Ndërlidhjet

Afganistani në rrezik nga zia e bukës


Tre fëmijë afganë të zhvendosur brenda vendit shohin me habi një mollë që nëna e tyre e solli në shtëpi pasi kishte kërkuar lëmoshë.
Tre fëmijë afganë të zhvendosur brenda vendit shohin me habi një mollë që nëna e tyre e solli në shtëpi pasi kishte kërkuar lëmoshë.

Afganistani po rrëshqet drejt zisë së bukës, paralajmërojnë punonjësit e ndihmës që veprojnë në njërën prej krizave më të mëdha humanitare në botë.

Miliona afganë tashmë jetojnë në kushte të ngjashme me urinë dhe ndalesa e përhershme e ndihmës amerikane vetëm se mund ta përkeqësojë situatën.

Kështu thonë dy punonjës humanitarë, të cilët folën për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, meqë nuk ishin të autorizuar të flisnin për mediat.

Të dy punojnë për organizata të mëdha ndërkombëtare, të cilat ofrojnë ndihma ushqimore për komunitetet e cenueshme në Afganistan.

“Ka tashmë uri të përhapur në disa cepa të Afganistanit”, thotë njëri prej tyre, i cili është i vendosur në juglindje të Afganistanit.

“Uri në shumicën e vendeve”

Marrja e pushtetit nga talibanët në vitin 2021 e përkeqësoi krizën e madhe humanitare në Afganistan. Për pasojë, vendi i varfër humbi ndihmën jetike perëndimore dhe ekonomia e tij u shemb.

Uria, ndërkohë, u shmang, falë fondeve të konsiderueshme nga donatorët perëndimorë. Megjithatë, kjo ndihmë u zvogëlua ndjeshëm në vitet e fundit.

Rreth një e treta e popullsisë 40-milionëshe të Afganistanit, aktualisht, përballet me urinë.

Frika për zi buke u rrit që nga vendimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në janar, për ta ngrirë përkohësisht gjithë ndihmën për vendet e huaja, përfshirë Afganistanin.

Ndërprerja e përhershme e ndihmës nga SHBA-ja - donatorja më e madhe për Afganistanin - do ta shtynte vendin drejt urisë në shkallë të plotë, paralajmërojnë punonjësit e ndihmës.

“Pa ndihmë humanitare, mund të ketë uri në shumicën e vendeve”, thotë punonjësi i ndihmës.

Sipas tij, provincat e thata perëndimore, qendrore dhe veriore të Afganistanit janë më të rrezikuarat.

Por, disa punonjës dhe organizata të tjera të ndihmës thonë se është ende herët të thuhet se Afganistani është në kushte të ngjashme me urinë, ose po shkon drejt zisë për bukë.

Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) e përcakton urinë si “një situatë në të cilën së paku një në pesë familje ka mungesë ekstreme të ushqimit dhe përballet me uri dhe varfëri, çfarë rezulton me nivele jashtëzakonisht kritike të kequshqyerjes akute dhe vdekje”.

IPC-ja vlerëson se mbi 3 milionë afganë - ose më pak se 10 për qind e popullsisë - vuajnë nga nivele emergjente të pasigurisë ushqimore dhe janë një hap larg urisë.

Një foshnjë e kequshqyer peshohet në një spital në Kabul, Afganistan (Fotografi nga arkivi).
Një foshnjë e kequshqyer peshohet në një spital në Kabul, Afganistan (Fotografi nga arkivi).

Nivelet emergjente të pasigurisë ushqimore

Qeveria talibane, e cila nuk është njohur nga asnjë vend, nuk ishte në gjendje ose nuk u përpoq ta trajtonte katastrofën humanitare.

Kjo bëri që OKB-ja dhe OJQ-të ndërkombëtare ta mbushin boshllëkun.

Këto organizata, aktualisht, shpërndajnë ushqime për miliona afganë, përfshirë: vaj gatimi, oriz dhe miell. Ato ofrojnë edhe plehra, fara dhe mjete të tjera për përdorim në bujqësi.

Gratë afgane duke marrë pako ushqimore që i shpërndau një grup i ndihme humanitare, në Kabul, Afganistan, maj 2023.
Gratë afgane duke marrë pako ushqimore që i shpërndau një grup i ndihme humanitare, në Kabul, Afganistan, maj 2023.

Pa këtë mbështetje, fermerët do ta kenë të vështirë për të prodhuar ushqim të mjaftueshëm për familjet dhe komunitetet e tyre.

“Pa ndihma, unë mund të shoh uri masive brenda muajsh”, thotë njëri nga punonjësit e ndihmës për Radion Evropa e Lirë.

Fëmijët dhe gratë janë kategoritë më të rrezikuara. Rreth 3.5 milionë fëmijë afganë nën moshën pesëvjeçare “vuajnë ose parashikohet të vuajnë” nga kequshqyerja akute, sipas IPC-së.

Spitalet në të gjithë Afganistanin janë të mbushura me fëmijë të kequshqyer.

Mjekët paralajmërojnë rritje të vdekshmërisë së fëmijëve nëse humbasin mbështetjen ndërkombëtare për të trajtuar fëmijët e uritur.

“Kriza e ushqimit në Afganistan është alarmante”, thotë Terje Watterdal, drejtor i Komitetit Norvegjez të Afganistanit (NAC).

Nazia 30, e cila ka humbur katër fëmijë për shkak të kequshqyerjes së rëndë, mban fëmijën e saj të kequshqyer në një spital në provincën Parwan në veri të Kabulit, Afganistan më 2022.
Nazia 30, e cila ka humbur katër fëmijë për shkak të kequshqyerjes së rëndë, mban fëmijën e saj të kequshqyer në një spital në provincën Parwan në veri të Kabulit, Afganistan më 2022.

E ardhme “e zymtë”

Ndihma humanitare për Afganistanin u zvogëlua ndjeshëm që nga viti 2022, kur donatorët ndërkombëtarë mblodhën rreth 3.8 miliardë dollarë. Në vitin 2024, financimi ra për rreth 25 për qind, krahasuar me një vit më parë.

Shtetet e Bashkuara ishin donatoret më të mëdha, duke kontribuar me rreth 3.7 miliardë dollarë që nga viti 2021, sipas Inspektorit të Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Afganistanit - një mbikëqyrës ky i Qeverisë amerikane.

Por, vendimi i administratës Trump për të ngrirë gjithë ndihmën për vendet e huaja, e vuri në pikëpyetje ndihmën e ardhshme të SHBA-së.

“Donatorët janë duke e reduktuar mbështetjen e tyre këtë vit, kështu që perspektiva për të ardhmen është e zymtë”, thotë Watterdal.

Krizën e urisë në Afganistan e përkeqësuan edhe ndryshimet klimatike dhe zhvendosjet masive.

Vendi është ndër më të cenueshmit në botë ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike dhe përjetoi disa ngjarje të motit ekstrem në vitet e fundit, përfshirë: tërmete vdekjeprurëse, përmbytje dhe thatësira.

“Ndryshimet mjedisore janë duke kontribuar në pasiguritë me ushqime dhe ujë”, thuhet në raportin e fundit të Organizatës Ndërkombëtare të OKB-së për Migracionin (IOM).

Në dy vjetët e fundit, ndërkaq, Irani dhe Pakistani dëbuan rreth 3 milionë refugjatë dhe imigrantë afganë në atdheun e tyre.

Dy vendet paralajmëruan se planifikojnë të dëbojnë edhe miliona të tjerë.

Shumë nga të kthyerit afganë e kanë të vështirë të gjejnë strehim të përshtatshëm, të kenë qasje në shërbimet e kujdesit shëndetësor ose të sigurojnë ushqime të mjaftueshme për të ngrënë.

“Afganistani vuan nga kriza klimatike, kriza ekonomike, kriza sociale, kriza shëndetësore, kriza ushqimore dhe kriza politike”, thotë Watterdal, punonjës norvegjez i ndihmës.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG