Ndërlidhjet

Mijëra afganë përballen me dëbim dhe përndjekje, pasi SHBA-ja hoqi mbrojtjen e përkohshme për ta


Një djalë afgan shikon përmes një dere të mbyllur ndërsa pret radhën e tij për të marrë ushqim gjatë shpërndarjes së ndihmave humanitare për familjet në nevojë, në Kabul.
Një djalë afgan shikon përmes një dere të mbyllur ndërsa pret radhën e tij për të marrë ushqim gjatë shpërndarjes së ndihmave humanitare për familjet në nevojë, në Kabul.

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do ta heqin statusin e mbrojtjes së përkohshme (TPS) për afganët, gjë që nënkupton se mijëra afganë do të përballen me rrezikun për t'u dëbuar në Afganistanin e kontrolluar nga talibanët.

Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS) njoftoi më 12 maj statusi i mbrojtjes së përkohshme do të skadojë më 14 korrik.

Ky vendim do t’i prekë rreth 9.000 deri në 12.000 afganë që jetojnë dhe punojnë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara me këtë program.

Megjithatë, grupet për të drejtat e njeriut dhe refugjatët afganë e kanë dënuar këtë vendim, duke paralajmëruar se ai vë në rrezik jetë njerëzish dhe shpërfill realitetin në terren.

Në kërkim të strehimit në SHBA

DHS-ja tha në deklaratën e saj se heqja e TPS-së bazohet në vlerësimin se kushtet në Afganistan janë “përmirësuar mjaftueshëm” dhe se kriteret ligjore për këtë status nuk plotësohen më.

Në deklaratë thuhej se sekretarja e DHS-së, Kristi Noem, ka vendosur gjithashtu se leja për shtetasit afganë që të qëndrojnë përkohësisht në SHBA është “në kundërshtim me interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara”.

Departamenti përmendi shqetësime për sigurinë kombëtare dhe mashtrime, duke pretenduar se disa individë me status TPS janë nën hetim për kërcënime ndaj sigurisë publike dhe asaj kombëtare.

Por, afganët që jetojnë në SHBA me këtë status thonë se do të jenë në rrezik nëse kthehen në Afganistan.

“Është e vërtetë që ka njëfarë sigurie relative, por ka shumë probleme”, tha për Radion Azadi të REL-it një burrë afgan që foli në kushte anonimiteti.

“Në këtë moment, ish-ushtarët e qeverisë po arrestohen, zhduken dhe madje po vriten”, tha ky burrë, i cili jeton në Teksas me familjen e tij prej katër anëtarësh.

Një tjetër shtetas afgan që u shpërngul në SHBA katër vjet më parë ndau të njëjtat shqetësime.

“Nëse na kthejnë, jeta jonë do të jetë në rrezik, sepse kemi punuar për qeverinë e mëparshme dhe qeveria e tanishme ende kërkon hakmarrje”, i tha ai Radios Azadi. “Erdhëm në SHBA për sigurinë tonë, dhe tani që ky program po përfundon do të krijojë shumë probleme”.

Këto druajtje rrjedhin nga ndryshimet dramatike që ka përjetuar Afganistani që prej rikthimit të talibanëve në pushtet në vitin 2021.

Pas tërheqjes së trupave amerikane dhe të NATO-s, kryengritësit talibanë morën Kabulin, duke rrëzuar qeverinë afgane të mbështetur nga Perëndimi.

Prej atëherë, talibanët kanë futur në përdorim ligjin e rreptë islamik, duke hequr të drejtat dhe liritë, veçanërisht për gratë dhe vajzat, të cilave tani u ndalohet arsimi i mesëm dhe shumica e vendeve të punës.

Raportet nga OKB-ja dhe organizatat e të drejtave të njeriut kanë dokumentuar shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut, përfshirë ekzekutime pa gjyq, zhdukje të detyruara, tortura dhe rrahje publike, sidomos ndaj ish-zyrtarëve të qeverisë, personelit të sigurisë dhe kundërshtarëve të regjimit.

“E pamoralshme” të dëbohen afganët

Organizatat për të drejtat e njeriut si, Human Rights First, Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC), World Relief dhe të tjera e kanë dënuar këtë vendim, duke paralajmëruar se i vë në rrezik për t’u dëbuar mijëra afganë në një vend ku mund të përballen me përndjekje, tortura apo edhe ekzekutim nën sundimin e talibanëve.

“Të thuash se kushtet në Afganistan janë përmirësuar aq sa të justifikohet kthimi i njerëzve është thjesht e pamoralshme dhe e pavërtetë”, tha Eleanor Acer, drejtoreshë për mbrojtje humanitare globale në Human Rights First.

Nëse nuk ka ndërhyrje nga gjykata, heqja e TPS-së për afganët do të hyjë në fuqi në korrik, dhe do t’i lërë mijëra njerëz me një të ardhmeje të pasigurt dhe mbase të rrezikshme nën sundimin e talibanëve.

“Njerëzit me status TPS janë anëtarë të vlefshëm të komuniteteve, shkollave dhe vendeve të punës amerikane”, shkroi IRC në një deklaratë.

“Ne u bëjmë thirrje urgjente autoriteteve amerikane që ta rishqyrtojnë këtë ndryshim të dëmshëm të politikës dhe të ruajnë këtë mbrojtje jetike humanitare për njerëzit nga Afganistani”, tha ajo.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG