Ndërlidhjet

Kryministri armen: Mbështetja vetëm te Rusia për siguri, “gabim strategjik”


Kryeministri i Armenisë Nikol Pashinyan.
Kryeministri i Armenisë Nikol Pashinyan.

Kryeministri i Armenisë Nikol Pashinyan, ka thënë se politika e vendit të tij që të mbështetet vetëm te Rusia për të garantuar sigurinë, ka qenë gabim strategjik, sepse Moska nuk ka arritur të ndihmojë gjithmonë.

Në një intervistë për të përditshmen italiane La Repubblica, Pashinyan e ka akuzuar Rusinë se ka dështuar ta garantojë sigurinë e Armenisë, teksa kjo e fundit përballet me agresion të Azerbajxhanit fqinj për rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut.

Pashinyan ka sugjeruar se Moska, e cila ka pakt për mbrojtje me Armeninë, dhe ka baza ushtarake aty, nuk e konsideron vendin e tij si mjaftueshëm pro-rus dhe ka thënë se beson që Rusia është në proces të largimit nga rajoni i Kaukazit Jugor.

Sipas tij, kjo është ndër arsyet pse Jerevani është duke tentuar t’i rrisë marrëveshjet në fushën e sigurisë.

Këto deklarata duket se kanë qenë referencë për forcim të lidhjeve me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, dhe tentimet e këtyre të fundit për ta rritur bashkëpunimin me shtetet tjera në atë rajon.

“Arkitektura e sigurisë së Armenisë ka qenë 99.99 për qind e lidhur me Rusinë, përfshirë prokurimin e armëve dhe municionit”, ka thënë Pashinyan për La Repubblica.

“Mirëpo sot ne e shohim se Rusia vetë ka nevojë për armë dhe municion [për luftën në Ukrainë] dhe në këtë situatë është e kuptueshme që dhe nëse dëshiron, Federata Ruse nuk mund t’i përmbushë nevojat e sigurisë së Armenisë”.

“Ky shembull duhet ta demonstrojë se varësia në vetëm një partner për çështje të sigurisë ka qenë gabim strategjik”.

Moska – e cila ka ndërmjetësuar në të kaluarën bisedime mes Jeravanit dhe Bakusë – nuk i ka komentuar qëndrimit e liderit armen.

Nagorno-Karabaku është territor që ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit, mirëpo 120.000 banorët aty janë shumicë etnike armene.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG