrat mund t'i bashkohen industrisë së ndërtimit dhe të fitojnë 400.000 rubla.
Një njoftim i vendosur në dyert e një zyre për rekrutim ushtarak në Shën Petersburg shpjegon se si burrat mund t'i bashkohen industrisë së ndërtimit dhe të fitojnë 400.000 rubla.

Në Shën Petersburg, bilbordet dhe ueb-faqet janë të mbushura me reklama për ushtarë me kontratë.

Ueb-faqja kryesore e kompanisë së madhe të energjisë në Shën Petersburg, Yugo-Zapadnaya CHPP, mirëpret lexuesit me një baner të madh që shfaqet me të hyrë në ueb-faqe. Përmes këtij baneri, kjo kompani fton aplikuesit të regjistrohen si punëtorë dhe të shkojnë të luftojnë në Ukrainë. Kompania u premton atyre 405.000 rubla shtesë (4.440 dollarë), përveç pagës që do të marrin nga Ministria e Mbrojtjes.

Kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve dhe kompanitë ndërtuese po ashtu po rekrutojnë në mënyrë aktive. Një rekrutues i tha REL-it se 400.000 rubla në bonuse do të ndahen nga Komiteti për Ndërtim i Shën Petersburgut, që është departament në pushtetin lokal.

Një tjetër rekrutues që përfaqësonte Vozrozhdeniye, kompani e rrugëve dhe ndërtimit në Shën Petersburg – që kontrollohet nga biznesmeni miliarder Igor Bukato – ka tentuar të sigurojë audiencën e shënjestruar se skema e rekrutimit që mbikëqyret nga kompania është “100 për qind e pastër”.

“Sikurse 1.000 personat e parë që erdhën para jush, edhe ju do të pranoni pagat pa telashe”, tha rekrutuesi, i cili i dërgoi REL-it një mesazh zanor. Ai u prezantua me emrin Dmitry.

“Kam 20 persona nga Vozrozhdeniye [që shkuan të luftonin në Ukrainë]”, tha gjatë një bisede telefonike me REL-in,Marina, një tjetër rekrutuese e kësaj kompanie. Ajo po ashtu e siguroi Radion Evropa e Lirë se “i njoh të gjithë me mbiemra”.

Kompania nuk iu përgjigj pyetjeve me shkrim të dërguara nga REL-i për komente të mëtejme. Komiteti për Ndërtim i Shën Petersburgut dhe autoritetet e qytetit po ashtu nuk iu përgjigjën REL-it për komente të mëtejme.

“Sille një mik”

Ekzistenca ligjore e Wagnerit është lënë në harresë që nga rebelimi i Prigozhinit, edhe pse ekspertët besojnë se operacionet e biznesit dhe hierarkia e tij ushtarake është inkorporuar në Ministrinë e Mbrojtjes.

Megjithatë, Wagneri, apo njerëzit që paraqiten si ish-mercenarë të Wagnerit, kanë përdorur emrin e kompanisë dhe logot e saj dhe kanë vazhduar të publikojnë reklama dhe të vazhdojnë rekrutimin, duke përdorur emrat sikurse “Orkestra” apo “Urdhri”.

Rekrutët e huaj të grupit "Orkestra" në Shën Petersburg.
Rekrutët e huaj të grupit "Orkestra" në Shën Petersburg.

Reklamat për “Urdhrin” fillimisht nisën të shfaqeshin në rrjetet sociale ruse në gusht të vitit 2023, rreth një muaj pas rebelimit. Reklamat për “Orkestrën”, që u shfaqën në shkurt të vitit 2024, duket se shënjestrojnë të huajt për rekrutim. Fotografitë e publikuara në rrjetet sociale sugjerojnë se indianët janë në mesin e grupeve më të mëdha joruse që janë rekrutuar.

Një rekrutues për “Orkestrën”, i tha REL-it se personat e huaj që janë rekrutuar trajnohen drejtpërdrejtë nga zyrtarët e Brigadës së Ndarë Detare të Këmbësorisë 810, një njësitë që pësoi humbje të mëdha në muajt e parë të luftës.

Në qytetin e Volzhskut, në shkurt të vitit 2024, qarkulluan fletushka që “ftonin” njerëzit që të aplikonin për punësim në fabrikën e tubave Nizhne-Volzhsky.

Përveç pagesave nga autoritetet rajonale dhe Ministria e Mbrojtjes, punëtorëve të mundshëm iu premtua po ashtu një bonos prej 250.000 rublash (2.740 dollarë) nga vetë fabrika.

Për më tepër, kushdo që sjell një mik për t’u punësuar dhe për t’u dislokuar në Ukrainë, merr një bonus shtesë prej 50.000 rublash (550 dollarë).

“Reklama është shumë e mirë, shisni mikun tuaj për 50.000 rubla”, tha një komentues në një postim në rrjetet sociale në Volzhsk.

Në rajone të tjera, qeveritë lokale dhe kompanitë private kanë bërë skema të ngjashme, duke joshur rekrutët me pagesa shtesë. Qeveria në rajonin e Tatastanit ofron bonus prej 205.000 rublash (2.240 dollarë) nëse nënshkruhet kontratë me kompani lokale. Në rajonin e Jarosllavit, në verilindje të Moskës, bizneset lokale raportohet se kanë dyfishuar nënshkrimet e bonuseve në shkurtin e këtij viti.

Një rekrutues nga rajoni i Samarës, itha REL-it se është e mundur të shkohet në luftë si punëtor i Avatovazit, një fabrikë e madhe e prodhimit të makinave, që njëherësh është një punëdhënës i madh në Rusi. Në Vologda, një tjetër rajon në verilindje të Moskës, një organizatë e veteranëve që është e lidhur me agjencinë e hapësirës, Roskosmos, njoftoi se do të paguante 300.000 rubla si bonus për rekrutët.

Edhe pse vendet e lira të punës, që mbushen nga aplikuesit e mundshëm, janë fiktive, sistemi është i organizuar në mënyrë të ashpër. Para nënshkrimit të kontratës me një kompani private, rekruti potencial menjëherë drejtohet te zyra rajonale ushtarake e regjistrimit për të nënshkruar kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes. Nëse personi ndryshon mendjen, ai nuk pranon asnjë pagesë dhe me gjasë përballet edhe me ndëshkime të tjera.

“Është bonus i mirë për ty dhe ata nuk duhet të dërgojnë luftë inxhinierët e tyre”

Pjesa më e madhe e kompanive që marrin pjesë në skemat e rekrutimit ushtarak duket se janë të mëdha, private, kompani industriale apo ndërmarrje shtetërore. Kompanitë e teknologjisë informative, apo bankat, duket se nuk marrin pjesë në këto përpjekje.

Motivi për të marrë pjesë në këto përpjekje duket të jetë i ndryshëm, thanë ekspertët dhe rekrutuesit. Disa biznese përfitojnë shkurtime të taksave dhe grante në këmbim të rekrutimit të ushtarëve për luftën në Ukrainë.


Pronina, rekrutuese për Hekurudhat Ruse, i tha REL-it se për shkak të pjesëmarrjes në këtë përpjekje, kompania ka arritur të shmangë dërgimin në luftë të specialistëve të saj të kualifikuar.

“Kompanitë kanë inxhinierë të cilëve u duhet një kohë e gjatë që të trajnohen. Kompanitë duhet të ofrojnë një numër të caktuar të vullnetarëve për ‘luftë’”, tha ajo. “Dhe në vend të këtyre vullnetarëve, ata të marrin ty. Prandaj, është një bonus i mirë për ty, dhe ata nuk kanë nevojë të dërgojnë inxhinierët e tyre”.

Pavel Luzin, ekspert për ushtrinë ruse që aktualisht ligjëron në Universitetin Tufts të Drejtësisë dhe Diplomacisë në SHBA, tha se sistemi i rekrutimit ka gjasa që jetë improvizuar nën presion nga elitat rajonale dhe guvernatorët rajonalë.

“Nuk ka një planifikim afatgjatë për këtë”, tha ai.

Sipas Luzin, rekrutimet që premtojnë përfitime shtesë janë të dizajnuara “jo për njerëzit e mençur, por për ata pa principe morale”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG