Ndërlidhjet

Christopher Hill në sallën e gjyqit në Hagë.
Christopher Hill në sallën e gjyqit në Hagë.

Krejt çfarë tha Hill në ditën e parë të dëshmisë në Hagë

• Christopher Hill, ish i dërguar i posaçëm i SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, dëshmoi në mbrojtje të Hashim Thaçit.

• Hill dëshmoi se Thaçi nuk e drejtonte UÇK-në dhe se ajo nuk ishte strukturë me organizim hierarkik.

• Gjyqi ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit po shkon drejt përfundimit.

• Që të gjithë i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së viteve 1998–1999.


13:52 10.11.2025

Përshëndetje të dashur lexues,

Radio Evropa e Lirë do ta mbulojë drejtpërdrejt dëshminë e Christopher Hillit, ish të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara gjatë luftës në Kosovë, në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

Për të qenë të informuar në kohë reale për dëshminë e tij, na ndiqni!

14:48 10.11.2025

Kush është Christopher Hill?

Christopher Hill është diplomat i pensionuar karriere dhe ka qenë i përfshirë në çështje lidhur me Kosovën, përfshirë si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara gjatë luftës në Kosovë dhe ishte i përfshirë drejtpërdrejt edhe në bisedimet në Rambuje në vitin 1999.

Ai kishte disa takime me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999. Hill, së bashku me diplomatin e lartë amerikan, Richard Holbrooke, kishin takuar përfaqësuesit e UÇK-së në Junik në qershor të ’98-ës.

Ndërsa, me ambasadorin William Walker e kishin vizituar shtabin e UÇK-së në Likoc më 13 janar të ’99-ës, për ta ndërmjetësuar lirimin e tetë ushtarëve serbë të cilët ishin zënë rob.

Diplomati Hill ishte angazhuar si pjesë e Grupit të Kontaktit për të gjetur një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë gjatë takimeve në Rambuje të Francës.

Megjithatë, bisedimet në Rambuje përfunduan pa sukses, pasi pala serbe nuk pranoi ta nënshkruante marrëveshjen, duke nxitur NATO-n ta kryejë një fushatë 78-ditore të bombardimeve ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Diplomati amerikan së voni shërbeu edhe si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Serbi.

14:59 10.11.2025

Hill nis dëshminë

Christopher Hill sapo e ka nisur dëshminë e tij.

Të gjithë të akuzuarit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

REL-i do t’ju sjellë hollësi nga dëshmia e tij.

15:04 10.11.2025

Për çfarë akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Hashim Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Kadri Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Jakup Krasniqi zëdhënës, ndërsa Rexhep Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.

Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e mohojnë fajësinë.

Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët.

Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG