Ndërlidhjet

Biden: Neni 5 është obligim i shenjtë


Presidenti amerikan, Joe Biden
Presidenti amerikan, Joe Biden

Shtetet e Bashkuara janë duke u përgatitur për të dërguar mijëra trupa në Evropë për të forcuar aleatët e NATO-s, në kohën e rritjes së tensioneve pas pozicionimit të mbi 100 mijë trupave ruse afër kufirit të Ukrainës.

Perëndimi dyshon se trupat ruse mund të pushtojnë shpejt Ukrainën.

Pentagoni ka njoftuar se do të dërgojë rreth 3,000 trupa në Poloni, Rumani dhe Gjermani këtë javë, vendim që presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se është konsistent me atë që i ka treguar edhe presidentit rus, Vladimir Putin dhe se përfaqëson “një detyrim të shenjtë”, siç e parasheh Neni 5 i NATO-s.

“Për aq kohë sa ai (Putin) vepron me agresivitet, ne do të sigurohemi se mund të garantojmë aleatët e NATO-s dhe Evropën Lindore se jemi aty dhe Neni 5 është obligim i shenjtë”, ka thënë Biden për një gazetar të kanalit CNN më 2 shkurt.

Sipas Nenit 5 të NATO-s, të gjitha vendet anëtare janë të obliguara të ndihmojnë një vend tjetër anëtar, sovraniteti dhe integriteti territorial i të cilit mund të kërcënohet.

Rreth 2,000 trupa luftarake do të pozicionohen nga Shtetet e Bashkuara në Poloni dhe Gjermani, derisa rreth 1,000 trupa që tani janë në Gjermani, do të kalojnë në Rumani, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

Dërgimi i trupave “është sinjal i pagabueshëm para botës se ne jemi të gatshëm” për të mbrojtur aleatët e NATO-s dhe lëvizjet e trupave nuk janë veprimi i vetëm parandalues që do të marrë SHBA-ja, ka thënë Kirby.

“Është e rëndësishme që ne të dërgojmë sinjal të fuqishëm te Putini dhe bota se NATO-ja ka rëndësi për SHBA-në dhe ka rëndësi për aleatët tanë”, ka thënë Kirby në një konferencë për media.

Ai ka përsëritur qëndrimin se Shtetet e Bashkuara mbesin të hapura ndaj përpjekjeve diplomatike për të ulur tensionet e shkaktuara nga pozicionimi i trupave ruse dhe nuk beson se konflikti është i pashmangshëm.

Tensionet ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit për Ukrainën janë rritur për javë të tëra, pasi Perëndimi akuzon Moskën se po përgatitet për pushtim të mundshëm.

Rusia mohon se po planifikon të pushtojë fqinjin e saj, pavarësisht dërgimit të 100,000 trupave në veri, lindje dhe jug.

Sipas saj, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja janë nxitëse, duke cituar përgjigjen e Perëndimit si dëshmi.

Moska ka dënuar më 2 shkurt vendimin për dërgimin e trupave amerikane në Evropë.

Sipas saj ky vendim flet për “hapa shkatërrues që rrisin tensionin ushtarak dhe zvogëlojnë mundësitë për vendime politike”.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandr Grushko, ka thënë për agjencinë e lajmeve, Interfax se ky vendim do të zvogëlojë hapësirën për vendimet politike rreth tensioneve në Ukrainë.

Çka ia ndal turrin Putinit?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:10:23 0:00

Në frontin diplomatik, kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se planifikon të udhëtojë në Moskë për ta takuar Putinin, pasi lideri rus ka biseduar përmes telefonit me kryeministrin britanik, Boris Johnson më 2 shkurt.

“Kjo gjë është planifikuar dhe do të ndodhë shpejt”, ka thënë Scholz më 2 shkurt në një intervistë për transmetuesin public ZDF, pa dhënë datë konkrete.

Johnson ka paralajmëruar Putinin se çfarëdo pushtimi në Ukrainë do të përbënte llogaritje të gabuar dhe tragjike.

Në deklaratën e Kremlinit është thënë se gjatë bisedës telefonike është vërejtur mosgatishmëria e NATO-s për t’u përgjigjur në mënyrë adekuate ndaj shqetësimeve ruse.

Pas pozicionimit të trupave, Rusia ka kërkuar në muajin dhjetor nga Perëndimi disa garanci për sigurinë.

Në kërkesat e Moskës ndaj Perëndimit përfshihen edhe ato që:

  • Ukraina të mos pranohet në NATO
  • NATO-ja t’i japë fund aktivitetit ushtarak në Evropën Lindore dhe të tërheqë trupat nga Polonia dhe republikat baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania
  • Aleanca veriatlantike të mos pozicionojë raketa në shtetet afër apo në kufi me Rusinë

Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja janë përgjigjur duke thënë se Ukraina ka të drejtë të zgjedhë aleatët e vet, mirëpo i kanë ofruar Rusisë mundësinë e negocimit rreth raketave dhe çështjeve tjera.

Nëse Rusia pushton Ukrainën, kjo nuk do të ishte hera e parë.

Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.

Putin, i cili ditë më parë ka thënë se kërkesat e Rusisë janë duke u “injoruar”, i ka thënë kryeministrit britanik se NATO-ja “po fshihet” pas politikës për dyer të hapura, e cila sipas deklaratës, “bie në kundërshtim me parimin themelor të pandashmërisë dhe sigurisë”.

Putin ka akuzuar Kievin për “sabotazh kronik” të marrëveshjeve të Minskut, të cilat kanë synuar t’i japin fund konfliktit në lindje të Ukrainës në mes të separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave qeveritare.

Si pasojë e konfliktit kanë vdekur më shumë se 13,200 persona.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG