Bajrami: E votuam Rashiqin shkaku i aktgjykimit të Kushtetueses
Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se arsyeja pse deputetët e LDK-së votuan për Nenad Rashiqin si nënkryetar të Kuvendit është aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese.
“Ne votuam për Nenad Rashiqin sot sepse aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka dhënë një interpretim të cilin ne nuk e kishim paraparë dhe, sipas asaj që ne kemi kuptuar, ai ka të drejtë të zgjedhet nënkryetar nga komuniteti serb”, tha Bajrami.
Lista Serbe insistoi se të drejtë për t'u zgjedhur nënkryetar nga radhët e komunitetit serb kanë vetëm deputetët e Listës Serbe pasi që ata përfaqësojnë vullnetin e shumicës së komunitetit serb.
E pyetur nëse do të ketë ndonjë koalicion për formim të qeverisë, Bajrami shprehu skepticizëm pasi që tha se nuk ka shumë kohë për një marrëveshje të tillë.
“Nëse nuk formohet qeveri, votat e LDK-së do të jenë për shpërbërje të Kuvendit”, tha Bajrami.
Basha e shpall të konstituuar Kuvendin
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli Kuvendin e Kosovës të konstituuar pasi Nenad Rashiq u zgjodh nënkryetar i Kuvendit nga pakica serbe.
Rashiq është nënkryetari i pestë i Kuvendit.
Ai e deklaroi gjithashtu të mbyllur seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Kjo nënkupton se tani është hapur rruga edhe për formimin e qeverisë së re të vendit, shumë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Nenad Rashiq zgjidhet nënkryetar
Nenad Rashiq, nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, pas dështimit të nëntë propozimeve të Listës Serbe dhe kalimit në zgjedhjen e nënkryetarit përmes procedurës së shortit.
Me 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime, ai u bë njëri nga pesë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës.
Përveç votave nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa prej deputetetëve të komuniteteve joshumicë joserbe, ai siguroi edhe votat e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan, ndërsa Lista Serbe votoi kundër.
Basha kërkon short për nënkryetarin, pasi Simiq nuk e propozoi Rashiqin
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka kërkuar që votimi për nënkryetarin serb të Kuvendit të vazhdojë më short, duke e kritikuar përfaqësuesin e deputetëve serb, Igor Simiqin e Listës Serbe, se nuk pranoi ta propozonte Nenad Rashiqin.
Rashiqi vjen nga partia serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
“Meqë po refuzohet të propozohet kandidati i mbetur, i cili po ashtu përfaqëson komunitetin serb, që është në harmoni të plotë me nenin 67 të Kushtetutës, atëherë në bazë të Rregullores së Punës së Kuvendit, jam i detyruar të vazhdoj me procedurës e shortit si mekanizëm zhbllokues”, tha Basha.
Simiq nga Lista Serbe tha se nëse do ta propozonte dike tjetër, do të ishte “shkelje kushtetuese”.
“Ne mund të propozojmë sërish dikë nga komuniteti serb, por vetëm këta kandidatë [të propozuar më parë] kanë të drejtë në bazë, të Kushtetutës dhe në bazë të Rregullores së Kuvendit. Gjithçka tjetër do të ishte shkelje e Kushtetutës dhe e Rregullores. Kjo pozitë i takon vetëm grupit të Listës Serbe”, tha ai.