Ndërlidhjet

Sofjes nuk i bëhet vonë pse Rusia ia zotëron një pjesë të bregut në Detin e Zi


Kompleksi Kamçia në Bullgari.
Kompleksi Kamçia në Bullgari.

I gjendur afër një plazhi të izoluar në pjesën jugore të Detit të Zi në Bullgari dhe i rrethuar plot me pemë gjendet Kompleksi Kamçia, apo shkurt SOK, në gjuhën bullgare.

I vendosur në zemër të Lumit Kamçia, kompleksi ka hotele, qendra sportive, shkolla, qendra për konferenca dhe observatorë të astronomisë.

Kompleksi është i pajisur me gjithçka që shumë qyteza bullgare vetëm mund t’i ëndërrojnë.

Mirëpo, qendra nuk është bullgare. Qeveria komunale e Moskës i ka në pronësi objektet dhe tokën nën to.

Toka në fshatin Bliznatsi, rreth 25 kilometra në jug të qytetit Varna, është blerë nga Moska më 2008, pavarësisht ligjit bullgar që atëbotë ua ka ndaluar individëve apo kompanive të huaja të bëjnë blerje të tilla.

Mirëpo, autoritetet e Moskës jo vetëm që e kanë blerë tokën, por raportohet se ato kanë paguar për të shumë më pak sesa çmimi i atëhershëm i tregut.

Sofja, në anën tjetër, ka ndarë miliona euro për ta bërë zonën me qasje në ujë të pijshëm.

Ndonëse pandemia e koronavirusit ka rezultuar me mbyllje të kompleksit, lufta e nisur nga Rusia në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, i ka rritur shqetësimet nëse duhet lejuar Rusinë – e cila e ka vënë Bullgarinë në listën e vendeve armiqësore – që ta zotërojë një copë të plazhit në brigjet e Detit të Zi, pasi ai vend mund të ketë rëndësi strategjike më shumë se kurrë.

“Brenda kompleksit mund të ndodhin gjëra për të cilat nuk janë të informuara autoritetet bullgare”, ka thënë Vassik Tankov, avokat që tani punon me aktivistë pro-perëndimorë, të cilët janë duke i bërë thirrje Qeverisë që ta kthejë mbrapsht pronësinë e tokës.

Më 2019, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov madje e ka përmendur Kamçian si armë, potencialisht të fuqishme, për Kremlinin.

Diçka e tillë mund të jetë venitur pas izolimit ndërkombëtar të Rusisë, mirëpo sipas ish-ministrit të Jashtëm bullgar Solomon Passy, Kremlini ende mund ta përdorë kompleksin për qëllime të ndryshme.

“Ky është vetëm kamuflazh, një pararojë për ardhjen e armëve”, ka thënë Passy për Radion Evropa e Lirë.

Paralajmërimet sikurse ato të Passyt nuk e kanë marrë vëmendjen e zyrtarëve bullgarë.

Në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Këshilli i Ministrave, institucioni ekzekutiv i Bullgarisë, ku përfshihet edhe kryeministri, ka thënë se aktualisht nuk ka informacione për kërcënime potenciale ndaj sigurisë kombëtare të Bullgarisë nga kompleksi Kamçia.

Avokatët paralajmërojnë që edhe nëse ka vullnet politik për rikthim të pronësisë së tokës, diçka e tillë duhet të bazohet në dëshmi se toka është blerë mbi baza mashtrimi, dhe diçka e tillë është e vështirë.

Blerja e tokës i ka vënë në pah lidhjet kontroverse të Bullgarisë me Rusinë, alete tradicionale qysh prej periudhës komuniste.

Ndonëse ende varet nga nafta ruse, Bullgaria ka arritur t’i japë fund varësisë nga gazi natyror, dhe sikurse disa vende tjera të BE-së, i ka shkëputur lidhjet ekonomike me Rusinë.

Në anën tjetër, sondazhet publike kanë treguar se simpatia ndaj Rusisë nuk është diçka e pazakonshme.

Ndonëse Bullgaria e ka sanksionuar Rusinë, ajo e ka zvarritur ofrimin e ndihmës ushtarake për Kievin, ani pse në prapaskenë Sofja ka qenë shumë aktive.

Ndihma ushtarake, kryesisht muncionet, janë nisur në Kiev nën udhëheqësinë e ish-kryeministrit Kiril Petkov, avokatit të trajnuar nga Harvardi, i cili mund ta ketë udhëhequr qeverinë më pro-perëndimore në Bullgari.

Boyko Borisov (majtas) - Kiril Petkov (djathtas)
Boyko Borisov (majtas) - Kiril Petkov (djathtas)

Nën Petkovin, Bullgaria i ka dëbuar 70 diplomatë rusë dhe familjet e tyre, në qershor të vitit 2022, një hap i pashembullt për Sofjen, i bërë në koordinim me BE-në.

Qeveria e Petkovit, megjithatë, ka zgjatur vetëm gjashtë muaj.

Ai e ka akuzuar më vonë Moskën për taktika të “luftës hibride” për ta rrëzuar Qeverinë e tij në korrik të vitit 2022.

Blerja e tokës me pak para

Procesi i blerjes së kompleksit Kamçia ka nisur në fund të viteve 1990 me shitjen e pronës që ka qenë në pronësi të kompanisë shtetërore Balkanturist, e cila e ka menaxhuar turizmin gjatë regjimit komunist deri më 1989.

Më 2003, Qeveria komunale e Moskës ka nisur të blejë parcela të vogla në atë zonë.

Më e madhja është blerë më 2008 kur Qeveria bullgare i ka shitur rreth 8 hektarë në fshatin Bliznatsi me çmim prej 7.25 dollarë për metër katrorë – sipas kursit të këmbimit më 2008.

Çmimi përfundimtar nuk është bërë i ditur, mirëpo me një kurs të tillë këmbimi shifra do të mund të ketë qenë rreth 580.000 dollarë.

Meqë autoritetet e Moskës e kanë blerë tokën me çmim shumë të ulët, në një raport të publikuar nga media Dnevnk më 2020, i gjithë rasti është përshkruar si një ndër më skandalozët në historinë post-komuniste të Bullgarisë.

Sipas faqes, ofertat për blerje të asaj toke kanë qenë të shumta, duke e përfshirë aty edhe hotelin Longoz me 450 dhoma, disa pishina dhe salla konferencash, kampe për fëmijë, fshatin e pushimit Pirin me një hotel dhe 11 vila dykatëshe, qendrën mjekësore Zdravets, Qendrën për Edukim dhe Trajnim Yuri Gagarin, kompleksin e sporteve Kamçia, e cila është ndërtuar me standarde olimpike, dhe një amfiteatër me një kapacitet për 2.000 njerëz.

Kontrata për ndërtim të kompleksit Kamçia SOK është nënshkruar në shtator të vitit 2008 nga ish-ministrja për Politika Sociale Emilia Maslarova, ndonëse ajo nuk është bërë asnjëherë publike.

Përveç kësaj, Qeveria e ish-kryeministrit Sergei Stanishev i ka ndarë 4.2 milionë euro për ndërtim të infrastrukturës për dërgim të ujit të pijshëm në kompleks.

Atë kohë, ligji bullgar ua ka ndaluar të huajve dhe kompanive të huaja që të blejnë tokë në Bullgari.

Në këtë rast, ligji është anashkaluar duke e regjistruar kompaninë në Bullgari, mirëpo si përfundim blerësja e kompleksit Kamçia dhe tokës përreth ka qenë Moska.

Shtytje për lidhje më të forta Sofje – Moskë

Kompleksi është hapur zyrtarisht më 2010 nga ish-kryeministri bullgar Boyko Borisov dhe ish-kryetari i Moskës, Yury Luzhkov, në një ceremoni me prerje të shiritit të kuq.

Prej atëherë, politikanët e afërt bullgarë me Kremlinin, sikurse Borisov dhe figura tjera të larta – përfshirë presidenten e Sindikatës së Arsimtarëve të Bullgarisë, Yanka Takeva - e kanë vizituar kompleksin, duke thënë se Kamçia ofron atmosferë tejet pozitive.

Ndonëse Takeva vetë nuk është në listën e sanksioneve, ajo është anëtare e grupit lobues pro-rus në Bullgari që njihet si Lëvizja Kombëtare e Rusofilëve, lideri i së cilës është sanksionuar nga Uashingtoni në shkurt, në kuadër të përpjekjeve të koordinuara me britanikët për t’i shënjestruar bullgarët e akuzuar për korrupsion.

Yanka Takeva, presidente e Sindikatës së Arsimtarëve të Bullgarisë (në mes).
Yanka Takeva, presidente e Sindikatës së Arsimtarëve të Bullgarisë (në mes).

Një tjetër figurë e njohur, e lidhur me kompleksin rus në Detin e Zi, ka qenë princi Kirill, djali i Simeonit II – carit të fundit të Bullgarisë, njëherësh ish-kryeministrit postkomunist – i cili e ka “mbikëqyrur” punën në qendrën për fëmijët në kompleks.

Atletët bullgarë janë stërvitur, po ashtu, në atë vend.

Grupet bullgare të së djathtës ekstreme kanë mbajtur seminare për “patriotizëm” në atë kompleks, dhe më 2018, rreth 500 avokatë janë mbledhur aty për t’i diskutuar amendamentet në Kodin Penal të Bullgarisë.

Nga bumi në bust

Për një periudhë, popullariteti i Kamçis është përkthyer në shumë të hyra nga taksat.

“Shumica e turistëve kanë qenë fëmijë, veteranë të Luftës së Dytë Botërore dhe nëna vetushqyese. Dhe aty nuk është bërë turizëm standard ku turistët e vizitojnë një vend vetëm gjatë verës. Kompleksi ka qenë i mbushur gjatë gjithë vitit”, ka thënë Emanuil Manolov, kryetar i Komunës Avren ku gjendet Kamçia, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, teksa numri i vizitorëve dhe organizimeve ka nisur të bjerë më 2019, kur Kamçia është përballur me taksa të papaguara në shifra prej 550.000 dollarëve.

Në zbehje e sipër të fitimeve, Borisov ka folur fjalë të mira për të dhe e ka përmendur mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit me Rusinë në fushën e sportit, edukimit dhe biznesit, kur e ka zhvilluar një takim më 2019, me ish-kryeministrin rus, Dmitry Medvedev.

Një poster me fytyrën e presidentit rus, Vladimir Putin në të cilin shkruan “Putin është president paqebërës” dhe i cili është parë në një takim të rusofilëve të Bullgarisë më 14 shtator 2019.
Një poster me fytyrën e presidentit rus, Vladimir Putin në të cilin shkruan “Putin është president paqebërës” dhe i cili është parë në një takim të rusofilëve të Bullgarisë më 14 shtator 2019.

Disa muaj më vonë, Lavrov ka bërë të ditur që Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Rusisë do ta diskutojë mundësinë e transferimit të pronësisë së kompleksit nga Moska te shteti federal i Rusisë.

Ai ka folur edhe për planet për transformim të qendrës në një platformë për avancim të interesave ruse në Evropë.

“Nocioni i fuqisë së butë varet se prej cilës gojë del”, pati thënë ish-ministri i Jashtëm Passy.

“Nëse flasim për fuqi të butë dhe vjen prej Lavrovit dhe Putinit, atëherë është paralajmërim se po vjen diçka e dëmshme”.

Goditja e pandemisë e ka shënuar më pas një tjetër krizë për planet ruso-bullgare, pasi të gjitha aktivitetet janë pezulluar në kompleks prej fillimit të vitit 2020.

Mirëpo, më 2021, shefi i Kamçias, Nikolai Nedkov, ka prezantuar plane ambicioze për ta transformuar qendrën në “ekosistem unik në formën e një qyteti të mençur”.

Ai ka thënë se aty do të hapet një “inkubator biznesi, studio për bizneset fillestare, dhe akademi për blogerë dhe persona tjerë me ndikim”.

Dy vjet më vonë, planet kanë mbetur vetëm në letër sepse Kamçia SOK nuk është funksionalizuar dhe gjithçka ruhet nga një sigurim privat.

Menaxhmenti i kompleksit nuk u është përgjigjur kërkesave të Radios Evropa e Lirë për koment.

Vera në kompleks më parë.
Vera në kompleks më parë.

Më 2022, Komuna e Moskës ka bërë të ditur se për shkak të situatës së rëndë ekonomike dhe gjeopolitike – referencë për luftën e Kremlinit në Ukrainë dhe sanksionet pasuese – ka vendosur t’i pezullojë të gjitha aktivitetet në Kamçia, pasi qasja në të është e kufizuar.

Më 2023, aktivistët politikë në Bullgari, bashkë me disa ish-zyrtarë, e kanë nisur një fushatë aktive, duke kërkuar që Sofja ta konfiskojë objektin.

Avokatët kanë argumentuar se kompleksi nuk ka të drejtë të punojë sepse është i përfshirë në aktivitete që e shkelin ligjin bullgar.

Për më shumë, ata e kanë përmendur edhe faktin që rusët e kanë blerë atë tokë në kohën kur blerje të tilla janë ndaluar me ligj për të huajt.

Ata e kanë përmendur edhe faktin që kompania e hapur në Bullgari – për t’i ikur ligjit – ka qenë jolegjitime.

“Ne nuk kemi kontroll mbi atë se çfarë ndodh aty. Me fjalë tjera, shteti bullgar nuk mund ta mbikëqyrë aktivitetin që mund të bëhet aty. Dhe ne besojmë se Kamçia është duke u përdorur për qëllime që e kërcënojnë sigurinë tonë kombëtare”, ka paralajmëruar Bozhinov.

Passy ka thënë se historiku i Rusisë me shfrytëzim të ambasadave për qëllime spiunimi duhet të jetë paralajmërim për Qeverinë bullgare.

Një hetim paraprak këtë vit ka gjetur se të paktën 182 pllaka sateliti janë instaluar në kulmet e ambasadave ruse në Evropë, të cilat besohet se lidhin rrjet masiv të spiunazhit dhe mbledhjes së inteligjencës.

“Rusia, pothuajse çdo institucion jashtë kufijve të saj e përdor për spiunazh”, ka thënë Passy.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG