Ndërlidhjet

Ukraina: Trupat ruse në kufi, të pamjaftueshme për pushtim të plotë


Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

Ukraina ka thënë se forcat ruse afër kufirit të saj nuk janë ende të mjaftueshme për të kryer pushtim të plotë, ndonëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të insistojnë se sulmi mund të “jetë i shpejtë”.

Rusia ka vendosur më shumë se 100 mijë trupa luftarake dhe pajisje të rënda afër kufirit me Ukrainën dhe në Krime.

SHBA-ja i sheh këto veprime si shenja për pushtim.

“Në këtë moment, me vlerësimin e Ukrainës dhe të partnerëve, ky numër i trupave nuk është i mjaftueshëm për pushtim të plotë”, ka thënë ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, në një intervistë për media të huaja.

“Megjithatë, ne do të qëndrojmë vigjilentë, do të monitorojmë dinamika tjera”, ka thënë ai.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka njoftuar muajin e kaluar se do të evakuojë familjarët e zyrtarëve të ambasadës amerikane në Ukrainë dhe u ka kërkuar amerikanëve që të largohen nga ky shtet, pas rrezikut për konflikt.

Kuleba ka thënë se vendimi i SHBA-së dhe disa vendeve tjera për të këshilluar qytetarët e tyre për t’u larguar nga Ukraina, ka qenë i parakohshëm.

Ai ka thënë se po flitet për javë të tëra për luftë dhe duke marrë parasysh faktin se asgjë ende nuk ka ndodhur, diplomacia është duke funksionuar.

Ai i ka bërë thirrje Perëndimit që të arrijë marrëveshje se me çfarë sanksione do ta godasë Rusinë, nëse pushton Ukrainën, dhe të sigurohet se Kremlini i di këto masa qysh tani.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë kanë paralajmëruar Rusinë se do të vendosin sanksione ekonomike dhe do të dërgojnë më shumë armë në Ukrainë, në rast të pushtimit.

Pak pas intervistës së Kulebas, Pentagoni ka bërë të ditura planet për të dërguar rreth 3,000 trupa në Poloni, Rumani dhe Gjermani, por jo edhe në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar një kërkesë kyçe të Moskës që NATO-ja të mos pranojë Ukrainën – mirëpo kanë insistuar se po i ofrojnë Rusisë “një rrugë diplomatike serioze”.

Çka ia ndal turrin Putinit?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:10:23 0:00

Presidenti rus, Vladimir Putin ka akuzuar Perëndimin se po injoron shqetësimet e Rusisë për çështje të sigurisë.

Në kërkesat e Moskës ndaj Perëndimit përfshihen edhe ato që:

  • Ukraina të mos pranohet në NATO
  • NATO-ja t’i japë fund aktivitetit ushtarak në Evropën Lindore dhe të tërheqë trupat nga Polonia dhe republikat baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania
  • Aleanca veriatlantike të mos pozicionojë raketa në shtetet afër apo në kufi me Rusinë

Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja janë përgjigjur duke thënë se Ukraina ka të drejtë të zgjedhë aleatët e vet, mirëpo i kanë ofruar Rusisë mundësinë e negocimit rreth raketave dhe çështjeve tjera.

Nëse Rusia pushton Ukrainën, kjo nuk do të ishte hera e parë.

Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.

Ky vend po ashtu mbështet rebelët në konfliktet në rajonet lindore të Ukrainës, në të cilat kanë vdekur rreth 14,000 persona.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG