Ndërlidhjet

Komploti me ricin në Pragë përfshin diplomatin rus


Andrei Konchakov, drejtori i Qendrës ruse për Shkencë dhe Kulturë në Pragë
Andrei Konchakov, drejtori i Qendrës ruse për Shkencë dhe Kulturë në Pragë

Më 14 mars, Andrei Konchakov arriti nga Moska në aeroportin "Vaclav Havel" në Pragë. Shtetasi rus, 34 vjeçar ka jetuar për vite të tëra në kryeqytetin e Republikës së Çekisë.

Së fundi ai ishte emëruar drejtor i dy institucioneve shtetërore ruse në Pragë, duke marrë kështu edhe statusin e diplomatit.

Kjo është gjithçka që dihej. Por, megjithatë mediat çeke kanë raportuar për akuza të ashpra.

Në fillim të prillit, revista hulumtuese çeke Respekt, citoi një zyrtar çek të sigurisë të thoshte se personi (në atë kohë nuk emërohej) kishte një valixhe që përmbante helmin toksik ricin.

Për më tepër, Respekt raportoi se kishte zbuluar një komplot helmimesh nga Kremlini që synonte deri në tre zyrtarë komunalë të Pragës, të cilët kohët e fundit kishin mbështetur ose miratuar vendime të cilat e zemëruan Moskën.

Policia autorizoi mbrojtje të afërt për kryetarin e Pragës, Zdenek Hrib dhe kryetarët e dy rajoneve të Pragës, Ondrej Kolar dhe Pavel Novotny.

Kryetari i Pragës, Zdenek Hribi kishte aprovuar riemërimin e sheshit përpara Ambasadës Ruse në Pragë me emrin e ish zëvendëskryeministrit rus, Boris Nemtsov, i cili është vrarë më 2015 afër Kremlinit. Ai ka qenë një kundërshtar i zëshëm i presidentit rus, Vladimir Putin.

Kryetari i rajonit të gjashtë të Pragës, Ondrej Kolar kishte aprovuar heqjen e një statuje të një ushtaraku sovjetik, Ivan Konev, i cili ka drejtuar forcat që luftuan në Çekosllovakinë e atëhershme gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ndërsa çështja me kryetarin e një rajoni tjetër të Pragës, Pavel Novotny kishte të bënte me një monument të ndërtuar për dezertuesit e ushtrise sovjetike të njohur si Ushtria e Vlasovit, të cilët luftuan përkrah nazistëve para se të ktheheshin kundër tyre në ditët e fundit të luftës.

Zdenek Hrib, Ondrej Kolar dhe Pavel Novotny
Zdenek Hrib, Ondrej Kolar dhe Pavel Novotny

Analistët perëndimor të çështjeve të sigurisë thanë se nëse kjo është e vërtetë, atëherë ky ishte një nga veprimet më të pacipë të Rusisë ndaj një vendi anëtar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, që nga ardhja në pushtet e Putinit, 20 vjet më parë.

Rusia, është akuzuar për kryerjen e sulmeve të shumta ndaj armiqve të perceptuar jashtë vendit. Së fundmi ishte rasti i helmimit me agjentë nervor të ish-oficerit të inteligjencës ruse, Sergei Skripal dhe vajzës së tij.

Rusia ka hedhur poshtë akuzat dhe ka pohuar se vendi është në shënjestër të një fushate të vazhdueshme njollosjeje.

Konchakov vazhdon të qëndrojë në Ambasadën ruse në Pragë edhe dy muaj pasi erdhi me valixhen në të cilën ka thënë se përmbante "dezinfektues dhe ëmbëlsira". Zyrtarët çek nuk kanë bërë asnjë veprim për ta dëbuar atë. Rusia ka kërkuar mbrojtje policore për të, duke pretenduar se ai është përballur me kërcënime të paspecifikuara.

Zyrtarët çekë kanë thënë se policia po heton informacionin nga artikulli në revistën Respekt dhe raportet pasuese, pasi agjensia e kundërzbulimit çek, paraqiti një kërkesë zyrtare. Ministri i Jashtëm i Çekisë, Tomas Petricek, ka thënë se çfarëdo veprimi kundër diplomatëve rusë, do të ndërmerrej vetëm në bazë të gjetjeve të hetimit policor.

Analistët thonë se hetimi, i cili po vazhdon, mund të përballet me pengesa për shkak të disa faktorëve siç janë: vështirësitë për shkak të imunitetit diplomatik, opinionet e ndryshme që kanë për këtë çështje zyrtarët çekë, ndjeshmëritë për raportet me Rusinë - edhe pse ato janë tendosur shumë - dhe ajo që së paku publikisht dihet - posedimi i shumë pak provave të qarta për këtë rast.

Presidenti i Çekisë, Milosh Zeman, një nga udhëheqësit më miqësorë me Kremlinin brenda BE-së, duket se ka hedhur dyshime në raportimet, pasi në një moment e quajti ricinin një "laksativ" dhe jo një helm.

Ndërkohë, disa analistë të sigurisë, thonë se është e mundur, që në vend se një komplot me ricin përmes aeroportit, kjo mund të ketë qenë një hile e Kremlinit për të frikësuar çekët.

"Kjo çështje ka elementet e një fushate psikologjike kundër Republikës Çeke, për të treguar kundërshtimin e Rusisë ndaj veprimeve të fundit të Pragës," thotë Ben West, një analist i lartë i sigurisë në kompaninë amerikane të studimeve gjeopolitike dhe të inteligjencës Stratfor.

Imuniteti diplomatik

Konchakov njihet si kryetari i degës së Pragës i një agjencie shtetërore ruse, e cila është e ngarkuar për mbikëqyrjen e mirëqenies së rusëve që jetojnë jashtë.

Kjo agjenci quhet Rossotrudnichestvo.

Ai po ashtu është drejtor i Qendrës ruse për Shkencë dhe Kulturë, një institucion tjetër i financiar nga Rusia, me qendër në kryeqytetin çek.

Selia e saj është në lagjen afër ambasadës ruse. Mediat çeke kanë raportuar se Konchakov fitoi statusin e diplomatit në vitin 2019. Stafi diplomatik i Rusisë në Pragë numëron 140 persona, duke e bërë atë misionin më të madh të një vendi të huaj në Çeki.

Agjencia e kundërzbulimit çek ka paralajmëruar prej kohësh se ambasada ruse në Pragë ishte një qendër e rëndësishme për spiunazhin rus, jo vetëm në Çeki, por gjetkë në Evropë.

"Një problem afatgjatë i sigurisë mbetet misioni i madh diplomatik rus në Republikën e Çekisë, i cili ngre kërcënimin për qytetarët çekë që vijnë në kontakt me shërbimin e inteligjencës së një fuqie të huaj", tha agjencia në raportin e saj të fundit vjetor të bërë publik në nëntor të vitit 2019.

Diplomatët, kryesisht gëzojnë imunitet nga ligji vendor, siç përcaktohet në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961. Ata mund të punojnë kryesisht pa pengesa ligjore dhe mund të transportojnë dërgesa diplomatike të cilat nuk mund të kontrollohen ose të konfiskohen.

Pamja e jashtme e ambasadës ruse në Pragë, 26 mars 2018.
Pamja e jashtme e ambasadës ruse në Pragë, 26 mars 2018.

Kjo përfshin edhe kontrollin e bagazhit, që do të thotë se Konçakov mund të ketë anashkaluar kontrollin e doganës çeke.

"Kremlini përdori një teknikë të ngjashme në vrasjen e Aleksandr Litvinenko në vitin 2006 dhe atentatin e vitit 2018 ndaj Sergei Skripal", thotë William Courtney, një bashkëpunëtor në Institutin RAND Corporation, dhe një ish-diplomat amerikan, që ka shërbyer për shumë vite në çështjet që kishin të bëjnë me Rusinë dhe ish-bllokun Sovjetik.

"Në të dyja rastet, një zyrtar nga Moska solli një helm në vendin ku ishin vendosur caqet", tha ai.

Për sa kohë që Konchakov ka status diplomatik, autoritetet çeke nuk mund ta arrestojnë, thotë Cortney, por, sipas tij, ata mund të ndërmarrin hapa për ta shpallur atë person të padëshiruar (non grata) dhe për ta dëbuar.

Ben West nga Stratfor, thotë se statusi diplomatik i Konchakovit mund të jetë një pengesë edhe për zhvillimin e hetimeve policore.

"Imuniteti diplomatik ka të ngjarë ta bëjë hetimin më të komplikuar pasi policia nuk mund thjesht të kërkojë në pronën e ambasadës ose të personelit, pa krijuar një incident të madh diplomatik", thotë ai.

Policia dhe politika?

Presidenti çek Zeman, e ka kritikuar BE-në për sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, pas ndërhyrjes së saj në Ukrainë dhe në të kalurën, ka bërë thirrje për mbajtjen e një referendumi për anëtarësimin çek në NATO dhe BE. Ai e bëri të qartë se nuk po i merrte shumë seriozisht akuzat rreth Konchakovit.

Presidenti, i cili ka më pak fuqi se kryeministri, i tha gjithashtu radiove publike çeke, më 5 maj, se ricini nuk ishte një helm por një përbërje "laksative".

Ai shtroi pyetjen nëse tre zyrtarët e Pragës kishin kërkuar mbrojtje policore për të krijuar një promovim për vete.

"Kur një politikan është mesatar, ai përpiqet të tërheqë vëmendjen në mënyra të tjera, të tilla si një skandal seksual, vjedhje parash, apo edhe në këtë mënyrë", tha Zeman, 75 vjeç, i cili është president i Çekisë, që nga viti 2013.

Presidenti i Çekisë, Millosh Zeman.
Presidenti i Çekisë, Millosh Zeman.

Kryetari i Pragës, Zdenek Hrib, iu kundërpërgjigj duke thënë se "presidenti çek duhet të qëndrojë prapa qytetarëve të tij dhe të mos mbrojë interesin e fuqive të huaja".

Ndërkaq zyrtari tjetër i Pragës, Pavel Novotny, një ish-gazetar hulumtues, e quajti Zemanin një "plak i shtyrë në moshë".

Një ndihmës i lartë i presidentit Zeman u tha mediave lokale se ai e njihte Konçakovin dhe e përshkroi atë si një "djalë të mirë".

Ndihmësi, Zbytek Zdenek, një oficer ushtarak i kohës së Çekosllovakisë komuniste, përshkruhet nga mediat çeke si një figurë kyçe, të cilin presidenti Zeman e dëgjon, dhe i cili ka kontakte të nivelit të lartë në Kremlin.

Ai ka marrë me qira zyra në ndërtesën ku ndodhet qendra kulturore ruse.

Përkundër pengesave diplomatike dhe dallimeve politike, analistët vlerësojnë se nevoja për një informacion të qartë dhe konkret për atë që ka ndodhur, mbase mund të jetë parësore.

"Inteligjenca çeke me siguri ka prova të mjaftueshme që tregojnë se diplomatët rusë janë angazhuar në spiunazh, por do të duhet prova të forta tani në mes të akuzave aktuale të ricinit për të ndërmarrë veprime, thotë një analist çek për sigurinë i cili foli në kushte anonimiteti, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Ky analist thotë se politika e partive çeke është një pengesë tjetër e mundshme për hetimin dhe veprimin e mundshëm nga autoritetet.

Ai thotë se qeveria e kryeministrit, Andrej Babis, mund të jetë e kujdesshme për të mos e zemëruar presidentin Zeman, dhe në këtë mënyrë potencialisht të rrezikojë humbjen e mbështetjes nga Partia Komuniste të Bohemisë dhe Moravisë (KSCM).

Christo Grozev, një gazetar që është pjesë e organizatës ndërkombëtare të gazetarëve hetues - Bellingcat - thotë se ai "nuk ka gjetur prova të mjaftueshme për të konkluduar se historia e ricinit është e korrekte sa i përket fakteve".

Një një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se informacionet se një rus po barte ricin, mund të kenë ardhur nga një burim i inteligjencës, të cilit "autoritetet çeke nuk i kanë besuar plotësisht, sepse po të ishte ndryshe ata do të vepronin më ashpër, duke e marrë në pyetje pas mbërritjes dhe duke i kërkuar që në mënyrë vullnetare të tregojë përmbajtjen e valixhes".

Disa ekspertë të sigurisë thonë se, është e mundur që Rusia, nga fillimi, të ketë qenë prapa akuzës për ricin, vetëm sa për të frikësuar autoritetet çeke.

West thotë se nuk ka asnjë dyshim për rekordin që ka Rusia dhe Bashkimi i atëhershëm Sovjetik në vrasjet e pretenduara jashtë vendit, përfshirë përdorimin e ricinit në helmimin e shkrimtarit disident bullgar, Georgi Markov në Londër më 1978. Por, West vuri në dyshim, nëse Kremlini do t'i rikthehej sërish përdorimit të helmit.

"Derisa ricini është vdekjeprurës nëse merret direkt, dhe ka një histori përdorimi në atentatet e mëparshme të lidhura me sovjetikët, tani ka shumë mënyra më efektive për të vrarë dikë", thotë West.

Përfshirja e pretenduar e ricinit "sugjeron që ky ishte teatri i kërcënimit" i orkestruar nga Kremlini për t'i dërguar një mesazh autoriteteve çeke.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG