Ndërlidhjet

Masa kufizuese të lëvizjes më 1 maj në Maqedoninë e Veriut


Shkup
Shkup

Maqedonia e Veriut edhe një fundjavë do ta kalojë me kufizime të lëvizjes, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri. Qeveria ka vendosur që të premten, të shtunën dhe të dielën ora policore të nisë nga ora 14:00 deri në 05:00 të mëngjesit.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, ka thënë se këto masa kanë për qëllim mosrrezikimin e të rezultateve të arritura, por edhe pendimin e paraqitjes së rasteve të reja me koronavirus.

“Ne duhet ta kuptojmë se këtë trend të mirë të uljes së numrit të pacientëve që e kemi, duhet ta mbajmë. Këtë e kemi arritur pikërisht nga rekomandimet e komisionit të sëmundjeve ngjitëse, e që janë miratuar nga qeveria. Nuk guxojmë që të lirohemi pikërisht kur tani jemi në rrugë të mirë në luftën kundër virusit”, ka deklaruar Filipçe.

Numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut në tre ditët e fundit ka shënuar rënie të ndjeshme, ndërkaq numri i të shëruarve është rritur. Vetëm gjatë të martës, autoritetet kanë raportuar për gjashtë viktima të reja nga koronavirusi, 22 të infektuar dhe 36 të shëruar. Numri i të infektuarve tani ka arritur në 1,421, prej tyre 589 të shëruar, ndërsa i viktimave ka shkuar në 71.

Ministri i Shëndetësisë, tha se pret që numri i të infektuarve të arrijë deri në 1,700, ndërkohë që parashikimet e para ishin që ky numër të kapërcej shifrën e 2,000 të prekurve.

Por, kundër një kufizimi të rreptë ka dalë Ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev nga radhët e VMRO DPMNE-së opozitare, i cili vlerëson se kufizimet e rrepta mund të kenë pasoja të kundërta.

“Çdo kufizim që do të jetë më i rreptë se masat e kaluara, do të ndikojë negativisht tek qytetarët. Unë ende mendoj se pyjet dhe malet duhet të qëndrojnë të hapura gjatë periudhës kur lejohet lëvizja për qytetarët dhe ato duhet të përdoren për rekreacion, dhe jo për grupimin e qytetarëve”, ka reaguar ministri Çulev përmes një shkrimi në rrjetet sociale.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, thotë se askush nuk dëshiron të mbajë qytetarët të mbyllur, por sipas tij mendimet e ekspertëve shëndetësor janë mbi ato të kreut të MPB-së.

“Asnjë mendim individual nuk ka peshë, përfshirë edhe atë të ministrit të Punëve të Brendshme, Naqe Çulev. Nuk ka asnjë peshë apo rëndësi, nëse për mendim të ndryshëm kanë ekspertët, epidemiologët, ata të cilët janë përgjegjësit e vetëm të japim vlerësime se çfarë është më e mirë për shëndetin e qytetarëve. Unë e kuptoj se askush nuk dëshiron të jetë i mbyllur në shtëpi, por këtë e bëjmë për të mirën tonë”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë duke paralajmëruar edhe nisjen e shqiptimit të gjobave për mos mbajtjen e maskave.

Çdo individ që kapet pa maskë në vendet ku nuk ka distancë sociale do të gjobitet me 20 euro ndërsa kompanitë apo personat juridik që nuk zbatojnë vendimin do të dënohem deri më dy mijë euro.

Nga java tjetër, qeveria ka paralajmëruar nisjen e procedurës për lirimin e masave ndërsa do të bëjë të ditur edhe vendimin për shkollat. Ministri i Arsimit, Arbër Ademi ka thënë se vendimi do të ketë për bazë mendimin e mjekëve, por për momentin gjasat janë të vogla që të mendohet për kthimin e nxënësve në shkollë.

“Kjo aq më tepër kur e kemi parasysh se ka mbetur edhe pak kohë deri në përfundim të vitit shkollor. Vendimi do të bazohet në mendimin e ekspertëve të fushës, epidemiologëve dhe i njëjti do të shqyrtohet në qeveri, pra do të merren parasysh të gjitha rrethanat”, ka deklaruar ministri i Arsimit, Arbër Ademi.

Veç mësimit dhe masave tjera ekonomike, qeveria pas një majit do të diskutojë edhe hapjen eventuale të kufijve ndërsa ka kërkuar nga agjencitë turistike të mos shpejtojnë me prenotimet dhe caktimin e fluturimeve ajrore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG