Iryna ka qenë një prej dhjetëra personave të mbledhur afër një nyje trafiku për të ngrënë ushqim.
Kjo 70-vjeçare ka punuar dikur si gazetare, mirëpo me pensionin modest që ka tani, dhe pa ndihmë prej ndonjë familjari, ajo detyrohet të kërkojë rregullisht ushqim në një qendër të bamirësisë.
Shumë prej personave që përbëjnë radhën për të marrë pak bukë të bardhë me një salcë mishi dhe nga një mollë, janë të moshuar, të zhvendosur, apo të dëbuar, ka thënë Zhanna Tsvir, vullnetare në qendrën religjioze të bamirësisë, Sant’Egidio, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“Këta janë persona që nuk kanë pasur fat”, ka thënë ajo.
Vlerësohet që rreth 7.3 milionë ukrainas përballen me pasiguri të mëdha, përfshirë 1.2 milion fëmijë dhe rreth 2 milionë të moshuar, sipas një analize të Kombeve të Bashkuara.
Në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, është përqendruar pjesa më e madhe e njerëzve që kanë pasiguri në ushqim, mirëpo një pjesë e mirë janë edhe afër vijës së frontit, pasi atje njerëzit po përballet me mungesa të mëdha të ushqimit, kanë thënë menaxherët e qendrës së bamirësisë.
Lufta nuk preku njëjtë të gjithë sektorët
Këto shifra janë në kundërshtim me zhurmën e qendrës së qytetit të Kievit, për shkak të restoranteve luksoze, makinave të shtrenjta dhe dyqaneve të markave botërore.
Ekonomia ukrainase ka treguar shenja të rimëkëmbjes pas recesionit të thellë që ka përjetuar me nisjen e luftës së Rusisë në Ukrainë, më 2022.
Pas një rënieje prej 30 për qind më 2022, shifra e Bruto-Prodhimit të Brendshëm (GDP) në Ukrainë është rritur për 5.7 për qind më 2023, dhe pritet të arrijë në 3.5 për qind këtë vit.
Pas rritjes në mbi 26 për qind më 2023, inflacioni është zvogëluar në rreth 4-5 për qind në baza vjetore.
Inflacioni në çmimet e produkteve ushqimore ka rënë nga më shumë se 37 për qind sa ishte në fund të vitit 2022, në rreth 5 për qind në ditët e sotme.
Lufta nuk ka ndikuar njëjtë në secilin sektor të ekonomisë dhe te grupet sociale, mirëpo varfërimi i popullsisë në pjesë të mëdha të territorit është vënë në pah nga të dhënat që mblidhen prej shumë burimeve, ka thënë Tymofiy Brik, sociolog dhe rektor i Shkollës së Kievit për Ekonomi, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“Shumë shpejt, konfliktet socio-ekonomike mund të kthehen në faktor politik, për herë të parë në Ukrainën e pavarur”, ka thënë ai.
Numri i ukrainasve që jetojnë në varfëri është rritur për 1.8 milion prej vitit 2020, duke e çuar shifrën totale në rreth 9 milionë, apo 29 për qind e popullsisë që jeton në territorin e kontrolluar prej Kievit, ka thënë Banka Botërore, në një raport të publikuar në maj.
Në rritjen e shkallës së papunësisë ka ndikuar kryesisht humbja e vendeve të punës - pasi më shumë se një e pesta e të rriturve që ishin të punësuar para luftës, i kanë humbur vendet e punës - problem akut në mesin e personave të zhvendosur brenda shtetit.
“Ideja që të gjithë jemi në të njëjtën situatë është iluzion i krijuar nga mesazhet e përhapura për unitet në kohë lufte”, ka thënë sociologu Volodymyr Ishchenko për Radion Evropa e Lirë.
Në realitet, sipas tij, lufta ka pasur ndikim ndryshe-ndryshe nëpër grupet shoqërore, dhe që peshën më të rëndë e kanë bartur ukrainasit në rajonet në jug dhe lindje të shtetit.
Lyudmyla Mozgova është larguar prej Lisiçanskut, qytetit në rajonin lindor Luhansk, pak pasi qyteti ka rënë në duart e forcave ruse, në korrik të vitit 2022.
Kjo 48-vjeçare, nënë e katër fëmijëve dhe ish-kontabiliste, tani është vullnetare në qendrën bamirëse, Sant’Egidio.
Ajo e ka humbur shtëpinë dhe gjithçka që ka pasur, dhe të dy prindërit që kanë përfunduar në territore të pushtuara, kanë vdekur për shkak të arsyeve shëndetësore të lidhura me stresin, ka thënë ajo për Radion Evropa e Lirë.
“Kam mbetur pa një jetë që ka qenë e mirë për mua, dhe tani nuk kam asgjë”, ka thënë ajo teksa ka regjistruar njerëzit që kanë kërkuar ushqime dhe produkte tjera të domosdoshme, në zyrën e bamirësisë në Kiev.
“Pas nisjes së luftës në shkallë të plotë, kemi parë rritje të numrit të vullnetarëve të angazhuar në qendrën e bamirësisë, për t’i plotësuar nevojat e krijuara nga lufta”, ka thënë Lyudmyla Kharchenko, udhëheqëse e zyrës së qendrës bamirëse Sant’Egidio në Kiev, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“Edhe nëse lufta përfundon nesër, kriza sociale do të vazhdojë me vite”.
Aktualisht, në Ukrainë janë rreth 4.6 milionë njerëz që e kanë statusin e personave të zhvendosur brenda shtetit, dhe 1.5 milion pranojnë pagesa sociale, sipas Iryna Vereshchukut, e cila së fundmi ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministres për Riintegrim të Territoreve të Pushtuara Përkohësisht.
Qeveria i ka ndalur prej marsit pagesat prej 77 dollarëve për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe 51 dollarë për kategoritë tjera, duke prekur kështu 2.5 milionë persona, me arsyetimin se ata mund të punojnë.
Mirëpo, aktivistët kanë thënë se mungesa e mbështetjes detyron disa persona të zhvendosur brenda Ukrainës që të kthehen sërish nëpër shtëpitë e tyre, edhe nëse janë afër vijës së frontit, apo në territoret e pushtuara prej Rusisë.
Thellim i dallimeve
Pjesët në lindje dhe jug të Ukrainës kanë qenë epiqendër e krizës humanitare, mirëpo lufta ka prekur gjithë shoqërinë ukrainase, ka thënë Brik për Radion Evropa e Lirë.
“Ndoshta hapësira më e madhe po krijohet për shkak të përvojave të ndryshme nga lufta”, ka thënë ai.
“Disa janë duke kërkuar kopshtin më të mirë për fëmijët në Berlin, ndërsa të tjerët duhet të marrin armë në dorë”.
Këta shembuj tregojnë se ekzistojnë dallime të ndryshme në mënyrën se si njerëzit e përjetojnë luftën, ka thënë Olena Simonchuk, sociologe në Akademinë Kombëtare të Shkencave të Ukrainës.
Në kërkimet që ka kryer Simonchuk, ka dalë se klasa punëtore është prekur më së shumti nga humbja e vendeve të punës, për shkak të shkatërrimit të fabrikave.
Ndonëse nuk ka të dhëna të sakta të qasshme, pjesëtarë të këtij grupi shoqëror kanë më shumë mundësi për t’u thirrur në luftë.
Klasa punëtore ka vuajtur edhe për shkak të emigrimit të grave të afta për punë – rreth 6 milionë ukrainas janë regjistruar si refugjatë në Evropë, 90 për qind e tyre janë gra dhe fëmijë – ndonëse një pjesë e tyre ka arritur të kryejë punën edhe nga distanca.
Pronarët e bizneseve kanë përjetuar humbje të mëdha, mirëpo me kalimin e kohës edhe ata janë mësuar me kushtet e reja, dhe në fund ekonomia e Ukrainës ka rezultuar të jetë e qëndrueshme.
Teksa në maj të vitit 2022, vetëm 28 për qind e kompanive kanë qenë tërësisht operacionale, deri në gusht të vitit 2023, rreth 88 për qind e tyre kanë arritur t’i rikthehen punës.
Në të njëjtën kohë, Ukraina mund të jetë dëshmitare e rënies së klasës së oligarkëve, përderisa po rritet roli i shtetit në ekonomi, ka thënë Simonchuk.
Çarje uniteti
“Dinamikat e transformimit të shoqërisë në kohë lufte janë komplekse dhe të vështira për t’u parashikuar, mirëpo jemi duke parë trend pozitiv”, ka thënë ajo, duke cituar nivelet e larta të unitetit në çështje sikurse anëtarësimi në Bashkimin Evropian, në NATO, apo sa i përket identitetit ukrainas.
Edhe besimi publik në institucionet shtetërore, sidomos në ushtri, vazhdon të jetë i lartë, në krahasim me periudhën para luftës.
Megjithatë, teksa luftës nuk i dihet fundi, qëndrimet si duhet të përfundojë ajo janë duke dalluar çdo herë e më shumë, sipas Qendrës Razumkov me bazë në Kiev.
Pothuajse 44 për qind e ukrainasve besojnë se është koha për negociata zyrtare për paqe me Rusinë, 33 për qind i kundërshtojnë këto bisedime dhe 21 për qind nuk kanë mendim.
Në të njëjtën kohë, më shumë se 80 për qind kanë kundërshtuar kushtet e vëna për armëpushim nga presidenti rus, Vladimir Putin, i cili ka kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga pesë rajonet që Moska pretendon se ka zaptuar, dhe që Kievi të heqë dorë nga synimet për anëtarësim në NATO.
“Mes baticave dhe valëve të entuziazmit, po shohim që uniteti ka nisur të çahet kur është fjala për mobilizim, negociatat me Rusinë, apo edhe politikën për taksa”, ka thënë Ishchenko.