Ndërlidhjet

Marrja e Azovstalit nga Rusia: Sukses simbolik apo Fitore e Pirros?


NJë grua duke protestuar para selisë së Këshillit të Evropës në Bruksel. Ajo mban në duar një pano ku shkruan: "Shpëtoni mbrojtësit e Azovstalit. Belgjikë, 16 maj 2022.
NJë grua duke protestuar para selisë së Këshillit të Evropës në Bruksel. Ajo mban në duar një pano ku shkruan: "Shpëtoni mbrojtësit e Azovstalit. Belgjikë, 16 maj 2022.

Marrja e fabrikës së çelikut nga Rusia në Mariupol, ku qindra ushtarë përfunduan luftën e tyre pas një rrethimi rraskapitës, do të përfaqësojë një fitore simbolike për Kremlinin në këtë fazë të pushtimit të Ukrainës në vend të një përparimi të rëndësishëm ushtarak, thanë analistët.

Pushtimi rus i Ukrainës

REL ju sjell informacionet kryesore mbi pushtimin rus të Ukrainës, përfshirë analiza, video dhe fotogaleri.

Rusia veçse ka kontrolluar Mariupolin që nga mesi i prillit me përjashtim të 11 kilometrave katrorë të hapësirës së fabrikës Azovstal, ku qindra luftëtarë po qëndronin në tunelet dhe bunkerët nëntokë, teksa kjo fabrikë u shndërrua në simbol të rezistencës së Ukrainës kundër fqinjit shumë më të fuqishëm.

Analistët ushtarakë thanë se forcat e armatosura të Ukrainës nuk kishin asnjë shans real që t'i shpëtonin luftëtarët në bastionin e fundit të rezistencës në qytetin e shkatërruar pas pothuajse tre muajsh të pushtimit rus të Ukrainës që nisi më 24 shkurt.

Mariupoli, qyteti i dytë më i madh në rajonin e Donjeckut, gjendet në një vend strategjik në brigjet e Detit Azov dhe shtrihet nga kufiri rus në lindje deri në kepin që lidh Ukrainën me Krimenë e kontrolluar nga Rusia. Marrja e këtij qyteti i mundëson Rusisë që të ketë një “urë tokësore” për në Gadishullin e Krimesë.

Ukraina njoftoi më 16 maj se u kishte bërë thirrje trupave të saj në Azovstal që të ndalonin së rezistuari. Ministria e Mbrojtjes tha se 264 luftëtarë, përfshirë edhe 53 të plagosur rëndë, u larguan nga fabrika dhe u dërguan në territore të kontrolluara nga rusët. Rusia, që paraqiti një numër të ndryshëm të ushtarëve, tha se ata “dorëzuan armët”.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha më 19 maj se 771 luftëtarë ukrainas në fabrikën Azovstal janë “dorëzuar” gjatë 24 orëve të fundit, duke bërë që numri i përgjithshëm i tyre të arrijë në 1,730 që prej 16 majit. Autoritetet ukrainase nuk e kanë konfirmuar një informacion të tillë.

“Në terma praktikë, fundi i rrethimit në Azovstal nuk e ndryshon shumë trajektoren e luftës”, tha për Radion Evropa e Lirë, Robert Person, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Akademinë Ushtarake amerikane, West Point.

“Me kontrollin e pjesës tjetër të Mariupolit, që Rusia e ka bërë për disa javë tani, Kremlini veçse ka urën e tij tokësore për në Krime. Azovstali në të vërtetë në këtë aspekt nuk ka shumë rëndësi”, tha Person, i cili nuk përfaqëson Departamentin amerikan të Shtetit.

“Propagandë maksimale vendore”

Luftëtarët në Azovstal bënë që për disa javë mijëra forca ruse të përqendroheshin te ta, duke i dhënë ushtrisë ukrainase kohë që të luftojë dhe të zmbrapsë forcat ruse në zona të tjera të luftës, si për shembull në Kiev dhe përreth tij, si dhe në Harkiv, qytetit të dytë më të madh ukrainas, që gjendet në lindje të vendit.

“Edhe pse [presidenti rus, Vladimir] Putin do të përfitojë maksimalisht nga propaganda e brendshme për marrjen e Mariupolit, kjo është një Fitore e Pirros që vjen me kosto të madhe. Lufta e stërzgjatur në qytet ka ndikuar në fuqinë e ushtrisë ruse, në armatime dhe pajisje”, theksoi Person.

Nëna e ushtarit ukrainas në Azovstal ndan mesazhet e tij
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:55 0:00

Udhëheqja ushtarake ukrainase tha se mbrojtësit në Azovstal e detyruan Moskën që të mbante afër 20,000 trupa në Mariupol, edhe pse disa raportime sugjerojnë se numri ishte jashtëzakonisht më i vogël. Rusia veçse kishte nisur largimin e trupave nga Mariupoli, teksa Azovstali u bë bastioni i fundit i rezistencës.

Mbrojtësit janë përballur me furnizime të pakta të ushqimit dhe ujit, por edhe të ilaçeve dhe pajisjeve kirurgjike. Fati i tyre u bë subjekt i lajmeve të përditshme në Ukrainë dhe jashtë saj, me thirrjet që ata të lejoheshin të largohen.

“Prania e atyre forcave në Azovstal ishte simbol se Ukraina nuk e kishte humbur krejtësisht fushatën dhe vazhdonte të paraqiste problem, me të cilin rusët duhet të merreshin”, tha Stephen Flanagan, ekspert në institutin RAND Corporation, me seli në Shtetet e Bashkuara.

“Një seri disfatash”

Zyrtarët, analistët dhe agjencitë perëndimore të inteligjencës kanë thënë se kur urdhëroi nisjen e pushtimit, Putin kishte pritur që forcat ruse ta merrnin shpejt kontrollin e Kievit dhe qyteteve të tjera kyçe ukrainase. Po ashtu, ata thanë se presidenti rus dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë besonin se forcat ruse në shumë raste do të mirëpriteshin krahëhapur.

Në vend të kësaj, forcat ruse janë përballur me rezistencë të ashpër dhe kanë përjetuar humbje të mëdha në njerëz dhe humbje të mëdha materiale. Ata u tërhoqën përgjatë kufirit në veri pasi dështuan që ta merrnin Kievin dhe nuk kanë qenë në gjendje që ta pushtojnë Harkivin. Po ashtu, forcat e Moskës po përballen me probleme në ofensivën e tyre në rajonet Donjeck dhe Luhansk, një zonë që njihet edhe si Donbas.

Forcat ruse kanë pësuar një prej disfatave të tyre më të mëdha në betejë, kur dhjetëra makina, përfshirë tanke dhe ndoshta edhe qindra ushtarë, u vranë nga forcat ukrainase, teksa forcat e Moskës tentuan që ta kalonin një lumë.

“Pas një seri disfatash, kjo është diçka që sigurisht se do të jetë një plus i madh për Putinin”, tha Glen Howard, president i Fondacionit Jamestown, me seli në Uashington.

“Një pjesë e madhe e kësaj lufte ka të bëjë me propagandën”, tha ai.

Mariupoli, shumica e të cilit është rrafshuar nga bombardimet ruse, është qyteti më i madh ukrainas që Rusia e ka marrë nën kontroll qëkur ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë. Më 21 prill, Putin e shpalli “të çliruar” qytetin edhe pse qindra trupa ukrainase ende po rezistonin brenda Mariupolit.

Rusia vazhdoi të sulmonte fabrikën me qëllim që të detyronte forcat që të kapitullonin. Ukraina ndoshta ka synuar që ta vazhdojë rezistencën në Azovstal deri pasi Rusia të shënonte Ditën e Fitores, në mënyrë që t’i mohonte mundësinë Putinit që ta përdorte si mjet propagande më 9 maj, kur shënohet mposhtja e Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Faktori Azov

Por, Rusia tani mund ta prezantojë marrjen e Mariupolit dhe Azovstalit – ku shumica e luftëtarëve ishin të batalionit Azov të Ukrainës – si fitore të madhe.

Putin ka përdorur sfondin e ekstremit të djathtë të këtij batalioni në përpjekjet e tij për të justifikuar pretendimet e rreme se Ukraina udhëhiqet nga “nazistët”, një prej arsyeve kryesore që ai ka përdorur për të justifikuar pushtimin e Ukrainës.

Batalioni Azov ishte formuar në maj të vitit 2014, disa javë pas shpërthimit të luftës midis separatistëve pro-rusë dhe forcave qeveritare ukrainase në Donbas, pasi Moska aneksoi Krimenë.

I përbërë nga vullnetarët, ky batalion i ka rrënjët në ideologjinë e ekstremit të djathtë dhe në Shtetet e Bashkuara, shteti që mbështet më së shumti forcat e armatosura ukrainase, kishte ndaluar që armët amerikane të dërgoheshin tek anëtarët e Azovit dhe ua ndaloi që të merrnin pjesë në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga SHBA-ja për shkak të ideologjisë së ekstremit të djathtë.

Azov dhe batalionet e tjera të vullnetarëve që ishin jashtë radhëve ushtarake, bënë luftime të ashpra në ditët e para të luftës në Donbas, dhe atëbotë pamundësuan që forcat e mbështetura nga Rusia të merrnin kontrollin e Mariupolit. Azov zyrtarisht u inkorporua në Gardën Kombëtare ukrainase më vonë më 2014.

Megjithëse, ky batalion përbën vetëm një pjesë të vogël të forcave luftuese të Ukrainës dhe nuk ka fuqi politike, Putin e ka përdorur sfondin e ekstremit të djathtë të kësaj njësie, duke i thënë popullit në Rusi se ushtarët janë dërguar në Ukrainë për t'i larguar neo-nazistët në këtë shtet fqinj.

Disa analistë thanë se ata presin që autoritetet ruse të paraqesin në televizionin shtetëror imazhin e ushtarëve nga Azovstali dhe t’i përdorin ata për të avancuar narrativët e rremë të Kremlinit.

Zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Hanna Malyar, ka thënë se ka shpresë që luftëtarët do të mund të këmbehen me të burgosurit rusë të luftës, që mbahen nga Ukraina.

Por, Vyacheslav Volodin, aleat i Putinit nga partia në pushtet Rusia e Bashkuar, i cili shërben si kryetar i Dhomës së Ulët të Parlamentit rus, pa ofruar ndonjë dëshmi, tha se në mesin e mbrojtësve të Azovstalit kishte “kriminelë lufte” dhe se ata, sipas tij, nuk duhet të këmbehen me të burgosur të tjerë, por duhet të dalin para drejtësisë.

Ndikimi ushtarak

Përtej simbolizmit, marrja e Azovstalit dhe Mariupolit do të ketë ndikim politik, por analistët thanë se ky ndikim do të jetë i kufizuar.

“Nuk pres që kjo të krijojë përparësi në masë të madhe për rusët, por gjithsesi se do t’iu ndihmojë pasi më shumë pajisje, më shumë furnizime do të mund të lëvizin më lirshëm dhe [Rusia] mund të përdorë ushtarët [që i kishte vendosur në Mariupol] në ofensivë në veri”, tha për Radion Evropa e Lirë, Mark Cancian, një kolonel në pension i ushtrisë amerikane.

“Shumica e forcave ruse në Mariupol veçse janë dërguar në atë drejtim, por tani Rusia do të jetë në gjendje të dërgojë edhe trupat e mbetur”, tha Cancian, i cili është këshilltar i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me seli në Uashington.

Rusia, po ashtu, do të jetë në gjendje të hapë portin e Mariupolit për të lejuar që të vijnë furnizimet dhe pajisjet për forcat ruse brenda qytetit dhe në Donbas, rajon që tani është fokusi kryesor i ofensivës së Rusisë.

“Mariupoli ka një port të jashtëzakonshëm që do t’i ndihmojë logjistikës ruse, e cila ka qenë e tmerrshme gjatë kësaj fushate”, tha Cancian.

Megjithatë, zyrtarët ukrainas thanë se anijet e fundosura ukrainase dhe minat po i pengojnë forcat ruse që ta rihapin menjëherë portin. Howard nga RAND Corporation, tha se Rusisë do t’i duhen muaj derisa të jetë në gjendje ta bëjë këtë port operacional për përdorim ushtarak.

Në mars, Rusia mori kontrollin e qytetit më të vogël në Detin Azov, Berdijanska dhe tani po përdor portin atje për të furnizuar forcat e saj.

Sa i përket vlerës simbolike apo të propagandës së fundit të rezistencës së Ukrainës në fabrikën e çelikut, “koha po kalon”, tha Person.

“Putin do të jetë në gjendje të përfitojë nga ky sukses derisa forcat ruse të përballen me pengesën e ardhshme të madhe, pas së cilës, Azovstal do të jetë një kujtim i largët për shumicën e rusëve”, tha ai.

“Por, për ukrainasit, kujtimi i rrethimit të Mariupolit do të shërbejë si një thirrje për brezat që do të vijnë”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG