Dështojnë të gjitha propozimet e Listës Serbe për postin e nënkryetarit
Deputeti Igor Simiq, njëjtë si të gjithë deputetët e tjerë të Listës Serbe, dështoi të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar.
Kështu, tani nuk ka mbetur asnjë deputet nga Lista Serbe që mund të propozohet për ta marrë postin e nënkryetarit.
I vetmi deputetet i mbetur nga komuniteti serb është Nenad Rashiq, i cili megjithatë vjen nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Basha kërkon short për nënkryetarin, pasi Simiq nuk e propozoi Rashiqin
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka kërkuar që votimi për nënkryetarin serb të Kuvendit të vazhdojë më short, duke e kritikuar përfaqësuesin e deputetëve serb, Igor Simiqin e Listës Serbe, se nuk pranoi ta propozonte Nenad Rashiqin.
Rashiqi vjen nga partia serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
“Meqë po refuzohet të propozohet kandidati i mbetur, i cili po ashtu përfaqëson komunitetin serb, që është në harmoni të plotë me nenin 67 të Kushtetutës, atëherë në bazë të Rregullores së Punës së Kuvendit, jam i detyruar të vazhdoj me procedurës e shortit si mekanizëm zhbllokues”, tha Basha.
Simiq nga Lista Serbe tha se nëse do ta propozonte dike tjetër, do të ishte “shkelje kushtetuese”.
“Ne mund të propozojmë sërish dikë nga komuniteti serb, por vetëm këta kandidatë [të propozuar më parë] kanë të drejtë në bazë, të Kushtetutës dhe në bazë të Rregullores së Kuvendit. Gjithçka tjetër do të ishte shkelje e Kushtetutës dhe e Rregullores. Kjo pozitë i takon vetëm grupit të Listës Serbe”, tha ai.
Nenad Rashiq zgjidhet nënkryetar
Nenad Rashiq, nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, pas dështimit të nëntë propozimeve të Listës Serbe dhe kalimit në zgjedhjen e nënkryetarit përmes procedurës së shortit.
Me 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime, ai u bë njëri nga pesë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës.
Përveç votave nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa prej deputetetëve të komuniteteve joshumicë joserbe, ai siguroi edhe votat e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan, ndërsa Lista Serbe votoi kundër.
Basha e shpall të konstituuar Kuvendin
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli Kuvendin e Kosovës të konstituuar pasi Nenad Rashiq u zgjodh nënkryetar i Kuvendit nga pakica serbe.
Rashiq është nënkryetari i pestë i Kuvendit.
Ai e deklaroi gjithashtu të mbyllur seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Kjo nënkupton se tani është hapur rruga edhe për formimin e qeverisë së re të vendit, shumë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.