Ndërlidhjet

‘Faqet kërpudhë’, fajtore për një mal dezinformatash në Bullgari


Krahasim i artikujve të kopjuar disa herë, me qëllim të përhapjes së dezinformatës se NATO-ja po përgatitet për luftë me Rusinë, përmes kryerjes së stërvitjeve në Poloni. Shumë faqe online e kanë dizajnin identik.
Krahasim i artikujve të kopjuar disa herë, me qëllim të përhapjes së dezinformatës se NATO-ja po përgatitet për luftë me Rusinë, përmes kryerjes së stërvitjeve në Poloni. Shumë faqe online e kanë dizajnin identik.

Në periudhën kur Polonia ka qenë nikoqire e stërvitjeve ushtarake të NATO-s, operativët e dezinformimit janë aktivizuar tej mase në Bullgari, një tokë shumë pjellore për narrativët miqësorë ndaj Kremlinit.

Stërvitjet e 4-5 marsit, të zhvilluara në kuadër të programit të NATO-s ‘Steadfast Defender’, janë zhvilluar shpejt dhe në to janë matur forcat e NATO-s, në rast të ndonjë pushtimi rus.

Disa paralajmërime në një portal si “Dragon 24: NATO-ja përgatitet për luftë me Rusinë, ushtarët kalojnë lumin polak ‘Vistula’”, janë bërë vetëm për qëllime klikimi dhe për të joshur sa më shumë lexues.

Dhe kjo faqe nuk ka qenë e vetmja, por vetëm një mostër e të ashtuquajturave “faqe kërpudha”, të cilat janë krijuar shpejt, lirë dhe me qëllim të përhapjes së dezinformatave dhe lajmeve të rreme për organizime të mëdha.

Të paktën 25 faqe bullgare të lajmeve – disa që duken si legjitime – kanë publikuar të dhëna të rreme për stërvitjet e NATO-s, sipas një raporti të përpiluar prej Digital Forensic Research Lab (DFRLab), një njësit për çështje dezinformimi të Këshillit Atlantik – institut me bazë në Uashington.

Një organizatë joqeveritare lokale ka thënë se numri i faqeve të tilla online në Bullgari është 400.

Në raportin e kësaj organizate janë përmendur disa lloje të faqeve që kanë qarkulluar.

Shumica nuk kanë qenë drejtpërdrejt të fokusuara në lajme “të rënda”, por më shumë në sport, argëtim dhe gjëra të përditshmërisë.

Pas përhapjes së faqeve, përmbajtja më pas qarkullon edhe në rrjetet sociale, kryesisht në Facebook.

Në këtë rast janë përdorur taktikat e kërpudhës.

Një shembull i një llogarie të rreme, që e ka përdorur një fotografi të marrë prej internetit. Llogaria është menaxhuar prej një grupi të dedikuar ndaj presidentit, Rumen Radev.
Një shembull i një llogarie të rreme, që e ka përdorur një fotografi të marrë prej internetit. Llogaria është menaxhuar prej një grupi të dedikuar ndaj presidentit, Rumen Radev.

Një laborator i Bashkimit Evropian për dezinformata, organizatë joqeveritare në Evropë, e ka shpërfaqur një operacion për qëllime ndikimi me bazë në Rusi, i cili ekziston prej majit të vitit 2022, vetëm disa muaj pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

Operacioni Doppelganger, siç i është dhënë emri fushatës, ka funksionuar përmes klonimit të shumë mediave autentike (të paktën 17 mediave me nam sikurse Bild, The Guardian dhe RBC Ukraine) dhe ka shënjestruar përdoruesit me artikujt të rremë, video dhe sondazhe të ndryshme.

Për ta arritur këtë, shumë persona kanë blerë domenë të ndryshëm me emra dhe dizajne që kanë qenë të ngjashme ato të mediave të mëdha.

Përfitimet prej lajmeve të rreme

Përhapja e dezinformatave e ka edhe çmimin e vet.

Në raportin e vet, DFRLab ka gjetur se qindra domenë që përhapin propagandë proruse janë duke përfituar nëpër platforma digjitale.

“Pra, përveç përhapjes së dezinformatave proruse dhe përputhjes së agjendës me atë të Kremlinit, faqet kërpudha të Bullgarisë e kanë monetizuar përhapjen e dezinformatave dhe kanë bërë tituj të klikueshëm për të nxitur sa më shumë njerëz që t’i hapin faqet”, ka thënë Sapo Gelava, autore e raportit, në disa përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Më 2023, Qendra për Studim të Demokracitë, institut bullgar për politika publike, ka raportuar për një lidhje në mes të përhapjes së dezinformatave ruse dhe AdRain.bg, platformë digjitale reklamuese në Bullgari.

Në hulumtimin e fundit kërkimor për DFRLab, Gelava “ka gjetur se emailat e lidhura me platformën reklamuese AdRain kanë regjistruar të paktën 10 faqe në rrjet në periudhën 2013-2018”.

Një bashkëpronar i rrjetit AdRain i ka mohuar këto pretendime.

“AdRain është platformë që shërben për reklamim. Ngjashëm me AdSense të Google-ut, AdNow [një tjetër platformë reklamuese] dhe qindra tjera. Regjistrimi në AdRain është falas, dhe çdo pronar mund të regjistrohet në platformë dhe të përdorë një kod për shërbime dhe monitorim”, ka thënë Miroslav Kastsarov për Shërbimin bullgar të Radios Evropa e Lirë.

“AdRain nuk e ka pronësinë e 10 faqeve të listuara. Biznesi i AdRain-it është i kufizuar vetëm në menaxhim të reklamave. Faqet për të cilat keni pyetur e përdorin platformën për menaxhim të reklamave”, ka shtuar Kastsarov.

Zonë pjellore për dezinformata

Me një përzierje të partive proruse, mungesë të vullnetit politik dhe arsimimit të ulët mediatik, Bullgaria, vend anëtar i Bashkimit Evropian, është shënjestër e propagandës së Kremlinit, pasi ky shtet tradicionalisht shënon pak pikë në Indeksin për Arsimim mbi Mediat, në nivel të bllokut evropian.

Sipas një sondazhi të kryer më 2023 nga Eurobarometer, i cili vëzhgon opinionin publik nëpër BE, vetëm 44 për qind e bullgarëve kanë ngritur dyshime për informacionin që marrin nëpër rrjetet sociale, në krahasim me mesataren e BE-së prej 60 për qind.

Reklamat që kanë qarkulluar në periudhën 2020-2023 duke promovuar domenë brenda rrjetit të ashtuquajtur kërpudhë.
Reklamat që kanë qarkulluar në periudhën 2020-2023 duke promovuar domenë brenda rrjetit të ashtuquajtur kërpudhë.

Dezinformatat e përhapura përgjatë pandemisë së koronavirusit, kryesisht prej Partisë Socialiste Bullgare, e cila ka bindje proruse, dhe partisë së ekstremit të djathtë, Mbijetesa, kanë luajtur rol shumë të madh për shkallën rekorde të infektimeve me këtë virus në këtë shtet, më të varfrin në BE.

Prej vitit 2022, përpjekjet për dezinformim janë fokusuar në promovim të presidentit rus, Vladimir Putin si lider i fuqishëm, dhe për arsyetim të luftës së Kremlinit kundër Ukrainës, një shtet që prezantohet si i korruptuar dhe në duart e fashistëve.

Shembull, më 2023, Factcheck.bg ka raportuar se rrjeti i faqeve kërpudha e ka përhapur dezinformtën që pretendonte se fëmijët refugjatë ukrainas në shtetet e BE-së janë marrë prej prindërve të tyre.

Një vit më parë, një organizatë ukrainase për verifikim faktesh, StopFake, ka raportuar se faqet bullgare, që kanë përhapur lajme të rreme, sugjerojnë se Ukraina ka kryer gjenocid kundër popullit në rajonin lindor të Ukrainës, Donbas.

Pas përhapjes së disa dezinformatave tjera që e portretizojnë NATO-n si agresore, me qëllim të rritjes së frikës për luftë me Rusinë, autoritetet bullgare janë ankuar që diçka e tillë po ndikon në gatishmërinë e ushtrisë, pasi më pak bullgarë janë duke aplikuar në akademitë ushtarake të shtetit.

“Pjesëtarë të mediave, shërbyes civilë, dhe gazetarë të mediave tradicionale janë, po ashtu, të përfshirë në dezinformata proruse”, ka thënë Ralitsa Kovacheva, kryeredaktore e faqes verifikuese bullgare, Factcheck.bg.

Pavarësisht shkallës së problemit, Sofja ka bërë pak për të luftuar fushatat e dezinformimit, ka shtuar Kovacheva.

Tani Bullgaria e gjen veten sërish në trazira politike, pasi arritja e një marrëveshjeje politike për ndarje pushteti, pas zgjedhjeve të prillit të vitit 2023, ka dalë të jetë shumë sfiduese në zbatim.

Me qëllim të formimit të Qeverisë së re, vendi do të mbajë sërish zgjedhje të parakohshme parlamentare – të gjashtat në vetëm tri vjet – në 9 qershor, ditën e njëjtë kur bullgarët do të votojnë edhe për zgjedhjet e Parlamentit Evropian.

“Po përballemi me zgjedhje të reja të parakohshme, prandaj nuk pres zhvillime pozitive në luftën institucionale kundër dezinformatave në të ardhmen e afërt”, ka thënë Kovacheva.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG