Ndërlidhjet

Gjykata Kushtetuese pezullon dekretin e Thaçit për qeverinë


Ilustrim.
Ilustrim.

Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka vendosur në favor të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për të pezulluar zbatimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi deri më 29 maj, derisa të shqyrtojë lëndën e dërguar nga kjo parti, lidhur me kushtetutshmërinë e vendimit të presidentit.

“Gjykatën Kushtetuese me shumicë votash, vendosi: Të miratojë masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020, nga data e nxjerrjes së këtij vendimi si dhe të pezullojë menjëherë zbatimin e dekretit të presidentit të Republikës së Kosovës , nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën një të këtij diapozitivi”, është thënë në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se do ta respektojë vendimin e së premtes të Gjykatës Kushtetuese.

“Kosova ka tashmë një përvojë të çmueshme në respektimin e të gjitha vendimeve dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo përvojë është një dëshmi e fuqishme e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, ka thënë Thaçi përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje të gjitha politikanëve dhe subjekteve politike që të sillen me maturi në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë se vlerëson vendimin e Gjykatës, meqë konsideron se ajo është në të mirë të interesit publik dhe i shërben administrimit të drejtësisë.

“Megjithatë është e nevojshme të kujtojmë që ky pezullim nuk e prejudikon vendimin përfundimtar të Gjykatës. Kështu që është tejet e rëndësishme që të mos entuziazmohemi, të rrimë të fokusuar në drejtim të qëllimit tonë për menaxhimin sa më të mirë të situatës me pandeminë COVID-19” është thënë në një komunikatë për media të Qeverisë në detyrë.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se vlerëson lartë trajtimin që i ka bërë Gjykata Kushtetuese kësaj lënde, pasi sipas saj në këtë mënyrë “vendosja e masës do të parandalojë shkaktimin e një dëmi të pariparueshëm në kuptim të funksionimit kushtetues dhe ligjor të institucioneve më të larta kushtetuese në vend.”

Osmani ka thënë se në disa komente që i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese ka argumentuar se “vendosja e masës së përkohshme mbi ekzekutimin ose ndërmarrjen e veprimeve që rrjedhin nga dekreti është po ashtu e domosdoshme për shkak se vetëm në këtë mënyrë do të garantohet që Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë në sistemin tonë politik, nuk do të marrë vendime që mund të rezultojnë kundërkushtetuese, e që për pasojë do të dëmtonin rëndë besimin e publikut dhe vetë integritetin e këtij institucioni".

LDK respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se do ta respektojë në tërësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë, kjo parti ka thënë se është e vendosur në përputhshmëri të plotë me normën kushtetuese, të krijojë qeverinë e re.

“LDK-ja, me anë të marrëveshjeve politike, ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë së re”, është thënë në një komunikatë për media të kësaj partie.

Ndërkohë deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismaili ka bërë thirrje për respektim të vendimit të Gjykatës.

“Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje të gjithëve që të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo, duke përsëritur qëndrimin e partisë që janë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasi të ketë kaluar kriza me pandeminë e koronavirusit.

Presidenti Thaçi më 30 prill ka njoftuar se ka dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotin, për postin e kryeministrit të Kosovës.

Menjëherë pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Thaçit dhe duke kërkuar vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e zbatimit të dekretit.

Njoftimi për dekretimin e Hotit erdhi pasi presidenti Thaçi më 22 prill, konstatoi se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për propozimin e mandatarit, andaj këtë të drejtë ia kaloi LDK-së, si partia e dytë më së shumti vota në zgjedhjet e fundit.

Kurti dhe presidenti Thaçi kanë këmbyer një varg letrash, në të cilat Thaçi i ka kërkuar liderit të Vetëvendosjes, Kurtit, emrin e kandidatit të ri për kryeministër.

Kurti në anën tjetër ka thënë se nuk po refuzon dërgimin e emrit të ri, ndonëse ka thënë se ai dhe partia e tij janë në favor të mbajtjes së zgjedhjeve, pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar të premten se partia e tij do të respektojë çdo vendim që merr Kushtetuesja për këtë çështje.

“Në qoftë se merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese ne nuk do të lëvizim në Kuvend fare, por do ta presim që ajo ta marrë vendimin përfundimtar, ne nuk do ta shkelim asnjë rast as një procedurë të Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Mustafa.

Një ditë më parë kjo parti ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës që më 2 maj të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme për formim të qeverisë së re.

Pak para publikimit të vendimit të Gjykatës, ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott ka thënë se marrë parasysh zhvillimet e fundit politike, respektimi i Kushtetutës, nga të gjitha palët politike, është më i rëndësishëm se kurrë.

“Kjo përfshin rolin e Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të jetë të gjendje të veprojë e pavarur, pa frikë dhe favore, lidhur me ligjshmërinë e veprimeve politike të të gjitha institucioneve shtetërore të Kosovës. Vendimet e saj duhet të respektohen nga të gjithë”, ka thënë Abbott përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Si erdhëm deri këtu?

Procedurat për formimin e qeverisë së re pasojnë iniciimin e mocionit të mosbesimit nga LDK-ja kundër qeverisë tashmë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti.

Në mesin e arsyeve për ngritjen e mocionit janë përmendur marrëdhëniet që së fundmi ka Kosova me Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimi i Agim Veliut nga pozita e Ministrit të Brendshëm.

Sekretarja organizative e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Haxhimehmedi ka njoftuar përmes llogarisë së saj në Facebook se protesta e qytetarëve dhe aktivistëve të kësaj partie kundër seancës parlamentare për votimin e Qeverisë së re është shtyrë.

“Tash e disa javë është bërë presion i madh nga aktivistë e qytetarë për të dalë në protesta. Kjo u shtua sidomos dje pas paralajmërimit për seancë të jashtëzakonshme për të shtunën me 2 maj. Mirëpo, masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese sot, sigurisht se e shtynë protestën. Ndërkohë, puna e përditshme dhe përgatitjet tona vazhdojnë”, ka deklaruar Haxhimehmedi.

Negociatat për koalicion

Pasi presidenti Thaçi ka deklaruar se Vetëvendosje ka refuzuar që të dërgojë emrin e mandatarit për kryeministrin e ardhshëm, LDK-ja nisi bisedimet me partitë tjera për të formuar qeverinë e re.

Kjo parti deri më tani ka nënshkruar marrëveshje për koalicionin qeverisës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe Listën Serbe. Partia e udhëhequr nga Isa Mustafa ka thënë se ka arritur marrëveshje për bashkëqeverisje edhe me Aleancën Kosova e Re, ndonëse diçka e tillë nuk është zyrtarizuar.

Për zgjedhjen e qeverisë së re, duhen 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG