Ndërlidhjet

Çfarë është Nagorno Karabaku dhe pse po rriten tensionet?


Ushtarët e Azerbajxhanit duke bërë roje një pikë kontrolli në Korridorin e Lakinit, dhjetor 2022.
Ushtarët e Azerbajxhanit duke bërë roje një pikë kontrolli në Korridorin e Lakinit, dhjetor 2022.

Reuters

Azerbajxhani ka thënë se ka ngritur një pikë kontrolli në fillim të korridorit Lakin - e vetmja rrugë tokësore që lidh Armeninë me Nagorno Karabakun. Ky hap është pasuar me pretendimet e të dyja palëve për të shtëna në kufi.

Trupat e Azerbajxhanit dhe paqeruajtësit rusë ishin të pranishëm gjatë ndërtimit nga Azerbajxhani të pikës së kontrolli në korridorin e Lakinit, e vetmja rrugë që lidh Armeninë me rajonin e Nagorno Karabakut.
Trupat e Azerbajxhanit dhe paqeruajtësit rusë ishin të pranishëm gjatë ndërtimit nga Azerbajxhani të pikës së kontrolli në korridorin e Lakinit, e vetmja rrugë që lidh Armeninë me rajonin e Nagorno Karabakut.

Çfarë është Nagorno Karabaku?

Nagorno Karabaku, i njohur si Artsak nga armenët, është një zonë malore pa dalje në det, në Kaukazin e Jugut.

Që nga rënia e Perandorisë ruse në vitin 1917, edhe Azerbajxhani, edhe Armenia thonë se kanë kontroll mbi të.

Territori njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por banorët e tij janë kryesisht armenë etnikë dhe kanë Qeverinë e tyre, e cila ka pasur vazhdimisht lidhje të ngushta me Qeverinë në Armeninë fqinje, por nuk është njohur zyrtarisht prej saj apo shteteve të tjera anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Armenët, të cilët janë të krishterë, pretendojnë se kanë një dominim të gjatë historik në këtë zonë, që daton disa shekuj para Krishtit.

Azerbajxhani, banorët e të cilit janë kryesisht myslimanë, e lidh gjithashtu identitetin e tij historik me këtë territor. Ai i akuzon armenët për dëbimin e azerbajxhanasve që kanë jetuar aty në vitet 1990. Azerbajxhani dëshiron, po ashtu, që të marrë kontrollin e plotë mbi enklavën dhe sugjeron që armenët etnikë të marrin pasaporta azerbajxhanase ose të largohen.

Cila është historia?

Gjatë shekujve, enklava ka rënë nën kontrollin e persianëve, turqve, rusëve, osmanëve dhe sovjetikëve.

Pas Revolucionit rus të vitit 1917, Armenia dhe Azerbajxhani kanë luftuar për rajonin. Kur bolshevikët kanë pushtuar Azerbajxhanin, Armenia ka rënë dakord për kontrollin bolshevik.

Karabaku, me kufij të rivizatuar për të përfshirë sa më shumë armenë, ka mbetur pjesë e Republikës Sovjetike të Azerbajxhanit, por me autonomi. Emri i tij ka qenë “Rajoni Autonom i Nagorno Karabakut”.

Lufta e parë në Karabak

Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik ka nisur edhe ajo që njihet si Lufta e Parë e Karabakut (1988-1994) midis armenëve dhe fqinjëve të tyre azerbajxhanas. Rreth 30.000 njerëz janë vrarë dhe më shumë se një milion të tjerë janë zhvendosur.

Azerbajxhani ka humbur një pjesë të territorit të tij dhe armenët kanë mbetur në kontroll të pjesës më të madhe të Karabakut dhe të territorit shtesë rreth perimetrit të Karabakut. Azerbajxhani, në anën tjetër, është zotuar se do ta rimarrë kontrollin mbi territor.

Dyzet e katër ditë luftë më 2020

Në vitin 2020, pas disa dekadash përleshje, Azerbajxhani ka nisur një operacion ushtarak, i cili është bërë Lufta e Dytë e Karabakut.

I mbështetur nga Turqia, Azerbajxhani ka fituar luftën 44-ditore, duke marrë pjesë të Karabakut.

Përdorimi i dronëve të blerë nga Turqia dhe Izraeli është cilësuar nga analistët ushtarakë si një prej arsyeve kryesore për fitoren e Azerbajxhanit. Disa mijëra njerëz janë vrarë.

Rusia, aleate e Armenisë, e cila ka marrëdhënie të mira edhe me Azerbajxhanin, ka ndërhyrë për të negociuar një armëpushim.

Sipas marrëveshjes, Azerbajxhanit i janë dorëzuar të gjitha territoret përreth Karabakut. Kjo i ka lënë armenët etnikë në Karabak me një territor shumë më të vogël. Armenia e ka konsideruar rezultatin e luftës si një fatkeqësi - gjë që është pasuar me trazira në Jerevan.

Marrëveshja ka paraparë që paqeruajtësit rusë të vendosen në Karabak, për të ruajtur të vetmen rrugë të mbetur që lidh enklavën me Armeninë, gjegjësisht korridorin Lakin, dhe për të ndërtuar një rrugë të re përgjatë korridorit.

Azerbajxhani është zotuar se do të garantojë sigurinë në trafik, përgjatë korridorit në të dyja drejtimet.

Luftime ka pasur kohë pas kohe edhe pas armëpushimit. Në dhjetor të vitit 2022, civilët azerbajxhanas, të vetidentifikuar si aktivistë mjedisorë, kanë nisur ta bllokojnë korridorin Lakin, duke e mbyllur Karabakun për të gjithë, përveç paqeruajtësve rusë dhe autokolonave të Kryqit të Kuq.

Azerbajxhani ka mohuar se ka bllokuar plotësisht rrugën, duke thënë se disa autokolona dhe ndihma janë lejuar të kalojnë.

Çfarë është duke ndodhur tash?

Trupat e Azerbajxhanit kanë ngritur të dielën një pikë të re kontrolli, pranë kufirit armen, në fillim të korridorit Lakin. Armenia e ka cilësuar këtë si shkelje të qartë të armëpushimit të nëntorit 2020.

Azerbajxhani ka thënë se masa, e cila kërcënon ta izolojë plotësisht Karabakun, ka për qëllim t’u japë fund furnizimeve armene me armë për “administratën separatiste”.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë thellësisht të shqetësuara nga kjo masë dhe kanë bërë thirrje për lëvizje të lirë dhe të hapur përgjatë korridorit.

Kremlini ka thënë se nuk ka asnjë alternativë ndaj marrëveshjes së armëpushimit të vitit 2020 midis Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe se po punon për bisedime të reja midis Bakusë dhe Jerevanit.

Kriza në korridorin e Lakinit ka tensionuar lidhjet midis Rusisë dhe Armenisë. Armenia i ka bërë vazhdimisht thirrje Moskës që ta zbatojë armëpushimin e nëntorit 2020 dhe ta hapë korridorin Lakin, ndërsa Moska ka thënë se Armenia po refuzon bisedimet e paqes me Azerbajxhanin.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG