Limaj: Zgjedhja e nënkryetarit është antikushtetuese
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka cilësuar si “antikushtetuese” zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nga pakica serbe.
“Ajo çka pamë sot është, nëse e lexoni me kujdes aktgjykimin e Kushtetueses, shihet se kjo që ka ndodhur sot këtu është tërësisht antikushtetuese”, tha Limaj për Klan Kosovën.
“Praktikisht ne po hyjnë në një fazë të shkeljes së vazhdueshme të Kushtetutës. Aktgjykimi i fundit e tregon qartësisht se të drejtën për propozuar e ka shumica serbe”, shtoi ai.
Abdixhiku: Ta shohim a i ka LVV-ja numrat për formim të qeverisë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shkroi në Facebook se deputetët e kësaj partie vendosën ta votojnë Nenad Rashiqin për nënkryetar të Kuvendit pasi vlerësuan se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese hapi rrugë për këtë gjë.
“E vetëdijshme se debati i paqenë mbi Listën Serbe dhe veton e saj në procesin e konstituimit të kuvendit, ishte kthyer në temë elektorale, LDK-ja vendosi ta largojë këtë çështje nga axhenda politike dhe institucionale, duke i hapur rrugë procesit kushtetues dhe institucional të vendit”, shkroi Abdixhiku.
Ai tha se po të mos ishte bërë kjo, do të kishte “shkelje të reja kushtetuese” nga Lëvizvja Vetëvendosje “përfshirë uzurpimin e institucioneve nga një qeveri pa legjitimitet dhe pa autorizime ligjore e kushtetuese”.
“Rruga për formimin e Qeverisë është tashmë e hapur. Për 177 ditë me radhë, ata kanë thënë se i kanë votat. Tani le ta dëshmojnë këtë fakt para qytetarëve të Kosovës”, përfundoi ai.
Haxhiu thotë se LVV-ja përjashton si partnerë për koalicion qeverisës PDK-në dhe Listën Serbe
Pas seancës konstituive, nënkryetarja e Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se partia e saj, që ka fituar zgjedhjet e shkurtit, është e interesuar për të gjetur një partner koalicioni për të qeverisur me vendin.
Ajo tha se LVV-ja është e hapur për koalicion me të gjitha partitë parlamentare, përjashtuar Partinë Demokratike të Kosovës dhe Listën Serbe.
“Ne do të fillojmë me procedurat për dërgimin e emrit të mandatarit tonë, kryeministrit Albin Kurti. Ne do të vazhdojmë komunikimet edhe me deputetët e tjerë nëse kanë vullnet me qenë pjesë e qeverisë”, tha Haxhiu.
Lajmin e plotë e gjeni më poshtë:
Serbia kundërshton zgjedhjen e Rashiqit në postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës
Lidhur me zgjedhjen e Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës ka reaguar edhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.
Sipas Petkoviqit, zgjedhja e Rashiqit është “krejtësisht joligjore”, pasi sipas tij, posti i nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb i përket “vetëm Listës Serbe”.
“Shkeljet e vendimeve ligjore të [kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin] Kurti arritën kulmin sot. Nëse Kurti zgjedh Rashiqin, serbët do ta zgjedhin Listën Serbe edhe më fuqishëm”, shkroi ai në X, duke u bërë thirrje serbëve në Kosovë që në zgjedhjet lokale, që mbahen të dielën, të mbështesin Listën Serbe.
Thirrje të ngjashme për mbështetje të Listës Serbe në zgjedhjet lokale ka bërë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, teksa krerët shtetërorë në Kosovë e kanë akuzuar Serbinë se po ndërhyn në zgjedhjet e 12 tetorit, duke kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të reagojë.