Ndërlidhjet

Christopher Hill në sallën e gjyqit në Hagë.
Christopher Hill në sallën e gjyqit në Hagë.

Krejt çfarë tha Hill në ditën e parë të dëshmisë në Hagë

• Christopher Hill, ish i dërguar i posaçëm i SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, dëshmoi në mbrojtje të Hashim Thaçit.

• Hill dëshmoi se Thaçi nuk e drejtonte UÇK-në dhe se ajo nuk ishte strukturë me organizim hierarkik.

• Gjyqi ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit po shkon drejt përfundimit.

• Që të gjithë i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së viteve 1998–1999.


15:58 10.11.2025

Hill: Gelbard e quajti UÇK-në “terroriste”, sikur i dha sinjal sulmit serb në familjen Jashari

I pyetur nga mbrojtja nëse ambasadori Gelbard i ishte referuar UÇK -së si organizatë “terroriste”, Hill tha “po”.

Hill shpjegoi se Gelbard ishte bazuar në përvojën e tij në Amerikën Latine kur e cilësoi të tillë UÇK-në.

“Pati shumë kritika për deklaratën e Gelbard se UÇK-ja ishte organizatë terroriste, dhe kishte fjalë se kjo e kishte shpejtuar këtë ngjarje, pra sulmin në familjen Jashari. Gelbard sikurse kishte dhënë dritën jeshile që kjo të ndodhte. Besoj se nuk ka provë për një gjë të tillë, por ajo është diskutuar, nëse i dërguari amerikan e quan UÇK-në terroriste, sikur u jep sinjal serbëve të lëviznin kundër tyre”, tha Hill.

Hill shtoi se Gelbard, më pas, mori qëndrim shumë më të ashpër ndaj serbëve, pasi ndodhi ngjarja në Prekaz, dhe përfshiu bisedë të ashpër me Millosheviqin”.

“Millisheviqi më pas deklaroi se ai nuk donte të takohej më me Gelbard. Gjithë çështja në maj filloi me fjalimin apo komentet e Gelbardit nga përvojat e mëhershme”, tha Hill.

Hill tha se Shtetet e Bashkuara kanë mekanizëm për ta shpallur terroriste një organizatë të huaj dhe se, sipas tij, ato nuk e kanë cilësuar të tillë UÇK-në.

16:07 10.11.2025

Hill thotë se kontakti i tij i parë me UÇK-në ndodhi në verën e ’98-ës

Hill tha se kontakti i tij i parë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ndodhi në verën e vitit 1998 në Tiranë të Shqipërisë.

“Derisa po punoja me stafin tim dhe të tjerë, duhej të gjenim një zyrtar apo grup zyrtarësh të UÇK-së me të cilët mund të flisnim lidhur me UÇK-në. Duhet të shtoj se kam punuar për një kohë në këtë drejtim pa pasur sukses dhe arritëm në përfundim se nuk kishte një udhëheqje të tillë. Pra, këtu bëhej fjalë për një grup njerëzish në nivel vendor, që ishte përshkrim shumë më i saktë i asaj me të cilën po merreshim ne”, tha Hill, duke iu referuar UÇK-së.

Ai shtoi se në Tiranë takoi “dikë që na e kishin përshkruar si kreun e UÇK-së”.

“Unë dhe kolegët e mi erdhëm në përfundim se ai vepron brenda kësaj lëvizjeje, por nuk mund të flasë në emër të UÇK-së. Ne vazhduam punën për të gjetur njerëz që mund të flisnim si përgjegjës për këtë. Shkuam në verë dhe vjeshtë të ’98-ës në Likoc”, tregoi Hill.

Hill tha se nuk i kujtohej emri i personit të parë nga UÇK-ja me të cilin ishte takuar, por i kërkoi avokatit që e merrte në pyetje për t'i thënë ndonjë emër.

Avokati e pyeti nëse ishte Xhavit Haliti, dhe Hill i tha se “po”.

16:37 10.11.2025

Hill: UÇK-ja nuk ishte strukturë me organizim hierarkik

I pyetur nga mbrojtja e Thaçit nëse Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte strukturë vertikale me organizim hierarkik, Hill tha “jo”.

16:46 10.11.2025

Hill thotë se UÇK-ja donte që ajo të ishte zëri i Kosovës, jo Rugova

I pyetur nga mbrojtja se cilat ishin synimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hill tha se ajo donte që vetë UÇK-ja të ishte zëri i Kosovës dhe jo Ibrahim Rugova.

“UÇK-ja donte të punonte me Shtetet e Bashkuara sepse mendonte se ato mund t’i ndihmonin Kosovës ta fitojë pavarësinë afatmesme”, tha Hill.

“Mu krijua përshtypja se ata nuk donin të punonin me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ata bënë çfarë mundën që ta prishnin reputacionin e LDK-së”.

“Në vend që Ibrahim Rugova të ishte zëri i Kosovës, ata donin që vetë të ishin zëri i Kosovës. Mendoj që zëvendësimi i Rugovës si zëri i Kosovës dhe që vetë ata të flisnin për pavarësimin e Kosovës, ishte ndër synimet e tyre”, shtoi ai.

I pyetur nëse UÇK-ja e kishte synim përfundimtar ta udhëhiqte Kosovën, Hill u përgjigj: “Nuk e kam dëgjuar këtë konkretisht, por çfarë kam dëgjuar se ata donin autonomi dhe të ishin të pavarur”.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG