Hill: Ishte e vështirë të gjeje njerëz në UÇK që flisnin me autoritet
Hill shpjegoi gjatë dëshmisë se ka qenë e vështirë të gjendeshin njerëz në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës të cilët mund të flisnin me autoritet për çështjen e Kosovës.
“Robert Gelbard, i cili kishte mbajtur pozitën që e mora unë pas tij, ai kishte pasur takime me shqiptarë të Kosovës në Zvicër dhe ai kishte dëgjuar se ata ishin udhëheqës të UÇK-së. Por, nuk kishte prova që ata ishin udhëheqës të saj”, tha Hill.
Hill: Isha skeptik për takimin Rugova-Millosheviq në Beograd
Hill tha se SHBA-ja e nxiti Ibrahim Rugovën të takohej me Sllobodan Millosheviqin në Beograd më 1998.
“Kur ambasadori [Richard] Holbrooke shkoi në Prishtinë, unë isha me të, dhe u ulëm me presidentin Rugova. Edhe pse nuk e kishim diskutuar këtë paraprakisht, ambasadori Holbrooke tha se ishte ide e mirë nëse Rugova do ta takonte Millosheviqin në Beograd, sepse mendonte se ky takim do të zgjidhte shumë probleme”.
“Unë isha shumë skeptik”, tha Hill.
I pyetur nëse takimi mes Rugovës dhe Millosheviqit kishte ndikim në imazhin që kishte Rugova te shqiptarët e Kosovës, Hill theksoi:
“Mendoj se e dëmtoi Rugovën, sepse njerëzit në Kosovë nuk mund t'i ndihmonte. Unë kisha rezerva se takimi mund të ndihmonte. Ai ishte shumë i shqetësuar, por nuk donte që në takimin e parë me Holbrooke të gjendej në një situatë ku refuzonte”, shpjegoi Hill.
Hill tregon se me kë komunikonte në Kosovë dhe Serbi gjatë luftës
Avokati mbrojtës tani vazhdoi me pyetjet e tij rreth komunikimeve të Hillit si i dërguar amerikan në konfliktin e Kosovës.
Hill dëshmoi se ka biseduar me të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë.
“Ka qenë e rëndësishme të bisedonim me palët e ndryshme, të cilat do të ishin pjesë e zgjidhjes ose problemit pastaj. Kam kaluar shumë kohë në përpjekje për të komunikuar me njerëzit qoftë nga pala serbe apo ajo e Kosovës”, tha ai.
I pyetur nga avokati mbrojtës se me kë kishte punuar nga pala serbe, Hill u përgjigj: “Kam punuar me presidentin Sllobodan Millosheviq dhe ekipin e tij, ku përfshiheshin ish-ministri i Jashtëm, zoti Milletinoviq”.
“Nga pala serbe ishte shumë e kufizuar, ishte kryesisht Millosheviq”.
Hill shtoi se për të ka qenë sfidë e madhe ta gjente dikë me autoritet për të biseduar në Kosovë.
“Ishte e vështirë të gjesh njerëz që flisnin me autoritet. Nuk ishte problem të gjeje dikë që jepte mendim, por ishte problem të gjeje dikë që fliste me autoritet. Një prej personave ishte natyrisht, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova”.
“Por, Rugova nuk ishte personi i vetëm me të cilin mund të komunikoje në Kosovë, sepse nuk i përfaqësonte të gjitha pikëpamjet”.
Hill: Në çështjen e Kosovës u përfshiva për herë të parë në maj ‘98
Avokati i Thaçit, Lluka Misetiq, e pyeti Hillin se kur ishte përfshirë për herë të parë për zgjidhjen e tensioneve në Kosovë.
Hill theksoi se “jam përfshirë për herë të parë në maj të vitit 1998”.
“Mora një telefonatë nga sekretarja e Shtetit e asaj kohe, Madeleine Albright, e cila më kërkoi që përveç detyrave të mia si ambasador amerikan në Maqedoni, të merrja përsipër edhe postin e të dërguarit të posaçëm në Kosovë”, tha ai.
Hill theksoi se në rolin e tij atëkohë i raportonte Albrightit.