Murale shumëngjyrëshe mbulojnë shkallët e betonuara që të zbresin drejt një strehe nëntokësore në Lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.
Hapësira prej mbi 200 metrash katrorë, e ndërtuar dekada më parë, është dizajnuar për strehimin e popullatës, në rast të fatkeqësive natyrore apo ndonjë rreziku tjetër.
E rrethuar nga qetësia e lagjes, kjo hapësirë përbrenda ka gjallëri e muzikë.
“Defy them” është një organizatë të rinjsh, që merret me zhvillim të kulturës e muzikës alternative. Dhe, me lejen e Komunës së Prishtinës, ajo e ka shndërruar këtë strehimore në një qendër arti e muzike, tash e një vit.
Bendet e zhanreve rok, punk e metal incizojnë këngët e tyre brenda kësaj hapësire, e disa të tjerë i janë bashkuar shkollës së muzikës që ka themeluar kjo organizatë, pikërisht aty.
“Përderisa këto hapësira kanë mundësi të shfrytëzohen për aktivitete që janë në dobi të komunitetit, pse jo? Komuniteti na ka pranuar shumë mirë, plot fëmijë të lagjes vijnë në shkollën e muzikës”, thotë Lira Blakaj, drejtoreshë e organizatës.
Organizatës i është dashur të bëjë disa intervenime për nevojat e veta në hapësirën e strehimores, e cila ka ventilim dhe dalje të ndryshme emergjente.
Në rast rreziku, thotë Blakaj, hapësira mund të shfrytëzohet lehtësisht për qëllimin e saj primar - strehimin e popullatës.
Aktualisht, shton Blakaj, ka edhe plane për të realizuar koncerte të ndryshme me bendet që incizojnë muzikën brenda kësaj hapësire.
Projektet e organizatës përfshijnë edhe rritjen e bashkëpunimit ndëretnik përmes artit e muzikës.
Sipas Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, në Kosovë gjenden pesë strehimore nëntokësore - të gjitha në Prishtinë.
Data e saktë e ndërtimit të tyre nuk dihet, por, sipas zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, ato janë ndërtuar rreth viteve '80.
Sot, dy prej tyre janë totalisht jashtë funksionit dhe vështirë të qasshme, dy shfrytëzohen nga organizatat joqeveritare, e një tjetër nga disa punëtorë të një ndërmarrjeje komunale.
“Tri janë që mund të shfrytëzohen në rast nevoje, shpresojmë që asnjëherë nuk do të ketë nevojë”, thotë Bashkim Fushtica, drejtor për siguri në Komunën e Prishtinës.
Edhe ato që janë të rinovuara, sipas komunës, kanë vetëm kushtet elementare që janë ajrosja, uji e rryma.
“Edhe pse janë në gjendje të përdoren, nuk kemi pajisje brenda, nuk kemi shtretër, nuk i kemi ato gjërat që janë elementare për shfrytëzim”, thotë Fushtica.
Sipas tij, komuna planifikon të nisë furnizimin e këtyre strehimoreve këtë vit.
Pak kilometra larg “Bregut të Diellit” shtrihet parku i madh i Ulpianës, nën gjelbërimin e të cilit gjendet një bunker prej afro 400 metrash katrorë.
Tash e dhjetë vjet, brenda kësaj strehimoreje kanë bërë konak punëtorë të ndërmarrjes komunale “Hortikultura”, që kujdesen për mirëmbajtjen e gjelbërimit të qytetit.
“E shfrytëzojmë për të lënë garderobën, për t’i lënë mjetet e punës, për të ngrënë…”, tregon Beqir Lahi, i cili punon në këtë ndërmarrje tash e 16 vjet.
Hapësirën për të ngrënë e për t’u socializuar në kohë pauze, punëtorët e kanë mbushur edhe me mobilje që banorët e lagjes kanë dashur t’i heqin nga përdorimi.
Tani e disa javë, sipas punëtorëve, në strehimore kanë pasur probleme me furnizim me rrymë dhe ujë, por po bëjnë zgjidhje alternative për ta bërë atë sa më të rehatshme.