Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka bërë thirrje për t'i dhënë fund "epokës së zymtë të ndarjes", pasi vendi përballet me një dimër të gjatë dhe të vështirë me pandeminë e COVID-19.
Në një fjalim për festën e Falënderimeve, ai tha se amerikanët janë në luftë me koronavirusin, jo me njëri-tjetrin.
Javën e kaluar më shumë se 1.2 milion raste të reja me koronavirus u regjistruan në Shtetet e Bashkuara. Të martën autoritetet shëndetësore shënuan 2.200 vdekje - numri më i lartë që nga fundi i majit.
Në fjalimin e tij të mërkurën, Biden i tha kombit: "Unë besoj se ju gjithmonë meritoni të dëgjoni të vërtetën nga presidenti juaj. Ne duhet të ngadalësojmë përhapjen e këtij virusi. Ne ua kemi borxh mjekëve dhe infermierëve dhe punonjësve të vijës së parë të frontit kundër pandemisë. Ne ua kemi borxh bashkëqytetarëve tanë", tha Biden.
Ai tha se COVID-19 ka shkaktuar shumë dhimbje, humbje dhe zhgënjim.
"Na ndau, na zemëroi, na vendosi kundër njëri-tjetrit. Unë e di që vendi është lodhur nga lufta, por duhet të kujtojmë se ne jemi në luftë me virusin, jo me njëri-tjetrin”, tha Biden.
Presidenti i zgjedhur u bëri thirrje amerikanëve të modifikojnë mënyrën e festimeve të festës të Falënderimeve. Sipas tij, në vend të mbledhjes së zakonshme, ai do të kalonte pushimet vetëm me gruan e tij Jill, vajzën dhe dhëndrin e tyre, ndërsa pjesa tjetër e familjes do të festonte në grupe më të vogla.
Ndërkohë, presidenti, Donald Trump, u bëri thirrje mbështetësve të punojnë për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.
Duke folur përmes telefonit nga Shtëpia e Bardhë për një ngjarje të organizuar nga ligjvënësit e shtetit republikan në Pensilvani, Trump përsëriti pretendimet e pabazuara në lidhje me mashtrimet elektorale.
Biden fitoi zgjedhjet presidenciale dhe shumicën e nevojshme të votave të kolegjit elektoral dhe transzicioni presidencial tashmë është në proces.
Përpjekjet e Trumpit për të sfiduar rezultatet në shtetet kryesore përmes proceseve gjyqësore deri më tani kanë dështuar.