Ndërlidhjet

Pse ekspertët rusë të armëve vizituan Iranin?


Një raketë me rreze të gjatë veprimi, e llojit S-200, e lëshuar gjatë stërvitjeve ushtarake në Iran. Fotografi nga arkivi.
Një raketë me rreze të gjatë veprimi, e llojit S-200, e lëshuar gjatë stërvitjeve ushtarake në Iran. Fotografi nga arkivi.

Zyrtarë të lartë rusë për raketa dhe specialistë të mbrojtjes ajrore udhëtuan për në Iran vitin e kaluar, teksa Republika Islamike zgjeroi bashkëpunimin e saj ushtarak me Moskën.

Reuters, që fillimisht raportoi për këtë çështje, tha se shtatë ekspertë rusë vizituan Iranin më 24 prill dhe 17 shtator të vitit 2024.

Vizitat u realizuan në një kohë kritike për Iranin, që u përfshi në një konflikt me armikun e kamotshëm, Izraelin, dhe dy palët kryen sulme ushtarake ndaj njëra-tjetrës në prill dhe tetor.

As zyrtarët iranianë e as ata rusë nuk kanë komentuar për këtë raportim dhe nuk ka një shpjegim zyrtar për këto udhëtime. Analistët thanë se megjithëse vizitat janë të rëndësishme, ato nuk janë befasuese.

“Ka qenë një proces i ndërsjellë i mësimit në përplasjen mes Iranit dhe Izraelit, i cili po ashtu u ka siguruar rusëve të dhëna mbi mbrojtjen ajrore”, tha për Radion Evropa e Lirë, Nicole Grajewski, hulumtuese në Programin për Politika Bërthamore në Carnegie.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Iranit, gjenerali Mohammad Bagheri, gjatë takimit me sekretarin e Këshillit rus për Siguri, Sergei Shoigu, në Teheran në gusht të vitit 2024.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Iranit, gjenerali Mohammad Bagheri, gjatë takimit me sekretarin e Këshillit rus për Siguri, Sergei Shoigu, në Teheran në gusht të vitit 2024.

Përveç zhvillimit brenda vendit të sistemit të mbrojtjes ajrore, Irani përdor po ashtu sisteme ruse të mbrojtjes ajrore të llojit S-300, dërgimi i të cilave përfundoi në vitin 2016.

Në prill të vitit 2024, imazhet satelitore treguan një radar S-300 që ishte dëmtuar nga një sulm preciz izraelit, që u krye në shenjë hakmarrjeje me sulmin masiv me dronë dhe raketa që Irani kishte kryer disa javë më herët.

Dështimi që Rusia të furnizojë me mbrojtje ajrore për të penguar sulmet ajrore izraelite është një arsye tjetër pse ekspertët rusë mund të kenë vizituar Iranin, sipas Farzin Nadimi, hulumtues i lartë në Institutin e Uashingtonit.

“Mendoj se një nga qëllimet kryesore të vizitave ishte të ofronin ndihmë teknike për Iranin për të kuptuar se çfarë ndodhi saktësisht dhe si të mbrohen nga sulmet izraelite”, tha Nadimi për Radio Farda të REL-it.

“Këto vizita kishin për qëllim të studionin të dhënat dhe të përmirësonin performancën e mbrojtjeve ajrore kundër sulmeve të reja, të cilat, siç e pamë, nuk funksionuan”, shtoi ai.

Tetorin e kaluar, Izraeli u hakmor ndaj sulmit të dytë, njëherësh sulmit më të madh të kryer ndonjëherë direkt nga Irani, duke shënjestruar ndërtesa kyç ushtarake dhe duke degraduar kapacitetet e mbrojtjes ajrore dhe prodhimit të raketave të Teheranit.

A mund që një marrëveshje SHBA-Rusi të dëmtojë lidhjet Teheran-Moskë?

Vizitat në Iran të ekspertëve ushtarakë rusë paraqesin një lloj përfitimi që Teherani mund ta humbasë nëse Moska dhe Uashingtoni arrijnë një marrëveshje që do t’i kërkonte Rusisë të zvogëlonte bashkëpunimin e saj në fushën e mbrojtjes me Republikën Islamike.

Që kur zyrtarë të lartë të SHBA-së dhe Rusisë u takuan në Riad muajin e kaluar për të normalizuar raportet dhe për t’i dhënë fund luftën në Ukrainë, ka pasur spekulime se Kremlini mund të heqë dorë nga Irani për të përfituar një marrëveshje më të mirë.

Grajewski argumentoi se Irani dhe Rusia nuk kanë një raport të fortë ekonomik, kështu që financiarisht Teherani nuk do të vuante shumë. Por, ndikimi mund të ndihet në fusha të tjera.

“Nëse Rusia e braktisë plotësisht Iranin, Irani do të vuante kryesisht në fushën e përmirësimit të kapaciteteve të tij ushtarake konvencionale”, tha ajo. “Rusët kanë qenë të thelbësorë për këtë çështje, si për prodhimin brenda vendit të armëve ruse, ashtu edhe për transferimin e armëve”.

Irani ka ofruar për Rusinë dronë të lirë, por efektivë, të cilët janë përdorur kundër Ukrainës gjatë luftës, dhe qeveritë perëndimore kanë akuzuar Teheranin se i ka ofruar Moskës raketa balistike për të ndihmuar në pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës që Rusia nisi më 2022.

Nadimi i Institutit i Uashingtonit theksoi se mbështetja e Rusisë në pajisjet iraniane nuk ishte për shkak të mungesës së teknologjisë, por për shkak të kohës, sepse dronët iranianë janë të lirë dhe mund të prodhohen shpejt.

Megjithatë, analistët thanë se ka pak gjasa që ndonjë marrëveshje mes Kremlinit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, do të rezultonte në ndryshim afatgjatë në bashkëpunimin ushtarak midis Rusisë dhe Iranit.

“Gjëja kryesore që duhet të merret parasysh është se raporti Rusi-Iran ka shumë shtresa që mund të qëndrojnë edhe nëse ka një marrëveshje SHBA-Rusi”, tha Grajewski.

Ajo shtoi se “bashkëpunimi mes dy ushtrive është aq i thellë” sa që këmbimi i teknologjisë dhe i njohurive mund të vazhdojë, dhe nëse vetëm një pjesë e Qeverisë ruse mbetet e angazhuar me Iranin.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG