"Betonimi" i Shkupit në 20 vjetët e fundit
Si ishin dikur dhe si janë pas dy dekadash lagjet më të famshme të Shkupit? Teksa pamjet e vitit 2003 nga lart tregojnë zona të gjelbëruara në hapësira publike, më 2023 të njëjtat vende shihen të mbushura me komplekse të mëdha banimi. Trendi se “kush do të ndërtojë më shumë” në dy dekadat e fundit është fushë “lufte” mes mafive urbane, të mbështetura nga autoritetet lokale, të cilat mbushin xhepat me para falë lëshimit të lejeve të ndërtimit, duke vënë pasurimin para mbrojtjes së hapësirës së përbashkët. (Përgatiti: Trim Haliti)
Dikur

Tani

1
Komuna e Aerodromit është ndër vendet e Shkupit ku janë ndërtuar më së shumti ndërtesa gjatë dy dekadave të fundit. Qytetarët kanë humbur, po ashtu, betejën për ndërtesën nëntëkatëshe pranë “Shtëpisë së Nënës”. Aktivistët nga organizata “Duam që Aerodromi të frymojë” kanë thënë se aty ku Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase - Partia Demokratike për Unitet Kombëtar Maqedonas (VMRO-DPMNE)është ndalur, ka vazhduar Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM). Administrata aktuale e Komunës së Aerodromit, e udhëhequr nga Timço Mucunski, nuk ka inspektor ndërtimi.
Dikur

Tani

2
Mali Vodno është atraktiv për “mafitë e ndërtimeve”. Betonimi dhe ekskavatorët janë ndalur nga Gjykata Kushtetuese me vendimin e fundit, i cili ka shfuqizuar Planin e Detajuar Urban për Vodnon e Vjetër, Vodnon e Poshtme, Kurillon e Vogël dhe Institutin për Rehabilitim Mjekësor. Rasti “Parcelat në Vodno”, në të cilin u dënuan ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kushëriri i tij dhe ish-drejtori i Departamentit për Siguri dhe Kundërzbulim i Maqedonisë së Veriut, Sasho Mijallkov, dhe biznesmeni Orce Kamchev, do të kujtohet si një ndër skandalet më të mëdha lidhur me urbanizimin e malit.
Dikur

Tani

3
Vende ndërtimi në çdo cep. Kësisoj, vendbanimi i qetë Taftalixhe, që ndodhet brenda Komunës së Karposhit, është shndërruar nga një vend i këndshëm për të jetuar, me shtëpi individuale, në një vendbanim me potencial të madh për ndërtesa. Banorët ankohen se lejet e ndërtimit jepen pa kontroll, dhe ata sot u frikohen përmbytjeve, ndotjes së madhe të ajrit, parkingjeve të uzurpuara dhe arbitrarizmit. Betonimi i vendbanimit paqësor është nxitur nga disa biznesmenë nga sektori i ndërtimit, sidomos gjatë udhëheqjes nga Stevço Jakimovski. Plani i ri urban më 2016 është shpalosur një ditë para Krishtlindjeve.
Dikur

Tani

4
Në sheshin “Maqedonia”, saktësisht 20 vjet më parë, blloqet e vjetra janë rrënuar dhe pamja ka ndryshuar rrënjësisht – prandaj sot ju pret një dukje krejtësisht e re e sheshit, që u krijua sipas projektit “Shkupi 2014”. Ajo që është paralajmëruar në një video-prezantim të projektit shumë të kundërshtuar të qeverisë së Nikolla Gruevskit tashmë është zbatuar. Janë ngritur monumente të shumta të figurave të shquara nga historia e vendit, por më i madhi nga ta, “Luftëtari mbi kalë”, i lartë 22 metra, qëndron sipër të gjithëve. I bërë nga bronzi dhe nga mermeri, me shatërvanë e me skulptura, ai u gjend në qendër të reagimeve ndaj projektit, për shkak të kostos dhe për shkak të paralajmërimit të tij si monument për Aleksandrin e Madh.