Ndërlidhjet

Kantrimen: Ndarja s’është dhe s’do të jetë në tavolinë


Tomas Kantrimen
Tomas Kantrimen
“Këtë e kanë pasur të qartë të dyja palët para se të fillonte dialogu”, thotë zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Tomas Kantrimen, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kantrimen, Kosova dhe Serbia kanë nisur tashmë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por megjithatë nuk është arritur shumë deri më tash; qëndrimet e të dyja palëve mbeten larg njëra-tjetrës në pothuajse çdo çështje të ngritur. A mund të pritet vërtet ndonjë rezultat, gjykuar nga përvoja e deritashme?

TOMAS KANTRIMEN
Po. Dialogu, nuk ka pasur synim dhe nuk është pritur t'i zgjidhë të gjitha problemet e vështira në një takim të vetëm. Mendoj se ne të gjithë, Prishtina, Beogradi dhe Brukseli në kryesim, kanë pritur se do të jetë një proces i ngadalshëm, i cili do të rezultojë me marrëveshje të vogla, me shpresë se do të rriten në marrëveshje më të mëdha dhe më të rëndësishme.

Dialogu është jashtëzakonisht shumë në interesin e popullit të Kosovës, qoftë në afat të shkurtër kohor, të mesëm apo të gjatë. Në kuptimin e menjëhershëm, nëse mund të ketë marrëveshje praktike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të cilat do të lejonin qytetarët të udhëtojnë më lirshëm, të tregtojnë më lirshëm, të shtrihet sundimi i ligjit në Kosovë, të ofrohen shërbime më të mira për të gjithë qytetarët e Kosovës, të gjitha këto mund të kenë ndikim të menjëhershëm, të cilin qytetarët e Kosovës do ta vërejnë dhe ndjejnë.

Dhe, një gjë e këtillë do të vlente, jo vetëm për qytetarët shqiptarë të Kosovës, por edhe për qytetarët serbë të Kosovës.

Në afatin e mesëm kohor, mund të ketë ndikim të rëndësishëm ekonomik për Kosovën. Duke zgjidhur çështjet, siç është energjia elektrike apo telekomunikacioni, në mënyrë që të ofrohen shërbime më të mira për njerëzit. Por, gjithashtu edhe më shumë të hyra për Qeverinë, largohen pasiguritë për të nxitur investime të reja.

E gjithë kjo është në favor të përfitimit ekonomik për Kosovën.

Dhe, në fund, në afatin e gjatë kohor, një pjesëmarrje konstruktive dhe fleksibile e Qeverisë së Kosovës në dialog, do të ndihmojë fillimisht në njohjet shtesë nga vendet në mbarë botën; së dyti do të ndihmojë në ndërtimin e një raporti më të fuqishëm me Bashkimin Evropian dhe së treti, do të ndihmojë të çojë Kosovën drejt anëtarësimit në Kombet e Bashkuara dhe organizatat tjera ndërkombëtare.

Këto janë synimet që ne mbështesim. Më duhet të them se njerëzit në Prishtinë, të cilët kritikojnë pjesëmarrjen e Qeverisë në dialog, nuk kanë plan real alternativ se si të përmbushen këto synime.

Do të ishte mirë sikur Kosova të mund të realizonte gjithë sovranitetin e saj dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi, por ky nuk është realiteti. Rruga drejt objektivave që ne ndajmë: sovraniteti i plotë, njohja, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare dhe përparimi ekonomik, zhvillohet nëpërmjet bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe këtu përfshihet pjesëmarrja fleksibile në dialog.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kantrimen, çfarë roli kanë Shtetet e Bashkuara në këtë dialog? Ky dialog mbase mund të jetë procesi i parë, në të cilin janë angazhuar Kosova dhe Serbia, e që udhëhiqet në tërësi nga Bashkimi Evropian.
TOMAS KANTRIMEN
Shtetet e Bashkuara janë mysafirë në dialog, të ftuar nga Bashkimi Evropian. Ne konsultohemi me të dyja delegacionet, në kohën midis sesioneve të secilit dialog. Në vetë takimet, ne flasim shumë pak. Por, aty ku mundemi të ofrojmë ide që mund të ndihmojë të dyja palët të arrijnë deri te një kompromis praktik, atëherë flasim.

Por, kemi besim absolute në lidershipin që Robert Kuper ofron për kryesimin e Bashkimit Evropian në këtë dialog. Më lejoni të shtoj diçka për Bashkimin Evropian.

Bashkimi Evropian është e ardhmja për Kosovën. Ne duam të shohim një marrëdhënie më pozitive midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Shtetet e Bashkuara nuk do të largohen, ne do ta ruajmë mbështetjen tonë të fuqishme për zhvillimin e një shteti evropian të shekullit XXI, një shteti të përparuar në aspektin ekonomik në Kosovë, por është fakt se Bashkimi Evropian ka ofruar më shumë ndihmë sesa që kanë ofruar Shtetet e Bashkuara për Republikën e Kosovës dhe këtë do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen.

Më shqetëson se ky fakt rrallë herë vlerësohet nga politikanët dhe opinioni në Kosovë. Po, Bashkimi Evropian është organizatë komplekse dhe është e vështirë për të, që të flasë me një zë. Por, Kosova ka shumë më shumë miq në Bruksel dhe në vendet anëtare të BE-së sesa që e kuptojnë shumë njerëz.

Një marrëdhënie më pozitive, më shumë respekt nga të dyja palët, midis Brukselit dhe Prishtinës, do të shpaguajë një shpërblim shumë të madh për Kosovën në të ardhmen.


Veriu: S’ka ndarje

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej sfidave të vazhdueshme për të gjitha palët e përfshira është veriu i Kosovës, epiqendra e kundërshtimeve ndaj shtetësisë së Kosovës. Shqetësimet nga ndarja janë ende të pranishme. Si do t’u përgjigjeshit këtyre shqetësimeve?


TOMAS KANTRIMEN

Çështja e ndarjes apo e territorit nuk është në tavolinën e dialogut dhe nuk do të jetë në tavolinë. Këtë e kanë pasur të qartë të dyja palët para se të fillonte dialogu. Ekziston një numër çështjesh praktike në veriun e Kosovës, që duhet të diskutohen dhe mbi të cilat mund të ketë përparim.


Jam i shqetësuar se banorët e veriut të Kosovës, veçanërisht serbët e Kosovës, nuk janë shërbyer gjithmonë ashtu siç duhet, qoftë nga Beogradi apo Prishtina, apo edhe qoftë nga Brukseli apo Uashingtoni.

Ata kanë shqetësime legjitime për të ardhmen e tyre në kuadër të Republikës së Kosovës dhe është e rëndësishme se tash ekziston mundësia për t’i diskutuar këto shqetësime dhe për t’i qetësuar banorët e veriut të Kosovës, duke ua dhënë një imazh të qartë se mund të jenë qytetarë të lirë të Republikës së Kosovës.

Kjo nuk është diçka që mund të arrihet, duke dhënë thjesht një deklaratë në Prishtinë apo Uashington, por nëpërmjet një procesi të dialogut, duke adresuar çështjet praktike një nga një, mendoj se përmirësohet dhe dinamizohet procesi i ushtrimit të sovranitetit të plotë nga ana e Qeverisë së Kosovës në territorin e saj.

Në mesin e çështjeve që mund të jetë në tavolinë, është çështja të cilën e përmendi kudo ku shkoj në Ballkan, çështja më e rëndësishme, sundimi i ligjit; për të pasur një polici dhe sistem gjyqësor, që u shërben dhe i mbron qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ky është një detyrim, të cilin komuniteti ndërkombëtar e ndan me Qeverinë e Kosovës, shtrirja e sundimit të ligjit në territorin ku sundimi i ligjit aktualisht është shumë i brishtë. Dhe, ky është një detyrim, i cili mund të bisedohet në dialog, por përgjegjësia për ta zbatuar mbetet te komuniteti ndërkombëtar dhe Qeveria e Kosovës dhe do të ketë hapa përpara në vitin që vjen.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, autoritetet në Prishtinë pohojnë se sundimi i ligjit në veri është i brishtë, kryesisht për faktin se Serbia ushqen idenë e ndarjes, duke mbështetur financiarisht strukturat paralele në veri. A do të pajtoheshit?

TOMAS KANTRIMEN
Pajtohem se sundimi i ligjit është i brishtë në veriun e Kosovës. Ajo pjesë mund të mos jetë vendi më i rrezikshëm në Evropë, por është padyshim vendi me më së paku ligjshmëri, në të cilën nuk ka struktura adekuate policore dhe gjyqësore për t’u shërbyer qytetarëve.

Gjithashtu, pajtohem se të ashtuquajturat institucione paralele janë ilegale, jo vetëm sipas Kushtetutës së Kosovës, por edhe sipas Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit, për të cilën Beogradi pohon se e respekton.


Bosnjë e Hercegovinë: Retorikë provokative

RADIO EVROPA E LIRË
Do të ndërlidhem me shqetësimet e njëjta që janë ngritur edhe për Bosnjë e Hercegovinën, një vend ky, i cili qartazi vazhdon të vuajë nga retorika armiqësore. A keni ndonjë shenjë që dëshmon se Bosnja do lëvizë nga rruga që ka ndjekur deri më tash?

TOMAS KANTRIMEN
Për fat të keq, kur bëhet fjalë për Bosnjë e Hercegovinën, për çdo shenjë pozitive, ka edhe një shenjë negative. Keni shumë të drejtë, retorika e liderëve në Bosnjë ka qenë provokative, ka qenë armiqësore dhe nuk u ka kontribuuar kërkesave të qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës, e që kanë të bëjnë me reformat ekonomike, reformat sociale që i çojnë ata drejt së ardhmes në Bashkimin Evropian.

Hapat e fundit të Kuvendit Kombëtar të Republika Srpska për të mbajtur një referendum që sfidon disa nga konceptet bazë të Kushtetutës së dalë nga Dejtoni, janë shembulli më serioz i kësaj forme të sjelljes negative.

Por, nuk janë vetëm liderët në Republika Srpska ata që po dështojnë karshi qytetarëve të tyre, kjo vlen për gjithë vendin. Do të donim të shihnim tash, një hap përpara, drejt formimit të një qeverie në nivel shtetëror. Kjo është një çështje serioze për të gjithë liderët politikë dhe zhvendosja e vëmendjes, nga kjo detyrë parësore, me nxitje të shqetësimeve mbi baza etnike, është sjellje e papërgjegjshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë, janë shënuar disa hapa prapa që ndërlidhen me imazhin e saj; një prej tyre është edhe raporti i Dik Martit nga Këshilli i Evropës, me pretendimet për trafikim organesh njerëzore dhe krime të tjera serioze. Ndaj thirrjeve për hetime të detajuara, Kosova dhe Shqipëria janë shprehur të gatshme të bashkëpunojnë, por që prej atëherë nuk ka pasur ndonjë zhvillim…


TOMAS KANTRIMEN

Janë dy pyetje këtu, imazhi dhe raporti i Martit. Për raportin e Martit; këto janë akuza serioze dhe Qeveria e Shteteve të Bashkuara i merr seriozisht. Ekziston nevoja për një hetim që do të udhëhiqet nga EULEX-i, për të parë ngjarjet që kanë ndodhur shumë vite më parë.

Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë në këtë hetim. Kosova, Shqipëria, si dhe Serbia, kanë për detyrim të bashkëpunojnë në tërësi në një hetim të këtillë, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Të gjithë kanë thënë se do të bashkëpunojnë në tërësi dhe këtë presim prej tyre.

Nuk do të thosha se s’ka pasur zhvillime në këtë drejtim. Është natyra e hetimit në një akuzë të këtillë që bën që gjërat të mos zhvillohen shumë shpejt. Por, Bashkimi Evropian, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, po e përgatit një hetim të kujdesshëm, që do t’i adresojë këto shqetësime.

Për imazhin; imazhi i një vendi, qoftë pozitiv apo negativ, nuk ndryshon brenda natës, ai ndërtohet me vite, ndonëse mund të dëmtohet në një afat të shkurtër kohor.

Mendoj se hetimet që do të udhëhiqen nga Bashkimi Evropian do të jenë një faktor i rëndësishëm për heqjen dhe qartësimin e imazhit negativ për Kosovën. Ajo që unë shpresoj se do të bëjë Qeveria në Kosovë dhe populli i saj, është të përqendrohen në mundësitë për ndërtimin e imazhit pozitiv.

Keni aq shumë gjëra në favorin tuaj. Është një shtet i ri, dinamik, me potencial të vërtetë ekonomik; ministrat e ekonomisë në Qeverinë e Kosovës kanë hartuar një plan reformues dhe gjithëpërfshirës ekonomik, i cili, nëse zbatohet dhe mbështetet, do të bëjë ndryshime dramatike në situatën ekonomike.

Është edhe fakti se në rrafshin politik, keni zgjedhur një presidente të re, e cila që tani ka një konsideratë të lartë të komunitetit ndërkombëtar dhe mendoj se do të jetë zëdhënëse e mirë për Kosovën.

Dhe, ju keni një sistem politik që funksionon. Është i zhurmshëm dhe kaotik, por sistemi politik funksionon në një mënyrë më efektive në krahasim me vendet tjera që kanë pasur një periudhë më të gjatë pavarësie.

Mendoj se gjithë ato kriza qeveritare, nëpër të cilat kaloi Kosova në gjashtë muajt e fundit dhe që u zgjidhën me mjete politike, është një fakt inkurajues.

Kosova tani duhet të përqendrohet në atë se ç’mund të bëjë për vetveten, kur bëhet fjalë për ndërtimin e imazhit pozitiv, për të fituar njohje dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Dhe, kjo nënkupton, siç e thashë, reforma ekonomike dhe në sundimin e ligjit.


Shqipëri: Thirrje për zgjedhje të qeta

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kantrimen, përmendët zhurmën dhe kaosin…kohët e fundit keni vizituar disa herë Shqipërinë dhe u keni bërë thirrje liderëve të atjeshëm të angazhohen për dialog dhe kompromis politik. Jeni të kënaqur me përgjigjet e tyre?

TOMAS KANTRIMEN
Unë i kam ftuar ata, në koordinim të plotë me BE-në, thirrje këto të bëra edhe nga përfaqësuesit e OSBE-së, BE-së dhe SHBA-së në Tiranë, të mbajnë zgjedhje të ndershme lokale. Kjo është një kërkesë e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Shqipërisë.

Kemi insistuar që të gjitha palët ta respektojnë Kushtetutën, të mbajnë zgjedhje të ndershme dhe paqësore dhe i kemi bërë thirrje popullit të Shqipërisë ta kërkojë një gjë të këtillë nga përfaqësuesit e tyre.

Zgjedhjet në Shqipëri, sikur edhe në çdo vend tjetër, nuk u takojnë një apo dy partive politike, ato u takojnë njerëzve.

Presim nga të dyja palët të zhvillojnë fushatë jo të dhunshme, të mbajnë zgjedhje të qeta më 8 maj dhe të zgjidhin çdo mosmarrëveshje mbi zgjedhjet nëpërmjet procesit të njohur kushtetues. Nëse e arrijmë këtë, atëherë është periudha e paszgjedhjeve lokale në maj, në të cilën mund të zhvillohet një dialog më i qytetëruar politik, jo vetëm midis dy partive kryesore, por një dialog që përfshin gjithë shoqërinë shqiptare.

Do të thosha se jam në të shumtën i kënaqur, por jo në tërësi me përgjigjet e partive kryesore në këto thirrje që u ka bërë komuniteti ndërkombëtar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG